“Lufta e tretë Botërore” është teksti që ka fituar konkursin ndërkombëtar të dramës shqipe, “Katarina Josipi” Drama “Lufta e tretë Botërore”, me shifrën “Egoboka” është fituese e konkursit “Katarina Josipi”, që është organizuar për të pestën herë me radhë nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Juria e këtij konkursi ishte e përbërë nga: Ag Apolloni (kryetar), Burbuqe Berisha, Ismet Azemi, Liri Cami dhe Emin Emini. Kjo dramë njëkohësisht do të shpërblehet edhe me 3600 euro.
Në vendin e dytë, fituese doli drama “Fabrika e kukullave”, dhe për shpërblim do të marrë 2410 euro, kurse vendin e tretë e ka fituar drama “Kasetat”, me shifrën “Amadeusi”, dhe do t’i ndahen 1200 euro si shpërblim.
“Sipas rregullores së Teatrit Kombëtar, të gjitha pagesat e konkursit do t’i paguajë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, ka konfirmuar në një konferencë për mediat, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Emin Emini, duke shtuar më tutje, se teksti fitues i çmimit “Katarina Josipi”, njëkohësisht është tekst potencial, i cili do të inskenohet në njërën nga sezonet artistike të Teatrit Kombëtar në kryeqytet, rregullorja nuk e përcakton se në cilin vit do të vihet në skenë. Potencialisht për t’u inskenuar si shfaqje janë edhe dy tekste të tjera të radhitura ndër çmimet kryesore të këtij konkursi.
Katarina Josipi
Këto drama si fituese të konkursit “Katarina Josipi”, nga juria janë cilësuar se kanë pasur një epërsi estetike që janë manifestuar në përmbajtje, formë dhe stil. Ndërkohë, ceremonia e ndarjes së çmimeve kryesore zhvillohet të shtunën, në ora 12:00 në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku pritet të zbulohen edhe emrat e dramaturgëve, që kanë shkruar tekstet fituese.
Nga ana tjetër, tri dramat e përzgjedhura në rrethin e ngushtë ishin edhe “Procesi”, i shifrës “Rks 25”, “E fshehta drithëruese”, shifra “New Year”, dhe “Dashnorët”, shifra “Parisi”. Kryetari i kësaj jurie, Ag Apolloni ka shprehur arsyetimet për ndarjen e tre çmimeve kryesore të Konkursit “Katarin Josipi”.
Për dramën “Lufta e Tretë Botërore”, e përzgjedhur për çmimin e parë për dramën origjinale shqipe, ai ka thënë se: “Në të gjendet një gërshetim i tradicionales me modernen, ku posedon një ballafaqim të mentaliteteve të kundërta dhe një dialogim ironik me traditën e keqkuptuar. Ngjarja e kësaj drame zhvillohet në një vend verior ku pasojat tragjike vijnë nga njohja e cekët e sjelljeve etike. Në krahasim me gjithë dramat tjera konkurrente, kjo dramë është e vetmja që përmbush kriteret e mirëfillta dramaturgjike, duke qenë e këndshme për lexim, atraktive për inskenim dhe e thellë në motivim”. Duke arsyetuar më tutje edhe ndarjen e çmimit të vendit të dytë dhe të tretë për dramën “Fabrika e kukullave” përkatësisht “Kasetat”.
“Drama si fituese e çmimit të dytë është një thurje dramatike për sfidën që i bën njeriut të sotëm zhvillimi teknologjik. Njeriu i rrezikuar nga kukullat është ideja kryesore e kësaj drame, kurse “Kasetat”, ngjarjen bazë e ka një koleksionist të kasetave me këngë të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha. Sipas mendimit tonë, këto tri drama janë kurora e këtij konkursi dhe meritojnë të shpërblehen me çmimet përkatëse”, ka thënë në fund Apolloni për “Kultplus”. Në konkursin “Katarina Josipi” kanë konkurruar 44 tekste të dramave ku në mesin e tyre ka pasur edhe monodrama.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply