Ushqim modest për zemër të fortë.
Nëse doni të jetoni më gjatë dhe shëndetshëm, atëherë ushqehuni si aziatikët. Studimet kanë vërtetuar prej disa kohësh se banorët e vendeve si Kina, Japonia, Tailanda, India, Koreja apo Indonezia janë më pak të rrezikuar ndaj sëmundjeve të zemrës, kancerit, apo obezitetit. Më herët, arsyeja nuk ishte shumë e qartë, por pas studimit të parë të kryer në vitin 1983, u zbulua se edukata e ushqimit ishte sekreti i aziatikëve. Studimi ka zbuluar se aziatikët e varfër, të cilët jetojnë në zona rurale dhe ushqehen në mënyrë modeste, janë më të shëndetshëm. Ushqimi i tyre përmban kryesisht prodhime soje, drithëra të pasura me fibra, perime dhe shumë pak produkte mishi apo bulmet. Kjo është arsyeja për jetëgjatësinë. Nivelet e kolesterolit janë të ulëta. Vetëm 15 për qind e aziatikëve janë të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me 40 për qind të amerikanëve.
PIRAMIDA AZIATIKE
Në radhë, nga fillimi drejt fundit, po shpjegojmë piramidën e ushqimit aziatik. Ka shumë metoda për t’i bërë këta përbërës pjesë të rutinës suaj, pa hequr dorë nga tradita personale. Nga ana tjetër, nëse jeni të lodhur nga gatimet e zakonshme, pse të mos eksperimentoni një kulturë të re përmes një libri me gatime kineze?!
DRITHËRAT
Sipas piramidës aziatike, pjesa më e madhe e dietës tënde duhet të përbëhet nga produkte si oriz i parafinuar, misër, miell gruri e drithëra të tjera.
PERIMET
Nga toka apo nga deti, perimet janë një “po” e madhe në dietën aziatike. Spinaqi, sallata jeshile, rrënjët e lotusit, janë disa specialitete kineze.
SOJA
Pjesë përbërëse e qumështit, tofut apo makaronave, soja është mjaft e rëndësishme në këtë dietë. E pasur në fibra, soja ndihmon kundër sëmundjeve të zemrës dhe kancerit.
BISHTAJORET
Kur heq dorë nga produktet e mishit, mund të shqetësohesh mbi sasitë e marra të proteinave. Një zëvendësues mjaft i mirë i proteinave, në sasi të vogla, janë bishtajoret. Bizelet, fasulet apo mashurkat janë të pasura me fibra. Ato duhet të jenë pjesë e të paktën një vakti në ditë. Përveç sojës, të tjera bishtajore tipike aziatike janë edhe thjerrëzat.
ARRA DHE FARAT
Bajamet, kasiuset, lajthitë, arrat, stikat, janë mjaft popullore në gastronominë aziatike. Pjesa më e madhe e tyre shtypen dhe përzien me ujë, duke krijuar atë që quhet “qumësht arrash”. Kjo përzierje përdoret në salca të ndryshme dhe ëmbëlsira. Përpiquni të konsumoni një grusht të vogël me fara të tilla në ditë.
YNDYRNAT
Vetëm sasi të vogla të vajit të kikirikut, susamit, sojës apo misrit, lejohen të merren në ditë.
USHQIMET E DETIT
Edhe pse janë më të shtrenjtë se mishi apo pula, për peshkun dhe prodhimet e detit, ia vlen të shpenzosh. Ato janë të pasura me Omega-3 dhe proteina, por të varfra në kolesterol. Njerëzit që jetojnë në vendet ku prodhimet e detit konsumohen në masë, për shkak të kulturës dhe traditës, kanë nivelet më të ulëta të kolesterolit. Për ta bërë peshkun e shtrenjtë të zgjasë, mësoni të përdorni metodën kineze të gatimit me avull. MISHI Krahasuar me atë perëndimoren, dieta tradicionale kineze ka shumë më pak proteina. Dhe ato proteina që kinezët apo aziatikët konsumojnë, vijnë nga burime bimore, jo nga kafshët. Për të ndihmuar arteriet, disa ekspertë rekomandojë konsumin e mishit të kuq vetëm një herë në muaj dhe atë të vezëve një herë në javë.
BARISHTET
Asnjë plan dietik nuk do të ishte i plotësuar pa barishtet dhe erëzat unike të kësaj kulture. Shumë prej tyre jo vetëm që i shtojnë aromë dhe shije ushqimit, por të tjera, si hudhra, turmenika apo fenugriku, ndihmojnë për zemrën.
RECETË E DIETËS AZIATIKE
“Pulë më arrë kokosi”
Për 2 racione
Koha e përgatitjes: 35 minuta
PËRBËRËSIT:
1 gotë me qumësht arre kokosi
1/4 gote me lëng limoni
2 lugë gjelle me sheqer ngjyrë kafe
1/2 luge e vogël me kripë
250 gramë fileto pule
4 gota me lakër jeshile e prerë
1 gotë me lakër të kuqe të prerë
1 gotë me mashurka të prera
3 lugë të vogla me erëza të ndryshme
2 lugë të vogla me qepë të kuqe në formë erëze
PËRGATITJA:
Ngroh furrën në 200 gradë celsius. Përziej qumështin e arrës së kokosit, lëngun e limonit, sheqerin dhe kripën. Çerekun e kësaj sasie vendosi në një tas dhe lëri mënjanë. Vendosi filetot e pulës në furrë dhe piqi për rreth 20 minuta. Ndërkohë, shto sallatën jeshile, lakrën, mashurkat, erëzat dhe erëzën e qepës së kuqe në tasin ku më herët kishit hedhur përzierjen. Ndajeni këtë masë në dy pjata. Pas pjekjes, fileton e prisni në copa mesatare. Vendosni më pas copat e pulës mbi dy sallatat. Hidhni sipër pak nga lëngu i arrës së kokosit që kishit lënë mënjanë, pra sasinë 1/4.
http://anabel.al



Leave a Reply