Intervista me autorin / “Anija e mbytur”, së shpejti në shqip. Gazetari Alessandro Leogrande me një vepër investigative risjell në kujtesë historitë e viktimave të Ontrantos, të familjarëve të tyre dhe një akuzë për Italinë e skandaleve të zakonshme
Valeria Dedaj
Shkrimtari italian Alessandro Leogrande sjell edhe një herë në qendër të vëmendjes 28 marsin e vitit 1997. Të nisur nga Vlora me anijen Katër i Radës rreth 120 gra, burra dhe fëmijë, pas përplasjes me anijen e marinës italiane, mbeten në ngushticën e Otrantos. Familjarët e tetëdhjetë e një trupave të pajetë dhe të njëzet të humburve, fillojnë gjyqet për të gjetur të vërtetën mbi tragjedinë e asaj nate. Mbi këtë ngjarje shkrimtari Leogrande ndërton gjithë kronologjinë e librit. Një libër investigativ, por dhe letrar sjell dëshmi të të mbijetuarve dhe të familjarëve të viktimave.
Shkrimtari ka bërë disa udhëtime drejt qyteteve të Shqipërisë në Vlorë, Fier dhe zonat përreth për të takuar personalisht dëshmitarët e ngjarjes. Personazhet kryesore Bardhoshin dhe Pirron i sjell në roman, pasi është njohur me dëshmitë e tyre të përpikta në gjyq. Objektivi i shkrimtarit është që nëpërmjet romanit të sjellë jo vetëm histori individuale, jo vetëm vuajtjet dhe humbjet, por për ta shkundur nga gjumi kujtesën për këtë tragjedi nga të dyja palët, italiane dhe shqiptare.
Një intervistë për “Shekullin”, shkrimtari Alessandro Leogrande tregon zanafillën e “Anijes së mbytur” (Il naufraggio. Morte nel mediterraneo, Feltrinelli, 2011), për takimet e trishtueshme me familjarët e të mbijetuarit dhe në një kuadër me të gjerë jep opinionin e tij se si kanë ndryshuar marrëdhëniet e italianëve me emigrantët shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve. Është parashikuar që Leogrande ta bëjë prezantimin e “Anijes së mbytur” që vjen në shqipe nga “Dudaj”, në mesin e muajit nëntor, në ditët e Panairit të Librit në Tiranë.
Si lindi ideja për të shkruar këtë libër? Ishte një shkëndijë “When The Ship Comes In” e Bob Dilanit, ajo që hap librin?
Besoj që mbytja e Katër i Radës shënoi një çast vendimtar në marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë, dhe në historinë e kohës së fundit të Mesdheut në përgjithësi. Nuk bëhet fjalë vetëm për një tragjedi të emigracionit apo për një ngjarje që na çon në krizën politike të vitit 1997. Duke e parë situatën nga Italia, ajo tragjedi shënon fillimin e politikave refuzuese në det të hapur, me përdorimin e anijeve ushtarake. E gjithë politika evropiane në vazhdim është modeluar duke u bazuar mbi çka ndodhi në shtrirjen e detit midis Italisë dhe Shqipërisë. Çka më ka shtyrë të shkruaj këtë libër nuk është thjesht detyra ndaj kujtesës, por dhe nevoja për të treguar – në dimensionin e romanit investigativ – shumë histori individuale, shumë vuajtje individuale, shumë humbje individuale, të cilat Italia (por dhe një pjesë e mirë e Shqipërisë) i ka harruar. Detyrë e një shkrimtari është që të zhvarrosë atë që është varrosur; t’i japë zë atij që nuk ka. Citimi në krye i Bob Dylan krijon një vertikale. Në një farë mënyre na thotë se është shumë tepër se një punë gazetareske.
Cila është metoda e përdorur? Pohuat se ka dimensionin e një romani investigativ. Shkoni deri në interpretimin e fakteve?
Pjesërisht është hetim. Kam analizuar të dhënat e procesit rreth Katër i Radës, duke vënë re mangësi të hetimit nga gjyqësori dhe duke shqyrtuar dëshmitë, kam shprehur dyshimet e mia. Por përveç kësaj libri është dhe një vepër letrare, në të cilën përjetohen drama individuale, të gjitha ato gjëra që në përgjithësi në punët investigative nuk i gjen e që në të vërtetë janë thelbësore për të kuptuar jetën e njerëzve me mish e kocka. Kam folur gjatë me të afërmit e viktimave dhe me disa të mbijetuar të anijes së mbytur, kam udhëtuar për një kohë të gjatë në Itali dhe në Shqipëri, sidomos në Vlorë, Fier dhe në zonat përreth. Libri është rezultat edhe i këtyre takimeve njerëzore.
Për shembull: personazhet Bardhosh, Pirro si i keni njohur?
Bardhosh Bestrova është një nga të mbijetuarit. Më kishte ngjallur kureshtje, midis gjithë të tjerave, dëshmia e tij gjatë procesit, sepse ishte jashtëzakonisht lineare, e përpiktë dhe e detajuar. Ishte e rëndësishme për mua që të nisja librin përmes këndvështrimit. Ashtu si në film, historia fillon te subjekti, nga detaji i anijes së mbytur, siç ndodhi në të vërtet, përmes syve të Bardhoshit: çfarë ka parë, provuar, ndjerë në ato momente. Ndërsa Pirroja është një personazh historik: legjenda për të cilën flas në fillim të librit e kam dëgjuar vërtet në fshatrat në veri të Vlorës, në fillim të viteve ’90. Dhe kjo na tregon se prapa asaj që jemi dhe bëjmë, ekziston një histori mijëvjeçare.
Në përgjithësi: në cilat situata i keni gjetur familjarët e viktimave të Otrantos? Ishte e vështirë të regjistroje rrëfimet e tyre?
Më janë dashur muaj për të rënë në kontakt me familjarët e viktimave me anë të Komitetit të tyre. Me të krijuar kontakt, gjeta tek të gjithë ata gatishmëri të madhe, por kjo s’do të thotë punë e thjeshtë. Të flasësh me një nënë që ka humbur një djalë, apo me një motër që ka humbur një vëlla, do të thotë të zbulosh një plagë ende të pashëruar. Do të thotë të krijosh një raport besimi, pa hyrë me dhunë në privatësinë e njerëzve. Prandaj të dëgjoje historitë e tyre ishte prekëse, e trishtueshme. Jam përpjekur ta shkruaj historinë e tyre me gjithë përulësinë e mundshme. Në një moment të dytë, jam përpjekur të shkruaj për çështjet e tyre me të njëjtën përulësi dhe duke u bërë pjesëmarrës.
Transkriptimi i provave D, spiralja që ka të bëjë me anijen operative të marinës ushtarake italiane “Zeffiro” në Kanalin e Otrantos më 28 mars 1997. Si i shtitë në dorë materiale të tilla të ngjashme?
Transkriptimet janë pjesë përbërëse e të dhënave të procesit. Janë të dhëna që munda t’i konsultoj nëpërmjet avokatëve të të afërmeve të viktimave. E çuditshmja është se transkriptimet nuk përmbajnë shumë gjëra, sepse filmimet që u referohen shfaqen bosh. Ky është një nga skandalet e vogla e të mëdha italiane aq të zakonshme që e mbajnë vendin tonë në ekuilibër por kurrë plotësisht normal si vend. Si në masakrat e tjera të së shkuarës, edhe Katëri është një nga ato rastet në të cilat bëhet jashtëzakonisht e vështirë të rindërtosh hallkat e përgjegjësisë, sidomos kur kjo i përket krerëve të shtetit. Tundimi për të varrosur bëhet më i fortë sesa kërkimi i të vërtetës.
Pra një histori që prek jo vetëm familjet e goditura nga kjo ngjarje, por edhe italianët që nuk kanë ndihmuar. Përgjegjësit përballë viktimave? Është ky objektivi juaj?
Objektivi im është të tregoj të vërtetën, sesi kanë rrjedhur ngjarjet, dhe pse ajo mund të duket e dhimbshme për disa, dhe e bezdisshme për disa të tjerë. Janë disa ushtarakë (pak për fat të keq) që kanë thënë të vërtetën. Dhe të tjerë (shumë për fat të keq) që kanë kontribuar të krijojnë një zonë hijesh, me një sërë frazash të pabesueshme si “nuk kujtoj”… Një shkrimtar nuk ka për detyrë të bëjë proces, por të provokojë dyshimin, të bëjë një operacion kundra-histori dhe të përshkruaj se si individë të veçantë janë sjellë përpara një ngjarje kaq tragjike.
Këta njerëz emigronin në vendin përballë. Mijëra të tjerë para dhe pas tyre mbajtën në këmbë një proces historik të emigracionit të ri në Itali. Kjo rrymë ka ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit pritës, por sipas këndvështrimit tuaj a ka influencuar që Italia të “rritet”?
Në 20 vjet Italia është bërë një vend emigracioni si Franca apo Gjermania. Tani emigrantët në vendin tonë janë mbi katër milionë: shqiptarë janë mbi 500 mijë, domethënë një pjesë e konsiderueshme. E gjitha kjo e ka ndryshuar Italinë dhe besoj që ta ketë ndryshuar për mirë. Jemi bërë një vend më pak provincial, edhe pse jo gjithmonë ligjet tona ecin me të njëjtin hap me ndryshimet brenda shoqërisë. Nuk mjafton të kemi Balotelli-n si sulmues të kombëtares për të thënë se kemi fituar bastin për integrimin. Nuk është kështu për të gjithë. Përkundrazi, për shumë nuk është aspak kështu.
Çfarë ka ndryshuar në raportin emigrant/vendas italian?
Sigurisht që ka ndryshuar raporti me emigrantët shqiptarët krahasuar me vitet ‘90. Atëherë shqiptarët kanë qenë viktima të një racizmi të përhapur dhe të ksenofobisë që më vjen shumë turp. Italia e tregoi veten të paaftë për të mirëpritur dhe të paaftë për të zhvilluar politikën e saj drejt lindjes së Adriatikut, pavarësisht se në Shqipëri kishte qenë deri në vitet 40 si “fuqi” koloniale. Tani gjërat janë ndryshe. Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe shumë shqiptarë në Itali kanë hedhur rrënjë, sidomos në Italinë e Mesme e të Veriut. Ka një brez të ri njëzetvjeçarësh që i flasin me lehtësi të dyja gjuhët. Janë ata e ardhmja jonë. Edhe pse nuk di të them nëse me krizën ekonomike që po kalon Italia, dhe më vështirësitë e mëdha për të gjetur një punë, do të qëndrojnë këtu apo do të largohen (ashtu siç po bëjnë shumë 20-vjeçarë italianë, duke ikur jashtë).
Në këto rrethana si do ta komentonit atëherë shprehjen “gjithë bota është një fshat”?
Nëse shprehja “gjithë bota është një fshat” nënkupton se të gjithë jemi njësoj, se nuk kemi shumë dallime, se burrat dhe gratë në thelb janë të ngjashëm, e po kështu edhe problemet e shoqërive, atëherë jam pjesërisht dakord me ju. Por nëse me shprehjen “e gjithë bota është një fshat” nënkuptohet që këto gjëra (tragjedia e Katër i Radës dhe fshehja e provave) ndodhin kudo, atëherë: përse të ankohemi? përse të çuditemi? nuk jam dakord. Në rastin e dytë është një shprehje italiane që nuk më pëlqen, që synon të justifikojë padrejtësinë, vuajtjen, korruptimin, abuzimet me pushtetin, gënjeshtrën me pretekstin se të gjithë bëjnë kështu. Në fakt kjo është e papranueshme. Më duket e neveritshme. Dhe nëse bota funksionon kështu, mirë atëherë, unë do të qëndroj gjithmonë në anën tjetër.
Leogrande fiton Çmimin Kapu?ci?ski
Më 28 shtator Alessandro Leogrande është vlerësuar me Premio Kapu?ci?ski. Është edicioni i parë i këtij çmimi që lindi si ide e Festival della Letteratura di Viaggio dhe e Institutit Polak të Romës, në bashkëpunim me Familjen Kapu?ci?ski dhe Botimet Feltrinelli. Në 5-vjetorin e vdekjes së autorit, lind ky çmim për reportazhin që vlerëson aftësinë për të treguar vende dhe kultura, për të vëzhguar si kronist dhe për të rrëfyer si tregimtar. Dhe kështu Leogrande vlerësohet për atë që ka bërë në librin “Anija e mbytur” si gazetar dhe si shkrimtar. Ai vazhdon të prezantojë këtë libër në takime me lexues dhe studentë ku shpjegon edhe metodën e tij të punës me një lëndë të historive reale. Alessandro Leogrande (Taranto 1977) është zv/drejtor i të përmuajshmes “Lo straniero”, mban rubrikën e përjavshme te “Corriere del Mezzogiorno” dhe bashkëpunon me revista e gazeta. Është autor i “Un mare nascosto” (2000), një kërkim për qytetin e origjinës, ku Leogrande tregon mafien e re; “Nel paese dei vicerè”, “L’Italia tra pace e gurra”, “Uomini e caporali. Viaggio tra i nuovi schiavi nelle campagne del Sud” etj.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply