![]()
Telefonata – Sipas ekspertëve, në momentin që patrulla e parë e policisë rrugore ka shkuar në vendngjarje, zotit Olldashi i është gjetur një telefon në dorë
Biseda – Mësohet se ai po fliste me shoferin e tij, që po e pyeste se ku ndodhej, pasi po e priste deputeti i Qarkut Durrës, Igli Cara, për darkën
Aksidenti – Në këtë moment, dyshohet se Olldashi ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë jashtë rruge. Shoferi ka dëgjuar zhurmën e aksidentit
Mjekët ligjorë
Raporti në prokurori: Po fliste në telefon me shoferin
Ekspertët paraprakisht bëjnë me dije se Olldashi ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës dhe fytyrës
Plagë të rënda ka marrë edhe te këmbët, çka e ka vështirësuar punën e policisë për nxjerrjen e viktimës
Silvana Muça
Sokol Olldashi ka gjetur vdekjen tri minuta pas aksidentit fatal. Plaga në pjesën e kokës ka qenë edhe shkaku që i mori jetën deputetit të Partisë Demokratike, mbrëmjen e së mërkurës, gjatë kohës kur ai ishte duke udhëtuar me automjetin e tij privat. Ky është konkluzioni paraprak i ekspertizës mjekoligjore. Automjeti ka qenë duke ecur nga Elbasani drejt Tiranës. Gjatë gjithë kohës ka qenë duke rënë një rrebesh i madh shiu. Kjo i krijonte vështirësi viktimës në drejtimin e makinës. Errësira në rrugë dhe mungesa e sinjalistikës ia vështirësonte edhe më shumë punën deputetit.
Telefonata me shoferin
Burime të brendshme të Policisë së Tiranës, bëjnë me dije se sapo Olldashi mbërrin në vendin e quajtur Lapidari i Kërrabës, i bie telefoni. Ka qenë shoferi i tij, ai që ka marrë Olldashin, për ta pyetur se ku ndodhej, pasi po e priste së bashku me deputetin e Qarkut të Durrësit, Igli Cara. Ai i përgjigjet duke e sqaruar se ku ndodhej në atë moment dhe se nuk vonohej. Papritur shoferi i tij dëgjon përtej telefonit disa zhurma. Ai e thërret për të disatën herë në telefon, por ishte e kotë, sepse ai nuk mundi të merrte asnjë përgjigje, përveç zhurmave dhe përplasjeve që dëgjonte në sfond. E mbyll telefonin dhe tenton që ta marrë sërish, por askush nuk e hap. Si pasojë e kësaj, shoferi i Olldashit dyshon se mund t’i ketë ndodhur një aksident shefit të tij dhe një gjë të tillë ia komunikon Carës. Ky i fundit njofton sallën operative për aksidentin. Ndërkaq, ekspertët dyshojnë se mungesa e përqendrimit në timon ka bërë që automjeti të dalë jashtë rruge, pasi gomat kanë rrëshqitur prej lagështirës. Ai e ka kuptuar se makina po humbte kontrollin dhe ka tentuar që të manovrojë, për t’u futur sërish në korsinë e rrugës. Pavarësisht përpjekjeve, ka qenë e kotë, sepse makina ka përfunduar poshtë rrugës nacionale, duke rënë në një lartësi rreth 30-40 metra nga krahu i pasagjerit. Makina është përmbysur dhe fakti që Olldashi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit ka bërë që trupi të lëvizë me forcë.
Dëmtimet e shkaktuara
Nga përplasja e madhe, zotit Olldashi i janë shkaktuar edhe plagë serioze, me pasojë vdekjen. Ekspertët paraprakisht bëjnë me dije se Olldashi ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës dhe fytyrës. Si pasojë e goditjeve, të ndjerit i është shpërfytyruar fytyra. Gjithashtu atij i kanë plasur mushkëritë, të cilat prej goditjes së madhe i kanë dalë jashtë funksionit, pas rrokullisjes që automjeti ka bërë në momentin që ka dalë jashtë rrugës. Ekspertët thonë gjithashtu se prej aksidentit, deputeti i PD-së ka pësuar dëmtime në qafë. Plagë të rënda ka marrë edhe te këmbët, çka e ka vështirësuar punën e policisë për nxjerrjen e viktimës jashtë automjetit, të cilat kishin ngelur poshtë sediljes. Para se policia të nxirrte trupin nga automjeti, në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë bërë këqyrjen e kufomës, pozicionin në të cilën kishte rënë e të tjerë. Ky proces ka zgjatur disa orë dhe pasi kjo e fundit përfundoi punën, forcat e policisë ndërhynë për ta çuar trupin në morgun e Spitalit Ushtarak. Specialistët më të mirë të Mjekësisë Ligjorë kanë bërë ekspertimin e viktimës. Trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve pas pesë orësh në Mjekësinë Ligjore. Ekspertiza më e plotë pritet që të dorëzohet pranë organeve kompetente disa ditë më vonë.
Dëshmitë
“Rruga nuk ka as ndriçim, as sinjalistikë. Mendoj se lagështia dhe errësira ia morën jetën deputetit”
Banorët e zonës: Nuk dëgjuam gjë, ishte furtunë
Zona ku ndodhi aksidenti tragjik nuk është mjaft e populluar, ndoshta edhe prej faktit se prej vitesh aty janë ngulur varrezat e fshatit Kërrabë. Askush prej banorëve të zonës nuk e ka parë aksidentin. Ata thonë se mbrëmjen e së mërkurës binte shi i rrëmbyeshëm. Kjo i kishte detyruar ata që të mbylleshin në shtëpi. Zhurma që krijonte furtuna, e mbyste zhurmën e përplasjes së automjetit.
“Unë me familjen time kam qenë në shtëpi kur ndodhi aksidenti. Binte shi i madh dhe herë pas here kishte edhe shkreptima. Prej të ftohtët kishim mbyllur dyer e dritare. Nuk kam dëgjuar asgjë nga aksidenti. Këtu tek ne nuk ka shumë banorë. Në orën 06:00 të pasdites, çdo gjë mbaron. Bie qetësi e madhe sepse të gjithë janë brenda në shtëpi. Rruga nuk ka as ndriçim, as sinjalistikë, asgjë. Mendoj se lagështia dhe errësira ia morën jetën deputetit”, shprehet banori i zonës. Ai thotë se ka dëgjuar vetëm sirenat e makinave të policisë.
“Ka qenë ora nëntë e ca e mbrëmjes. Dëgjova shumë sirena dhe u bëra kureshtar të dija se çfarë kishte ndodhur. Zbrita poshtë dhe pashë që kishin ardhur shumë njerëz. Fillimisht mora vesh se kishte ndodhur një aksident me dy të plagosur. Pastaj më thanë që bëhej fjalë për Sokol Olldashin, i cili kishte vdekur. Në vendin e ngjarjes ishin shumë policë dhe nuk na lejonin që të afroheshim shumë. Nuk arrita ta kuptoj sjelljen e policisë. Qëndrova ca kohë aty dhe pastaj shkova në shtëpi, sepse shiu nuk pushonte”, e mbyll rrëfimin banori i zonës, i cili e ka shtëpinë pak metra larg vendit të ngjarjes.
Banorët thonë se kthesa ku ndodhi aksidenti tragjik është shumë e rrezikshme. Aty kanë ndodhur jo pak aksidente. Ngjarja më e fundit ka ndodhur para një muaji, ku drejtuesi i mjetit pësoi dëme serioze. S.Muça
Gazeta Shqip









Leave a Reply