Foto nga arkivat britanike me shënimin: Enver Hoxha duke hyrë në Tiranë më 28 Nëntor 1994 me makinën “Alfa Romeo”, rrëmbyer Lik Toptanit
Oficerët britanikë luftuan dhe punuan afërsisht dy vite në Shqipëri gjatë kohës së luftës. Por, krahas aktivitetit të tyre, ata i kushtuan një vëmendje edhe kulturës shqiptare dhe jetesës në Shqipëri, dokumentuan pothuaj gjithçka që u duket e veçantë, pavarësisht luftës. Majori britanik Piter Kemp kishte për këtë më shumë se një arsye. Ai ishte një nga të paktët oficerë anglezë që jetoi për pak kohë i fshehur në Tiranë nga ku realizoi disa nga detyrat e tij më të rëndësishme për luftën. Kemp arriti të sigurojë informacion mbi aerodromin e Tiranës, duke bërë të mundur bombardimin e tij nga forcat aleate. Po ashtu arriti të takohet me disa nga figurat më të rëndësishme të luftës dhe politikës së kohës, si nga komunistët, ashtu edhe nga krerët e Ballit Kombëtar. Majori anglez nuk mund të mos shënonte në raportin e tij jetën në Tiranë në familjen e Loni Adamit, një shqiptar me origjinë nga Korça, i cili e strehoi në shtëpinë e tij. Ka qenë kjo një përvojë mjaft interesante për ushtarakun e aleatëve në Shqipëri.
Krahas kujtimeve të tij për ditëqëndrimin si mysafir në qytetin e Tiranës, sot në gazetën “Panorama” publikojmë për herë të parë kujtimet e djalit të Loni Adamit, Viktorit, i cili ndonëse ishte vetëm dy vjeç kur majori Kemp ishte në shtëpinë e tyre, ruan shumë dokumente dhe fotografi nga ato ditë të vështira.”E kam peng, -thotë Viktori,- që majorin Kemp nuk mundëm ta takojmë kur u rikthye në Shqipëri pas rënies së komunizmit në vitet ’90″. E ndërsa ndjehet krenar për historinë e familjes së tij që strehoi mysafirin e largët në ato kohë lufte, Viktori brengoset kur kujton kalvarin e vuajtjeve që kanë kaluar pas luftës, sepse ky shërbim fisnik do t’i kushtonte jetën babait, Lonit, i cili humbi jetën nën torturat e Sigurimit të Shtetit në vitin 1947.
Loni Adami ishte një diplomat i talentuar që mbaroi shkollën e Harri Fullsit në Tiranë, punoi në Ambasadën Amerikanë nga viti 1929 deri më 1939, por që gjatë luftës ai do e kthente shtëpinë në një bazë të rëndësishme për Luftën Nacionalçlirimtare, duke u mundësuar botimin e trakteve dhe propagandës së kohës. Djali i tij, Viktori, tregon se ai vendosi të rrijë në Shqipëri, ndërkohë që kishte mundësi të largohej, e madje punonte sërish për amerikanët, derisa ata ikën nga Shqipëria në vitin 1946. Loni do të arrestohej menjëherë pas largimit të tyre. Për shërbimin e devotshëm, Loni Adami mori vlerësimet më të larta nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku ish- ambasadori Uidhers do të jepte një çmim në emrin e tij, çmimin “Loni Adami”. Me hapjen e ambasadës në vitin 1991, flamuri u ngrit në oborrin e Ambasadës nga Kristofer Hill dhe bashkëshortja e Lonit.
Erald Kapri
Majori Piter Kemp mori një direktivë të veçantë nga komanda e aleatëve në Kajro. Ai duhej të dërgonte një informacion korrekt për aerodromin e Tiranës, i kontrolluar nga trupat gjermane. Kjo pikë strategjike e luftës po etiketohej nga aleatët për t’u bombarduar, por para se të bëhej, duhej një informacion i saktë në lidhje me përqendrimin e forcave ajrore naziste në këtë pikë të Tiranës. Kemp lë malin, vishet si shqiptar i thjeshtë dhe zbret në Tiranë për t’u fshehur në një familje. Ai do të strehohej në familjen e Loni Adamit, një i ri i talentuar dhe i shkolluar që kishte punuar në Ambasadën Amerikane para luftës në Shqipëri. Majori Kemp tregon me nostalgji jetën e tij në familjen Adami, si dhe aktivitetin e tij të fshehur në kryeqytetin shqiptar. Atij i kujtohet në veçanti vera dhe ushqimi i mirë, por edhe mikpritja e Loni Adamit.
