Nga Ben Andoni
“Kam pas nderin-shkruante dikur-me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim De Rada. Tue u gjetë përpara t’amblit kangatar të ‘Milosaut’, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zanin e tij të fikët, qi bahej ma i plotë.., e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkëlqeshin, tue përmendë Shqipnin, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë qi punoi sa e sa kohë për Atdhe…!” Është e çuditshme, por ky njeri ka ngjallur gjithnjë mëri. Përveç kohës së nderimit të vërtetë në komunizëm, ky personazh i jashtëzakonshëm gjithnjë ka pasur probleme. Megjithatë, kjo letër e dalë nga dora e Luigj Gurakuqit, lindur më 20 shkurt të vitit 1879, tregon shumë për shpirtin e tij.
Anipse, këto mesazhe nuk shkojnë me ato që i veshin në kundërshtarët. Ata s’do të kënaqen dhe me veprimin më monstruoz që bëjnë duke bindur më 25 Mars 1925, të kushëririn e parë që ta vrasë në pabesi. Koha do nxjerrë se njerëzit e Zogut e kanë ndjekur hap pas hapi. Çatin Saraçi, konsulli shqiptar miku i Zogut i di çdo lëvizje. Kur të prishet me Mbretin, do t’i rrëfejë të gjitha në një libër. Megjithatë në morg, Gurakuqi i zhgënjen të këqijtë. Dokumenti që përcakton kufomën e tij është krejt i thatë. Është i mbathur aq thjesht, saç mund të jetë një i varfër dhe me aq para me vete sa të mos hante dot as dhe një vakt bukë. Një nga pinjollët e tij, regjisori i ndjerë Luigj Gurakuqi, do të thoshte se madje edhe ndërresat, që i gjetën të nderit në trup ishin t’andrruara. Këto janë pak për të përmbledhur një figurë, me një jetë aq të dendur sa e tija.
Të mendosh se në të gjallë e kanë etiketuar si hajdut, sherrxhi, karrierist, feminist e kushedi sa fjalë të tjera, të denja vetëm për mëri makute shqiptarësh. Ata që e kanë ndjekur figurën e tij tregojnë vërtetë për një lidhje intime, pjesë e të cilës është një epistolar të mrekullueshëm. Një mikja e tij italiane i lutet të shkonte në Itali, e të kalonte jetën në kushte të tjera, por ai kërkon një vend tjetër që e meriton. Me sa duket, synimi i tij për të pasur një vend në politikën kaotike shqiptare, ishte më e fortë se çdo lloj grishje tjetër. Dhe, në fakt, kjo e ka një justifikim: do të shlyejë nderimin që i kanë bërë. Tregojnë se kur vjen në Shkodër më 1908 në Parrucë, i shmprehin kuajt dhe ia bartin karrocën deri në shtëpi t’vet në shenjë nderimi. Atëbotë është 29 vjeçar, por namin e ka shumë më të madh sesa vitet e tij. Shkodra e adhuron. “Në nji moshë faret të re, njizet vjeç, hyni pjestar i Shoqnis Letraro ‘Bashkimi’, themelue në Shkodër prej Abatit të Mirditës, Emzot Prenk Doçi, burrë i dijtun e luftar i njoftun i liris arbnore”, do të shkruajë Gjon Kamsi. Se kush është vërtetë, e tregon kur përfaqëson Shkodrën dhe Shqiptarët e Italisë në Kongresin Kombëtar të Alfabetit, që u mbajt në Manastir më 10 nëntor të vitit 1908. Kontributi i tij është i madh dhe është njeriu kyç, i cili ndihmon konsensusin e një alfabeti të vetëm kombëtar, nga moria e alfabeteve të ndryshme e të shumnduershme, me të cilat shkruhej deri më atëherë gjuha shqipe.
