•Jak Mandrea, kapiteni i një prej 4 nëndetëseve shqiptare, rrëfen jetesën në det dhe sakrificat: Ishte njëlloj si të jetoje e punoje me vdekjen
Mark Brunga
Disa vite pas largimit dhe pas ndarjes me ish-Bashkimin Sovjetik, Brigada e Nëndetëseve Shqiptare, që përbëhej nga 4 mjete lufte, po kalon-te një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së saj. Sipas komandantit të njërës prej këtyre nëndetëseve, Jak Mandrea, problemet teknike zinin vendin e parë. Ato shkaktonin vështirësi të mëdha dhe mungesa e pjesëve të këmbimit, e kryesisht e baterive akumulatore pa të cilat nuk lundrohej, ishin disa nga çështjet më urgjente. Nga ana tjetër kishte edhe mungesë përvoje nga ana e kuadrit drejtues pasi ishin shumë të rinj. Mosha mesatare e 4 komandantëve të nëndetëseve nuk i kalonte 27 vitet dhe kjo ishte një gjë e pazakontë për çdo vend që dispononte mjete të tilla lufte. Në këtë periudhë në vendin tonë po përjetohej edhe influenca e Revolucionit Kulturor Kinez dhe kjo sidomos në fushën ekonomike të kursimeve, ku u dol me parullën: “Ta bëjmë ushtrinë sa më pak të kushtueshme”! Në këto vite krijonim dhe ekonomi ndihmëse që spikaste në hapje tokash të reja, zënie peshku, punime operative, hapje tunelesh dhe deri në mbajtjen dhe mbarështimin e derrave. Për këtë, çdo ekuipazh nëndetëseje kishte edhe maternitetin e tyre. Këto ngjallnin interes, por nga ana tjetër bënin që t’i kushtohej më pak kujdes nga sa kërkohej teknikës dhe armatimit të nëndetëseve. Në atë periudhë, thekson Jak Mandrea, lundrimet ishin të kufizuara, jo vetëm në kohë, por edhe me elementë, për arsye të gjendjes teknike e cila krijonte pasiguri. Duke u nisur nga kjo gjendje, komandanti i Flotës Luftarake Detare, Abdi Mati, një ushtarak vizionar dhe mjaft skrupuloz, bëri që të kalohen shumë vështirësi dhe për këtë kishte urdhëruar që të mos kalohej kufiri i zhytjeve nënujëse deri në 30/m thellësi. Kjo edhe për faktin se ekzistonin informacione se sovjetikët mund të kishin bërë sabotime në agregatet kryesore të nëndetëseve.
Ekspertët kinezë zbulojnë sabotimet
Ky informacion u vërtetua gjatë remontit të mesëm që i u bë nëndetëseve në vitet 1965-‘67 nga specialistët kinezë. Në atë periudhë, kujton ish-kapiteni Jak Mandrea, ai komandonte nëndetësen dytë së bashku me komisarin Skënder Doçi. Së bashku me kinezët u punua me përkushtim e disiplinë për t’u bërë mjeteve të çmuara nënujëse, jo vetëm një riparim sa më cilësor, por edhe kontrollin e hollësishëm të sipërfaqes së trupit kryesor të mjeteve. Si rezultat u arrit që të konstatohej sabotimi i qëllimshëm. Në lokalin e motorëve u gjend një vrimë e krijuar mbi trupin kryesor me një solucion të fuqishëm. Çdo zhytje e nënujshme mbi 30/m thellësi, do të krijonte një çarje të konstruktit që do të pasonte me avari të pashmangshme, me finale tragjike. I njëjti “zbulim” ndodhi edhe me pas në remontin e 2 nëndetëseve të tjera. Pas remontit të mesëm që bëmë me specialistët kinezë, u bënë edhe provat në lundrim mbi ujë si dhe nën ujë dhe u kontrolluan funksionimi i të gjitha mekanizmave sipas të gjitha parametrave të cilat rezultuan mjaft të rregullta në provën finale. Zhytja e nëndetëses arriti në 138 metra thellësi maksimale. Kjo forcoi bindjen se tashmë nëndetësja ishte e aftë që të bënte çdo detyrë luftarake për të cilën ishte e destinuar. Daljen e nëndetëses nga thellësia, pas 14 orësh lundrimi, e festuam me thyerjen e disa shisheve vere në bordin e saj. Festa u shoqërua me përqafime të shumta e lot gëzimi. Duhej që të ishit në atë kohe që ta kuptonit siç duhet se sa emocionuese ishin ato minuta të paharrueshme për atë brez ushtarak sakrificash të papërsëritshëm… Pas kësaj dite filluan stërvitjet sipas programeve të veçanta, duke filluar nga elementet me të thjeshtë deri tek më të ndërlikuarat. Stërvitjet erdhën duke u vështirësuar gradualisht si lundrime me lundrueshmëri negative, diferencë, zhytje të shpejta dhe për të shkuar deri tek lundrimet nënujore disa ditore. Komanda eprore, duke u nisur nga gjendja e paraqitur në stërvitje pas riparimeve të kryera nga specialistët kinezë, krijoi men-dim mjaft pozitiv për cilësinë e teknikes dhe të përgatitjes prandaj u planifikuan stërvitje të tjera me elemente mjaft të vështirë, sa më afër kushteve të luftës
Analizat
Pas mbërritjes në bazë, mbi nëndetëse është bërë një kontroll më i vëmendshëm, por dëmet e shkaktuara nga përplasja ishin të papërfillshme për gatishmërinë luftarake të sajë. Por duke qenë se në atë periudhë këto raste cilësoheshin si tepër të rënda filluan edhe analizat. Në Bazën e nënujëseve arritën ekipe të përberë nga prokuroria, drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe instruktorët nga KQ i PPSH. Sipas Mandreas, u bënë analiza profesionale dhe u nxorën mësime serioze, sepse me nëndetëset jetohet gjithnjë me ngjarjet dhe rrezikun. Jaku në shënimet e veta ka detajuar se pas kësaj ngjarje ai ka shërbyer edhe 7 vite të tjera në këtë nëndetëse si komandant i saj. Por ai e ka ndjere thellë përgjegjësinë e ngjarjes dhe për këtë shkruan: “Edhe sot kur jam afro 80 vjeç, kam bind-jen se ajo ngjarje e tronditi thellë ndërgjegjen time dhe më bëri që të mendoj pa eufori e mendjemadhësi, se në çaste që ke arritur majat dhe di gjithçka duhet pasur kujdes se realisht di shume pak ose aspak”. Kjo më bëri, – thekson Kapiteni Mandrea, – që më pas të realizoja detyra shumë më të ndërlikuara luftarake dhe të mos kisha më as ngjarjen më të vogël në nëndetëse gjatë 7 viteve në vazhdim. Dhe për këtë jam ndjerë mirë para vetes dhe shokëve…”
Lundrimi 5-ditor në ujë dhe aksidenti
Pasi ishin përfunduar të gjitha riparimet dhe stërvitjet, u planifikua një stërvitje pesë di-tore e gjitha nën ujë. Ajo ishte ideuar që të bëhej e gjitha në ujërat tona, në detin Jon, në perëndim të Gadishullit te Karaburunit. Sipas kujtimeve të kapiten Jakut, tre ditët e para të lundrimit stërvitor shkuan mjaft mirë. Bashkë me komisarin, Skënder Doçin, për efekt fshehtësie, u vendos që të mos përdorej asnjë mjet që do të dekonspironte punën. Kështu do të lundronin në thellësinë 60-80 metra vetëm me llogaritje. Por jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve. Lundrimi me nëndetëse i ka të mëdha edhe rreziqet e papritura. Shkurt, të jetoje në nëndetëse ishte njëlloj si të jetoje dhe punoje me vdekjen pranë. “Më 15 shkurt 1966 kishim lundruar gjithë natën nën ujë në thellësi të ndryshme. Me shpejtësi 2-4 milje dhe me regjimin PDN (punë e diezelit me naftë, nën ujë në thellësinë 10 m), një lundrim ky i vështirë, sidomos kur ka dallgë. Me këtë sistem nëndetësja ka dy vrima të hapura: hyrja për marrjen e ajrit dhe tjetra për nxjerrjen e gazrave. Por ndonjëherë fati bën të veten. Për arsye të dallgëzimit e hoqëm këtë sistem dhe kaluam në nëndetësen plotësisht nën ujë (hermetike). Për arsye teknike të bllokimit të një aparati dhe mos kuptimit për mungesë përvoje nga ana e timonierit N/D–ja gjatë lundrimit për një kohë të gjatë nën ujë, ishte spostuar 15 milje në lindje dhe afër Karaburunit ku thellësia e detit ishte rreth 70-80 m” – tregon Jaku. Çastet dramatike që kaluan nën tension, kapiteni i nëndetëses Mandrea i kujton kësh-tu: “Isha në PQ (Postin Qendror). Ora ishte 05.00 e mëngjesit. Po ndiqja me vëmendje të gjithë lundrimin, kur papritur kryeshturmani, i ndjeri Vasil Palodhi me thotë: “Komandant. Yjet duken shumë poshtë, afër majës së Karaburunit!” Po nuk arrita që ta ndjek ketë fenomen sepse u ndje një goditje e fuqishme në bash të Nëndetëses dhe ajo filloi të zhytej ngadalë. Mori diferentin menjëherë në kiç 17 – 21 gradë. Pozicion mjaft i rrezikshëm. Me shpejtësi komandova për të ndaluar zhytjen dhe zvogëlova diferentin kjo brenda 30”- 40” dhe falë fatit nëndetësja m’u bind. Në PQ mbretëroi heshtje varri. Më pas u dëgjuan thirrjet: “Komandant na shpëto! Po mbytemi!” Ishte thirrja e një marinari që nuk kishte më shumë se një muaj shërbim në nëndetëse. Ai e përjetoi mjaft rëndë këtë çast sa që i dha edhe efekte psikologjike. Në anën e djathtë i ishin thinjur tërësisht flokët, po nuk e vumë re për momentin pasi ishte i qethur zero. Kryeinxhinieri i nëndetëses, i ndjeri Kujtim Peçi, i thotë kapitenit Mandreas se mjeti luftarak qëndron-te dhe nuk zhytej, pasi kishte ndaluar në thellësinë 3 m dhe se diferenti nuk lëvizte por kishte mbetur në 7 gradë. I bindur se ngjarja këtu kishte përfunduar, Mandrea hap me shpejtësi ka-pakun dhe del në urën e komandimit. Së bashku me komisarin Skënderin që e shoqëroi, ata panë se nëndetësja ishte ngulur me bash si një gozhdë mes shkëmbinjve të Karaburunit. Rreth kësaj situate kritike, Jaku kujton: “Vendosëm që t’i drejtoheshim eksperiencës së marangozit duke përdoru-ar motorët si sqepar. Punuam me to djathtas dhe majtas dhe falë kësaj përvoje të re gjithçka funksionoi për mrekulli duke e shkëputur mjetin nga shkëmbi. Diferenti u zhduk. Qëndruam pa probleme mbi ujë”. Pas kësaj në mjet është bërë kontrolli nëpër lokale deri sa u binden se asgjë serioze nuk kishte ndodhur, raportuan ngjarjen në Komandën Eprore dhe u nisën drejt Bazës Ushtarako-Detare. “U kthyem në bazë me koke ulur dhe të turpëruar për ç’ka kishte ndodhur”, thotë Mandrea.
