Nga Gjeke Gjonlekaj/New York
Ali Podrimja më ishte lutur disa herë të shkruaj për Gjakovën, vendlindjen e tij, ku një gjysmë shekulli më parë kisha filluar mësimet e para në gjimnazin e atij qyteti. Në vendlindjen time flitej shumë për Rrafshin e Dukagjinit. Të moshuarit, Kosovën e quanin Dheu i Përpjetës ose Rrafshi i pas bjeshkës. Fjala ishte për Bjeshkët e Namuna. Disa të tjerë e quanin Nahia e Dukagjinit. Atje flitej shumë për Gjakovën dhe trimëritë e këtij qyteti dhe të malësive përrreth. Në këngët epike maje krahu rapsodët evokonin këngën e kushtrimit “thuaj Gjakovës çou e del”. Në Malësinë tonë flitej shumë për Pejën, por edhe më shumë për Prizrenin.

Qysh në fëmijëri kisha dëgjuar për pasuritë natyrore të atij Rrafshi të artë. Pedagogët e shkollës sime kishin mësuar ne Kosovë. Pasi mbarova gjysmëmaturën fillova mësimet në gjimnazin e Podgoricës në gjuhën serbo-kroate, që për mua ishte pengesë e pakapërcyeshme për të vazhduar. Në atë gjimnaz u njoha me Gjeto Vukpalaj nga Shqipëria dhe, si shqiptar që ishte, i tregova për vështirësitë e mia. Shko në Kosovë, tha Gjeto. Më dha emrin e disa përsonaliteteve të njohura në Kosovë, bile edhe të publicistit të njohur Gjeto Lekës. Pas disa ditësh u nisa për në Kosovë me autobusin e Ndërmarrjes ”Tara”, të Malit të Zi. Kaluam nëpër luginën shkëmbore të Moraçës dhe nëpër disa pjesë tjera të atij vendi derisa arritëm në Qafë të Çakorrit, prej ku pash për herë të parë Rrafshin e Dukagjinit. Pas një pushimi të shkurtër në atë majë të lartë dhe të ftohtë u nisem thikë teposhtë nëpër leqet e Grykës së Rugovës. Atë ditë vura re urrejtjen e madhe sllave ndaj shqiptarëve, sepse serbo-malazezi që ngiste autobusin ishte treguar shumë i kujdeshëm me udhetarët e rrugëve nëpër Mal të Zi, duke u dhënë përparësi në kthesa të rrezikshme.
Por me të arritur në Grykë të Rugovës shoferit i ndryshoi çehrja, u bë kapadai kundër shqiptarëve, sidomos kundër atyre që udhëtonin me qerrre e kuaj. Në vend që t’u bënte vend për të kaluar ato kthesa të rrezikshme, ky faqezi i provokonte. Ne kishim frikë për ndonjë fatkeqësi të mundshme. Nëpër rrugët e Malit te Zi ishte plot shend e verë, por me të hyrë në trevat shqiptare u bë si korb, duke sharë Zot e diell.
Më në fund arritëm në Pejë të raskapitur nga rruga e gjatë. U lodhëm edhe më shumë nga poshtrimet e atij shovinisti. Kisha dëgjuar edhe më përpara për llahtaritë serbo-malazeze në Kosovë, që atë ditë i përjetova për herë të parë. Nga Peja u nisëm për në Gjakovë, por me një autobus tjetër dhe me një shofer shqiptar. Kaluam nëpër Rrafshin e mrekullueshëm të Dukagjinit dhe arritëm në qytetin ku mbretëronte një qetësi e vertetë. Gjakova kishte dy rrugë të mëdha, njëra të çonte në Prizren dhe rruga tjetër te Ura e Tabakëve. Pranë rrugës që të çonte në Çabrat ishte varri i Mehmet Ali Pash Maxharit, ndërsa në krahun e majtë të Urës së Tabakëve ishin varret e Ali Binakut dhe Abdyllah Hoxhës. Në rrugën kryesore të Gjakovës ishin dy–tri pallate të mëdha banimi. Gjimnazi ishte në krahun e majtë, në fund të Parkut kryesor të qytetit.