Ndryshe
Por, një njeri që e njeh më nga afër dhe që kanë ndarë kohë në Stamboll dhe më pas në Durrës në kohën e Princ Vidit, Sejfi Vllamasi do tregojë një anë tjetër. “Në një mbledhje publike, që u bë në një shesh të Durrësit për të diskutuar mbi fate të vendit, kur Gurakuqi ishte dukë shfaqur një mendim, papritmas Faik Konica ia kthen: ‘Kështu ke marrë urdhër nga Konsullata Italiane?”’. Gurakuqi ia kthen me fjalën i poshtër kurse Faiku reagon fizikisht. Vllamasi hedh dritë dhe për një marrëdhënie të tij me Çerçiz Topullin para Lulishtes Popullore, “në kulmin e mizerit për herë të fundit i kërkoi Gurakuqit 6 lirat turke, që ia kishte dhënë në Selanik në kohën e xhonturqve, por Gurakuqi në atë kohë, në gjendje që mund t’ia jepte, refuzoi sërish t’ia jepte”. Biografët e tij nuk na ndihmojnë me panegjirizmin e tyre. Të dy këto figura do arrestohen nga ushtria e Malit të Zi më 15 korrik të vitit 1915 nga ushtria e gjeneralit Veshoviç. Luigji bashkë me Preng Pashën, Aqif Pashën, Sotir Pecin dhe Eshref Frashërin, kurse Çerçiz Topulli me Muço Qullin. Personazhi ynë do qetësohet më 17 janar 1916, kur në Shkodër vjen fuqia austriake. Austria formon një administratë qendrore me drejtori të financave, të arsimit dhe drejtësisë, ku Luigj Gurakuqi emërohet një nga drejtorët. Luigji ngrihet në politikën kaotike të vendit, ndërsa i duhet të përfaqësojë Shqipërinë, që në Konferencë ka pafund grupe. “Pjesa që udhëhiqej nga Turhan Pasha, shpirti i së cilës ishte Luigj Gurakuqi, ndiqte një politikë proteksioniste për proteksionin e Italisë ndërsa Konica dhe Turtulli janë për politikë kombëtare”, shkruan Vllamasi. Është kaq e egër kjo luftë dhe me kaq pakuptim saqë një patriot i njohur, Fuat Dibra, që ka harxhuar shumë para, në një letër që i dërgon Hasan efendi Bekteshit në muajt e parë të vitit 1919, e akuzon rëndë Luigj Gurakuqin si përgjegjës për politikën pro italiane që ndiqej nga qeveria e asaj kohe: “Zoti, këtë njeri të mallkuar e ka krijuar për të zezën e këtij vendi”, e citon atë Vllamasi…Problemet vazhdojnë me zgjedhjet në Shkodër dhe mbështetjen që i bën kleri katolik Luigj Gurakuqit. Ky i fundit, Fishta dhe Mustafa Kruja vendosin për Partinë Përparimtare, ndërsa më 7 dhjetor të vitit 1921 Gurakuqi është ministër i brendshëm në qeverinë e Prishtinës. Një vit më vonë pretendohet që t’i bëhet atentat, ndërsa Luigj Gurakuqi del kundër Partisë Popullore, që inkurajon Shoqërinë Britanike dhe mbron gati hapur interesin italian. Për Vllamasin është e saktë se ai ishte një sekretar i mirë dhe një njeri i jashtëzakonshëm në sjellje, por kurrë s’mund të jetë një burrë shteti. “Ai i shmangej përgjegjësisë direkte që është cilësia më kryesore e një burri shteti”, shkruan Vllamasi. Është tragjike jeta e tij, por më shumë e vendit ku do të kalojë jetën. E shikon se arsyeja dhe edukata kanë pak vend në vendin e tij. Ja çfarë do të thotë publikisht: “Duke bamun ligje moderne -thotë Gurakuqi, – do të bajmë të mundun zhvillimin arsimuer e përmirësimin ekonomik, dy gjana për të cilat ka ma tepër nevojë populli i ynë”. Fjalë të mëdha, por s’mjaftojnë. Imazhi i tij do mbetet gjallë tek njerëzit përparimtarë dhe më shumë akoma nxënësit që do të nxjerrë nga Normalja e Elbasanit, ku shërben si drejtor.
…
Gjyqi e nxori të pafajshëm atentatorin e tij më Tarn. Por, ka disa njerëz që nuk e harrojnë. Ai shpagohet nga një njësit komunist që e zhduk vrasësin. Kurse Luigji, megjithë qejfmbetjet, mbetet me një vend nderi në histori…
MILOSAO
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply