
Nuk ka vetëm një javë që ka nisur edicioni i 7-të i njërit prej programeve më të ndjekur në Shqipëri, “Big Brother Albania” dhe duket se publiku është afeksionuar në kaq pak kohë me disa nga banorët. Njëri prej tyre është edhe Valer Kolnikaj, modeli dhe mjeku nga Malësia e Madhe, i cili sikurse shumë të tjerë aty edhe ai ka historinë e tij për të treguar. Mjaft pozitiv që në ditët e para, Kolnikaj ka krijuar miqësitë e tij edhe brenda shtëpisë më të famshme në vend, por jashtë ka lënë edhe një ndër miket e tij më të mira, e cila në një intervistë të thjeshtë rrëfen jetën e konkurrentit jashtë BB7, sakrificat dhe sukseset e tij, lidhjen e ngushtë me të, si dhe historinë e dhimbshme të tij.
Nuk ka kaluar një javë brenda shtëpisë së “Big Brother 7″ dhe duket se Valeri ka fituar simpatinë e një pjese të mirë të publikut. Ju prej sa kohësh njiheni dhe cili është raporti juaj me të Emanuela?
Po është e vërtetë në fakt dhe unë po habitem shumë, sesa mirë po ecën Valeri, që nga paraqitja, bisedat, debatet për tema të caktuara etj., por këtë gjë e vërej edhe në rrjetet sociale, të cilët po e përkrahin shumë. Ne jemi njohur para disa vitesh, por nuk mendoj që është e rëndësishme koha, pra sa ke që je njohur me një person, por sa rëndësi ka ai për ty. Shoqëria jonë është ndër më të bukurat dhe ndër më të sinqertat. Për mua Valeri është vëllai që fatkeqësisht s’e pata kurrë.
Na flisni pak për jetën e Valerit jashtë BB7?
Jeta e Valerit ka qenë dhe është shumë e bukur. Po ashtu, të njëjtën gjë mund të them dhe për profesionin e tij. Përpara se të flas për profesionin e mjekut mund të flas për punën që ai ka bërë në televizion. Që në moshën e adoleshencës ai ka punuar në Tv-Kopliku (media lokale). Me plot ëndrra për skenën dhe ekranin ai iu dha këtij profesioni me gjithë shpirt, duke u bërë i preferuari i të gjithëve.
Si vendosi të merrte pjesë në BB Valeri, ju kishte folur më përpara për këtë dëshirë?
Ai në fakt si dëshirë e ka pasur prej kohësh, por e ka anashkaluar. Ndërsa këtë vit pjesëmarrja në BB ka nisur si një lojë. Një ditë teksa hanim drekë i thashë, “do ta plotësosh formularin”? Ai qeshi dhe më tha, “Jo, nuk dua, jam shumë mirë kështu, në punë, pranë familjes, pranë jush, jam shumë i lumtur. E çfarë dua më shumë nga jeta?”. Unë ngula këmbë, derisa e binda. Çdo gjë ishte në kuadër të shakasë, deri në momentin kur ata e telefonuan dhe i lanë takim për intervistën e parë.
Çfarë mendon se do vlerësojë më së shumti publiku tek ai?
Në qoftëse publiku do të shikojë një personazh të sinqertë, të zgjuar, të përgatitur, të formuar profesionalisht, familjar të mrekullueshëm, një lojtar të fortë, atëherë këto do t’i shohin te Valeri. Por ajo që doja të theksoja është se në këtë show shpesh konkurrentët krijojnë situata dhe histori të dhimbshme që të tërheqin vëmendjen e publikut, ndërsa Valeri vetë jetën e tij e ka të tillë, pa e krijuar/sajuar. Mbi të gjitha tek Valeri fshihet një zemër e madhe me ndjenja pozitive.
Po ju si shoqe dhe kolege e tij, çfarë vlerësoni më së shumti në karakterin e Valerit?
Unë si mike dhe kolege tek Valeri vlerësoj çdo gjë të bukur të një shoqërie të sinqertë. Karakterin, pozitivitetin, sjelljen e tij, mënyrën se si ka vepruar ndaj familjes së tij, duke u rikthyer nga Tirana dhe duke krijuar jetën pranë tyre në Malësi të Madhe. Vlerësoj shumë sportivitetin, me të cilin i merr gjërat e vështira në jetë, po ashtu edhe faktin që Valeri di t’ia japë vendin dhe rëndësinë gjithkujt në kohën e duhur. Ne jemi miq të mirë, që ndajmë një pjesë të mirë të ditës me lojëra, shaka, punë, harmoni dhe mirëkuptim.