Të nesërmen u paraqita në “Hajdar Dush” te Drejtori i gjimnazit Profesor Ekrem Murtezai. Ai më çoi në zyrën e Sekretarit për formalitetet e duhura të regjistrimit. Në shkollat e mesme të Gjakovës gjeta shumë nxënës nga Malësia dhe viset e tjera shqiptare në Mal të Zi. Aty jepnin mësim profesorë dhe pedagogë të njohur, që më vonë kontribuan në themelimin e Universitetit të Prishtinës. Shumica e gjimnazistëve ishin qytetarë, të përgatitur në arte dhe në sporte të ndryshme. Nxënësit e qytetit i kishin kushtet e jetesës më të mira, ne vuanim edhe për bukë dhe gjëra elementare dhe bënim jetë të varfër. Shumica e profesorëve ishin qytetarë. Ata ishin shumë të kujdeshëm dhe i kuptonin vështirësitë tona. Në shoqëri gjakovarët ishin shumë të qytetëruar, ndërsa në jetën private ishin të mbyllur.
Gjakova kishte disa mahalla të njohura, bile ekzistonte një lloj rivaliteti midis tyre. Shtëpitë ishin të rrethuara me mure të larta dhe, kur hapej dera, binte një këmbanë që tregonte se dikush kishte hyrë në oborr. Brenda atyre shtëpive ata bënin jetë alla-turke, ndërsa në qytet, në shkollë dhe kudo ishin qytetarë modern, shumë të kujdesshëm ndaj pakicave, qofshin ato fetare ose kombëtare. Për çështje fetare nuk flitej kurrë. Të gjithë gëzonin barazi dhe respekt pa dallime fetare. Gjakovarët ishin shumë të kujdesshëm dhe të ndjeshëm ndaj pakicave, çfardo qofshin ato. Përkundrazi, pakicat ishin të privilegjuara, gjë që ishte normë e përgjithshme në traditën shqiptare. Profesorët, sidomos ata të gjuhës dhe letërisisë shqipe, ishin edhe më shumë atdhetarë. Flisnin me shumë dashuri e respekt për shkrimtarët dhe poetët shqiptarë. Të tillë ishin Besim Bokshi, Prenkë Karaci dhe Mehmet Surdulli. Në sytë e tyre shkëlqente dashuria e zjarrtë për kulturën kombëtare. Profesor Besim Bokshin e kujtoj gjithëmone për metodat e tij pedagogjike të veçanta dhe njerëzore. Ai të jepte notë të mirë edhe kur të gjente të papërgatitur, por me kusht për radhën tjetër. Deri atëherë më keni borxh notën e mire, thoshte Besimi.
Drejtori Ekrem Murtezai, që ishte edhe profesor, njihej për aftësi, por ishte tepër i ashpër, kështu kishte qenë edhe Masar Rizvanolli e Mazllom Cana. Disa të tjerë ishin më të butë, si për shembull Nazmi Pula, Muhamet Rizvanolli, Xhevdet Koshi dhe Enver Hadri i ndjerë, i cili u vra në Belgjikë për çështjen shqiptare. Në këtë kolegjum bënin pjesë edhe dy zonja shqiptare: Mazade Bakalli dhe Lirie Barku. Fatkeqësisht Liria vdiq shumë e re, në vitet ’70. Për vdekjen e saj mësova këtu në Amerikë dhe e përjetova rëndë. Nga kuadrot e fundit të atij gjimnazi kujtoj edhe Profesor Avdyl Osmanin e ndjerë.
Gjakova ishte shumë aktive në jetën shoqërore, politike dhe kulturore. Më 29 nëntor të vitit 1963 në Gjakovë u mbajt një miting popullor në qendër të qytetit. Aty morën pjesë shumë përsonalitete politike të Kosovës. Fjalimin e rastit e mbajti Veli Deva. Ai foli gjërsisht për të arriturat e politikës jugosllave dhe për barazitë nacionale, duke sulmuar ashpër politikën fashiste antijugosllave të Kolë Bibë Mirakës, Muharem Bajraktarit dhe Gjon Marka Gjonit. Nuk e dija pse, por emrin e tyre nuk e harrova kurrë dhe, pas disa vjetësh, në Amerikë u bëra mik me familjarët e Kolës, Muharemit dhe të Kapedanit të Mirditës.
