Me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzikë nga Genti Lako, e fiton këtë Festival të 52-të të këngës në RTSH Herciana Matmuja me këngën “Zemërimi i një nate”. Megjithëse këtë vit juria nuk kishte shumë pika përputhjeje mes anëtarëve të saj, mbledhja e pikëve përfundimtare shkoi për Matmujën, e cila do ta çojë Shqipërinë në “Eurovizion”.
Në vend të dytë u shpall kënga “Me ty”, interpretuar nga Klodian Kaçani, ndërsa vendi i tretë shkoi për këngëtarin Saimir Braho me këngën “Grua”.
Gjatë tri netëve të edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në RTSH u prezantuan 16 këngë. Për shkak të numrit të pakët, të gjitha këngët kaluan në natën finale, ndërkohë që gjatë dy netëve të para, krahas 8 këngëve në garë, u kënduan edhe 8 të tjera. Ishin këngë të nxjerra nga fondi i RTSH-së, që u prezantuan si duete me këngëtarë “Big”, si Rovena Dilo, Eranda Libohova, Elton Deda, Redon Makashi, Altin Goci, Flaka Krelani etj. Gjatë dy netëve të para, gazetari Enkel Demi prezantoi festivalin në shoqërinë e modeleve Xhesika Berberi dhe Marinela Meta, ndërsa mbrëmë, në natën finale, në krah të tij ishte aktorja Klea Huta.
E ftuara speciale e natës finale ishte këngëtarja daneze, Emmelie Charlotte-Victoria de Forest, e cila fitoi Festivalin Europian 2013 me këngën “Only Teardrops”. Një tjetër e ftuar ishte dhe këngëtarja Elhaida Dani, fituese e “The Voice of Italy”, e cila përshëndeti festivalin me këngën “Mijëra vjet”, kompozuar nga Endri Sina, pjesëmarrëse në edicionin e 50-të. Por interpretimi i këngëtares nuk përfundoi me kaq.
Përveç potpurisë së këngëve të vendit të saj, Shkodrës, Elhaida realizoi sërish një interpretim të shkëlqyer të këngës që e bëri të parën e “The Voice” me “Adagio” të Lara Fabian. Juria e këtij Festivali të 52- të të këngës në RTSH ishte e përbërë nga Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Hajg Zaharian, Petrit Malaj, Eriona Rushiti, Xhevahir Spahiu dhe Bojken Lako. Ani Jaupaj
Panorama



Leave a Reply