Ju duket i përshtatshëm për një format të tillë, një djalë kaq i sjellshëm sa Valeri dhe pse?
Për shumë njerëz që akoma nuk e njohin sa dhe si duhet mund të mendojnë që një djalë si Valeri nuk bën për një format të tillë. Në fakt unë që e di kush është Valeri them që fiks një djalë si ky duhet të jetë aty, ndaj dhe kam këmbëngulur që ai këtë vit të jetë në BB7. Valeri di të luajë, është pozitiv, por edhe i ashpër për atë që ia bën me borxh. Valeri është i dashur, por edhe i egër. Valeri di ç’është e mira dhe e keqja. Ai duron shumë, shpesh anashkalon në të mirë të situatës, por gjithmonë kupton.
Ju jeni edhe miq familjeje. Valeri është i martuar dhe është bërë baba i një djali prej pak kohësh. Ju flet për martesën dhe jetë personale juve si mikeshë?
Po të nis të flas për familjen e Valerit mua nuk më mjafton kjo intervistë, por do më duhen ditë e muaj. Valeri ka dy prindër zotërinj, ku me dinjitet e vlera kanë punuar gjithë jetën e tyre për të bërë realitet çdo ëndërr të djalit të tyre. Po ashtu Mandalena, bashkëshortja e e tij, një mike shumë e mirë imja. Një femër e bukur, e zgjuar, një bashkëshorte e denjë, si dhe djali, Dario i vogël, engjëlli i familjes Kolnikaj. Këto katër persona janë mrekullia e Valerit, për të cilët ai jeton. Kur ata janë mirë ai është super mirë.
Si ju duket ecuria e lojës së tij deri tani? Është i sinqertë brenda shtëpisë së BB7, apo ka nisur edhe ai të luajë, siç formati i këtij realit-show e do?
Loja e tij deri tani më ngjan interesante. Është akoma herët të flasim, por ai po rregullon territorin, po punon me kujdes, për secilin nga banoret po kujdeset t’i japë atë që meriton (qesh).
Mendoni se do ecë gjatë në këtë garë emocionesh Valeri?
Një gjë dua t’ju them. Çdo gjë që deri tani Valeri ka arritur e ka me punë, sakrifica, ama çdo gjëje i ka shkuar deri në fund. Jam e bindur që do të arrijë deri në fund edhe të kësaj loje.
Pika e tij e fortë karakteriale?
Është djalë i thjeshtë, kjo është një pikë e fortë e karakterit të tij, gjë që mendoj se e bën një njeri më të këndshëm dhe real.
E dobëta?
Familja, por sidomos i biri, Dario.
Për çfarë mund ta sulmojë një konkurrent brenda shtëpisë së BB Valerin, sepse dihet që kjo është edhe një lojë provokimesh dhe nervash?
Ata mund ta sulmojnë për çdo gjë, por ai do të dijë si ta mbrojë veten, për këtë të jeni të bindur.
Që në personazh i BB të jetë pjesë e këtij formati, sigurisht duhet të ketë edhe një jetë interesante dhe me ngjarje, juve çfarë ngjarjeje dini nga jeta e Valerit?
Çdo njeri që hyn në Big Brother duhet të ketë diçka interesante, apo një histori të dhimbshme për të treguar. Valeri ka historitë e tij të jetës, por ai nuk ka hyrë aty me asnjë nga këto histori si pretekst. Ama një histori e familjes së tij e di që e shoqëron çdo sekondë me vete dhe ajo është vdekja e vëllait të tij në një moshë të re dhe tragjike, gjë që la shumë dhimbje, lot e dëshpërim në jetën e tij. Unë shoh që sa herë flasim për këtë histori atij i njomen sytë me lotët e dhimbjes. Por Valeri është i fortë dhe ia ka dalë. Prindërit e tij e kanë vuajtur shumë ndarjen nga jeta të të birit dhe sinqerisht rrallë herë kam takuar dhe njohur njerëz si babai dhe nëna e Valerit, njerëz të butë dhe të dashur
http://www.albnews.al


Leave a Reply