JETESA NË FAMILJEN ADAMI
Majori Kemp shkoi natën vonë në familjen Adami. Atë e solli Lik Toptani, i cili së bashku me të vëllai Ihsanin, ishin dy pika nga më të rëndësishme të informacionit të britanikëve në Shqipëri. Kemp shkruan me dashuri për këtë familje ortodokse me origjinë nga Korça, e cila e strehoi atë duke i ofruar të gjitha kushtet e fshehjes. “Në shtëpinë ku shkova në Tiranë, ishte një familje ortodokse dhe u ndjeva kaq mirë. Pas dy muajve në male i pisët, më në fund gjeta disa komoditete si luksin e një banjeje të ngrohtë, tavolinë me karrige, dhe vera e mirë dhe ushqimi ishin me bollëk. Mikpritësi im shqiptar fliste anglisht dhe ishte një anglofil, e mbështeste fort luftën e LNÇ, por më theksonte gjithnjë se nuk e simpatizonte komunizmin. Këtë e besoja vërtet, nisur nga mikpritja e ngrohtë që më rezervoi në familje”, shkruan Kemp në raportin e tij.
Një nga dy djemtë e Loni Adamit, Viktori, tregon për gazetën “Panorama” jetesën me mysafirin e rrallë anglez në shtëpinë e tyre afër rrugës “Mine Peza”. Ai ishte vetëm dy vjeç në atë kohë, por në një nga sirtarët e tij mban një dosje të plotë me dokumente dhe fotografi me majorin anglez. “Tek shtëpia jonë e ka sjellë Lik Toptani. Nuk e di ç’lidhje kishte ai me anglezët. Por, majori Piter Kemp qëndroi për një kohë të gjatë në shtëpinë tonë. Fillimisht menduam si t’i gjenim disa rroba, të cilat nuk do e dallonin nga shqiptarët e tjerë. Por ishte problem sepse ishte dy metra i gjatë. Atëherë kemi thirrur Olimbinë, e cila ishte rrobaqepëse dhe ajo i qepi diçka që të duket si fshatar zone. Kemp vinte qeleshen në kokë, e hipnin në pajton dhe shkonte çdo ditë në tregun fshatar, i cili ndodhej afër aerodromit të Tiranës. Mesa morëm vesh ai për këtë çështje kishte ardhur, që të vëzhgonte këtë aerodrom. Në shtëpinë tonë ai pati edhe radion që bënte lidhje. Kur u largua, atë e la tek shtëpia jonë. Kjo bindje na u përforcua kur më vonë aerodromi u bombardua nga avionët aleatë”, thotë Viktori. Në fakt, Viktor Adami ka një informacion të saktë, sepse majori Kemp kishte ardhur në Tiranë pikërisht për aerodromin.
Këtë ai e tregon edhe në raportin e bërë për Ministrinë e Luftës në Londër, ku shpjegon se si ai shkoi dhe pa avionët armiq me një nga makinat e Lik Toptanit. “Një pasdite, nisur edhe nga kontrolli i gjermanëve në qytet, shkova me Lik Toptanin të bënim një shëtitje me makinën e tij për të parë më mirë qytetin. Doja të shikoja me shumë kujdes aerodromin dhe llojet e avionëve armiq që ishin atje. Lika më tha që rruga e makinës kalon karshi dhe se nuk ka kontroll gjermanësh në atë rrugë. Por, Lika u gabua sepse aty në rrugë hasëm një patrullë gjermanësh dhe pavarësisht se donim të ktheheshim, në atë moment ishte paksa e vështirë pasi binim në sy kollaj.
Kështu që një gjerman u afrua te makina, futi kokën brenda dhe na kërkoi dokumentet. Ia ktheva në shqip: Shqyptar. S’ka dokument”, me shpresë se ky ushtar gjerman nuk ia thoshte shqipes më mirë sesa unë. Në atë moment Lika veproi zgjuarsisht duke nxjerrë nga xhepi një dokument që kishte një stampë gjermane sipër dhe ia vuri para fytyrës ushtarit gjerman. Ai dokument s’kishte lidhje në fakt, sepse i përkiste një makine tjetër të regjistruar në Durrës, ndryshe nga makina që kishim në përdorim. Por, fatmirësisht, ushtari gjerman nuk i kushtoi rëndësi se çfarë dokumenti kishim tjetër, na buzëqeshi dhe na përshëndeti duke na hapur rrugën.
Unë pata mundësi të shikoja mirë aerodromin, të numëroja avionët dhe më pas u kthyem ku të njëjtët ushtarë gjermanë ndodheshin në rrugë, por kësaj here i njëjti ushtar vetëm sa na përshëndeti. Më pas shkuam në shtëpinë e Likës dhe nisëm të trokasim gotat me uiski”, shkruan Kemp në raportin e tij dërguar në Londër. Majori anglez pati mbresa të veçanta nga Loni Adami, jo vetëm për faktin se e priti mjaft mirë në shtëpi, por edhe sepse ai i krijoi mundësitë të punojë me të gjitha kushtet që ai dëshironte, duke mos i munguar asgjë, edhe pse në fshehtësi të plotë. Viktor Adami kujton se kur Kemp iku nga shtëpia e tyre, ai la prapa radion e tij ndërlidhëse me komandën në Kajro. Këtë e bëri në besim të plotë, dhe Loni Adami ua ktheu atyre më vonë. Ai tregon se majori vizitohej vetëm nga Lik Toptani që sigurohej për të.
“Këto shërbime të babait për luftën dhe britanikët krijuan një besim të fortë tek ata për babain. Në përfundim të luftës, një nga oficerët anglezë i kërkoi babait tim që të largohej nga Shqipëria dhe këtë mund ta siguronin ata, duke u larguar nga deti. I thanë babait që të shkonte me familjen në plazhin e Divjakës. Mesa duket, britanikët po kuptonin se çfarë do të ndodhte në Shqipëri, por babai im nuk mund ta besonte se komunizmi do të fitonte apo se diktatura do të ishte e këtij niveli”, thotë Viktori. Por, peripecitë e familjes Adami do të vijojnë edhe më tej. Loni do të vdiste në burg nga torturat së bashku me mikun e tij diplomat e deputet, Kolë Kuqali. Bashkëshortja e tij së bashku me dy djemtë e Lonit do të vuanin pasojat e diktaturës deri në rrëzimin e plotë të saj. Fatmirësisht, asaj më vonë iu lejua të punojë si mësuese, pasi kishte mbaruar Institutin “Nëna Mbretëreshë”.
Me rënien e diktaturës në Shqipëri, familja Adami do të vlerësohej me nderime të larta nga amerikanët për shërbimet e tyre. Në mënyrë simboli, bashkëshortja e Lonit ngriti flamurin amerikan në ceremoninë e hapjes së Ambasadës Amerikanë në vitin 1991. Në krah të saj do të ishte edhe diplomati i njohur amerikan Kristofer Hill.
ENVER HOXHA I RRËMBEU MAKINËN LIK TOPTANIT
Lik Toptani ishte një nga pikat kryesore besnike të britanikëve në Shqipëri. Ai do të ishte protagonist në disa momente kyçe të luftës, duke mos dalë kurrë në pamje të parë. Lika kishte studiuar në shkollën “Harri Fulls”, e madje në një klasë me Mehmet Shehun. Ai qysh në rini kishte qenë i pasionuar pas makinave dhe kishte poseduar shumë makina të rralla, të cilat i porosiste në vendet e zhvilluara të Europës. Ai do të mbahej mend për sjelljen e traktorit të parë në Shqipëri, apo edhe për përdorimin e disa makinave luksoze në Tiranë. Njëra prej tyre në fakt u bë edhe makina kryeministrore e Enver Hoxhës.
Pas luftës njerëzit e kreut të komunistëve shqiptarë, do ta sekuestronin dhe do t’ia kalonin në përdorim atij. Familja e Loni Adamit ruan një fotografi të rrallë të bërë nga oficerët anglezë, ku shfaqet Enver Hoxha në makinën e Lik Toptanit duke hyrë nga Rruga e Elbasanit për të festuar çlirimin e Shqipërisë më 28 Nëntor 1944. Makina është e tipit “Alfa Romeo”, njëra nga makinat e preferuara të Toptanit, që u rrëmbye nga komunistët.
Ajo ishte një prototip tepër i rrallë për kohën, sa përbënte zili për shumëkënd, madje edhe krerë shtetesh të cilët dëshironin ta kishin. Ndoshta për këtë arsye, Enver Hoxha përdori këtë veturë si kryeministër për të hyrë në Tiranë, të cilën e përdori edhe më vonë. Pavarësisht çfarë ndodhi e si u soll regjimi me pronarin e saj, Enver Hoxha e bëri pronë të vetën, ashtu sikundër pronësoi mjaft prej pasurive të rralla që posedonin në atë periudhë aristokratët e Tiranës dhe Shqipërisë.
vijon
Marre nga Panorama



Leave a Reply