Gjakova ishte vatër atdhetarësh. Gjakovarët e shikonin Shqipërinë si një vend të shenjtë. Dashuria për Shqipërinë tregohej në shumë manifestime, sidomos në mitingjet tradicionale të poezisë. Në ato orë letrare recitonin vargje poetët më të mirë të Kosovës. Edhe gjuha shqipe, mbase flitej më mirë se kudo tjetër në Kosovë. Deri në vitin 1966, kur u dëbua nga pushteti Aleksandër Rankoviqi, ata ishin të matur dhe të kujdeshëm. Në atë kohë Internati i Shkollave të Mesme kishte vetëm një radio-aparat ku mund të dëgjonim Radio-Prishtinën dhe ato jugosllave. Por në Gjakovë dëgjohej shumë mirë Radio-Kukësi dhe ne gëzonim shumë nga këngët folklorike me çifteli. Drejtori i Internatit, Haki Rraci, zemrohej shumë kur dëgjonim “Radio-Kukësin ose Radio-Tiranën”. Tekstet shkollore të gjuhës dhe letërsisë shqipe ishin tepër të varfëra. Në fund të vitit 66 u botuan disa vepra të poetëve nga Shqipëria. U botua Naim Frashëri, Fan Noli, Migjeni, Ndre Mjeda, Filip Shiroka dhe disa të tjerë. Ato libra u vendosën në disa vitrina të librarive të Gjakovës dhe ne i shikonim ato vepra dhe portretet e tyre si të shenjta.
Shqipëria në publik mund të përmendej vetëm për vepra të keqia. Historia e Shqipërisë në gjimnazin tonë ishte rreptësisht e ndaluar. Gjuhën, letërsinë dhe historinë jugosllave i kishim lëndë të detyruara. Ato ishin lëndë të vështira dhe tepër bajate, siç ishte edhe marksizëm-leninizmi. Mësimi i këtyre lëndëve ishte torturë shpirtërore. Shumica e profesorëve ishin dakord me ne, por nuk bënin zë, sepse kishin frikë pushtetin. Ne ishim në dijeni për dënimet e rënda me burg të Adem Demaçit, Kadri Kusarit dhe Teki Dervishit. Për dënimin e tyre flitej kudo, por në heshtje. Skuadra futbolistike “Vëllazënimi” i Gjakovës ishte shumë e njohur në Kosovë dhe më gjerë. Klasa jonë ishte e privilegjuar sepse nxënësi i klasës sonë, Luan Vokshi, luante për këtë ekip. Gjakovarët ishin të dalluar në shumë sporte, bile Ali Podrimja kishte qenë për shumë vjet kampion i hedhjeve nga Ura e Shenjtë. Për këto ekzibicione ishte i përmendur edhe në Mal të Zi. Malazezët pyesnin, tregonte Aliu: “Kur do të vijë ai shqiptari i marrë që kërcen nga shkëmbijtë bregdetarë në Adriatik”? (Kad qe doqi onaj lludi shiptar….) Burrat dhe gratë e Gjakovës ishin shumë pedantë dhe kjo elegancë shihej nëpër manifestime të ndryshme, sidomos në korzot e mbrëmjes. Ndonjëherë mund të kishin probleme me disa katundarë, siç i quanin ata. Ishin një shoqëri tipike hebraike. Ata kishin lidhje familjare kudo në Ballkan dhe më gjërë. Ishin tregtarë profesionistë dhe furnizues të shkëlqyer për tregjet e Gjakovës, që më vonë u bë ndoshta qendra kryesore industriale e Kosovës.
Gjakova kishte më shumë politikanë në Beograd se asnjë qytet ose krahinë tjetër e Kosovës. Kishte edhe gjuhëtarë e dijetarë të dalluar. Gjakovarët u shquan për të mirë kudo, sidomos në Shqipëri.
Ata e pësuan rëndë edhe gjatë Luftës në Kosovë. Gjakova dhe krahinat përrreth u vranë e u masakruan barbarisht nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Sot e përgjithëmonë e kujtoj me dhimbje shokun tim të klasës Bashkim Domin, i cili ishte vrarë gjatë Luftës në vitin 1999 dhe nuk e di nëse është gjetur akoma varri i tij. Tmerret e Kosovës i kam përjetuar rëndë, por tragjedinë e Gjakovës e kam përjetuar edhe më rëndë, sepse atje kisha kaluar shumë ditë të lumtura.
Kosovën dhe Gjakovën i vizitova në vitin 2000, për herë të parë pas 25 vjetësh dhe përjetova mbase ditët më të lumtura të jetës, sepse e gjeta Kosovën të lirë nga pushtimi serbo-jugosllav. Por njëkohësisht u pikëllova kur pash gjithë ato varre e rrënime. Ato ditë vizitova gjimnazin tim dhe shumë lagje të rrënuara të atij qyteti historik, që dha aq shumë për çështjen shqiptare.
U bë një gjysmë shekulli qysh e preka për herë të parë atë Rrafsh legjendar, atë Kaliforni të dytë që nuk e harrova asnjë çast. Me këtë shenim modest realizova dëshirën time të vogël, por edhe amanetin e mikut tim në amshim , Ali Podrimes.
www.albdreams.net
Per”Alba – Dansk” Shkodran




Leave a Reply