1957, në Shqipëri një brigadë nëndetësesh
Në ditët e fundit të nëntorit 1957, u bë ceremonia e përurimit të Brigadës së parë të Nëndetëseve. Fillimisht, foli gjeneral Nexhip Vinçani, në atë kohë komandant i Mbrojtjes Bregdetare, i cili u ndal shkurtazi mbi rëndësinë e brigadës së sapoformuar dhe rolin e saj në shtimin e afërsisë mbrojtëse të vendit. Në vijim, admirali Abdi Mati, komandant i Flotës Luftarako-Detare, lexoi urdhrin e ministrit të Mbrojtjes për krijimin e Brigadës së Nëndetëseve dhe listën me emrat e kuadrove komanduese të shtabit të njësisë së bashku me ekuipazhet e nëndetëseve. Kështu, komandant i Brigadës së Nëndetëseve u emërua Xhemal Shani, Mihallaq File u caktua shef lundrimi dhe Skënder Spahivogli shef i degës elektromekanike. Ndërkaq, u emëruan edhe ekuipazhet e katër nëndetëseve. Detyrën e komandantit të nëndetëses së parë e mori Dashamir Ohri, të nëndetëses së dytë Muharrem Lulolli të nëndetëses së tretë Spiro Kote dhe të nëndetëses së katërt Shyqyri Çukaj.
“Whiskej” ose “Projektit C 613”
Nëndetëset që përdori ushtria shqiptare kanë qenë projektit C 613 prodhim sovjetik i vitit 1954. Ato kanë qenë mjaft interesante pasi koncepti i këtij klasi nëndetësesh koduar si “Whiskej”, kishte lidhje të drejtpërdrejtë me nëndetëset gjermane të Luftës së II Botërore. Jak Mandrea ka theksuar në kujtimet e veta edhe faktin e njohur se nëndetësja ka qenë në shërbimin e Flotës Luftarake Detare Shqiptare deri në vitin 1999. Kjo lloj nëndetëseje është një tip shumë i rrallë, pasi gjithnjë duke i u referuar edhe literaturës shkencore, nga ky tip janë prodhuar gjithsej 260 copë.
Komandatët e nëndetëseve
Komandantët e nëndetëseve kanë qenë: Beqir Gerbi, Spiro Kote, Dashamir Ohri, Muharrem Lulolli, Skënder Doçi, Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Besnik Rizvani, Tasim Meçe, Fitim Halili, Ferdinant Myzeqari, Jak Mandrea, Çapajev Smokthina, Anastas Milo, Bardhyl Nika, Ethem Hamzaraj, Vladimir Bajramaj, Bashkim Kryeziu, Agim Breçani, Mitat Islami, Kristaq Gerveni, Bektash Petoshati, Ilir Mançe, Fitim Halili.
Baza më e fortifikuar e Mesdheut
Në fillim të vitit 1960, bazës së Pashalimanit, respektivisht Brigadës së Nëndetëseve të vendosur aty, iu shtuan edhe 8 nëndetëse të tjera, po të projektit C 613 së bashku me bazën lundruese “Katjelnikov”. Kësisoj, brigada e nëndetëseve u kompletua me 12 anije të tilla të tonazhit të mesëm dhe dy baza lundruese. Ajo e kishte vartësinë nga Komanda e Flotës Detare të Detit të Zi, e cila asokohe komandohej nga admirali Kasa- tanov. Ndërkohë në ishullin e Sazanit ishin akustuar 8 Gjuajtës të Mëdhenj Luftarak. E gjitha përbërja e bazës, ku futeshin dhe Dragaminat e mëdha dhe ato të vogla, e bënin atë si bazën më të fuqishme Ushtarako Detare të Mesdheut.
Riparimi i teknikës luftarake
Prishja me BS solli një pjesë të kolapsit në furnizimin me armatime të ushtrisë Shqiptare. Por kjo nuk do të zgjaste shumë. I menjëhershme do të ishte konkretizimi i ndihmës kineze. Pikërisht viti 1965 do të ishte dhe viti i fillimit të punimeve për ndërtimin e Kantierit të Riparimit të Anijeve të flotës, ky objekt që për specialistët e Flotës Luftarake Detare ishte mjaft i rëndësishëm. Për këtë nga Kina erdhi një grup i madh specialistësh. Ata me vete sollën nëpërmjet detit pajisjet, pjesët e ndërrimit, disa makineri dhe agregate midis tyre dhe një vinç 16 tonësh.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply