Shqipëria dhe rruga e saj drejt Bashkimit Europian ishte një nga çështjet për të cilat u pyet në konferencën tradicionale për shtyp kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut.
I pyetur për marrëdhëniet me Tiranën dhe problemet që lidhen me pronat dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis tha se Athina mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por se çdo vend do të gjykohet veçmas për progresin e tij.
Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë u shpreh “Progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave nuk është i mjaftueshëm. Të jeni të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona për t’u siguruar që të drejtat e minoritetit mbrohen plotësisht.”
Kryeministri grek theksoi se çështja nuk është vetëm dypalëshe, por lidhet edhe me respektimin e së drejtës europiane. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave kërkon edhe miratimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ka thënë ai.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, kreu i qeverisë greke ishte edhe më i prerë, duke theksuar se nuk ka, në thelb, asnjë progres në negociatat europiane. Prandaj jemi në një fazë shumë më të hershme krahasuar me Shqipërinë, ka përfunduar ai.
Burimi/Facebook/vataninews


Leave a Reply