Kam ndjekur me shqetësim propozimin për shkrirjen e Bashkisë së Libohovës, qytet me të cilin jam i lidhur prej origjinës nga gjyshi, Abedin Çiçi. Në fjalën e mbajtur me rastin e dhënies së certifikatës së mirënjohjes nga kjo bashki, kam ngritur shqetësimin për mbylljen e shkollës së mesme ‘11 Shkurti’ me histori më shumë se gjysmë shekulli. Kam shkëputur më poshtë një pjesë nga fjala e mbajtur sepse është aktuale me vendimmarrjen e sotme mbi shkrirjen e bashkisë mbi bazën e disa treguesve dhe koeficienteve:
“Gjithnjë e më shumë vendim-marrja është e ftohtë, sasiore, fjala vjen, nuk justifikohet ndërtimi i një rruge sepse fshati ka shumë pak banorë; duhet mbyllur një shkollë se ka rënë numri i nxënësve; … – dhe kështu hyjmë në një rreth vicioz ku mungesa e infrastrukturës, shërbimit arsimor apo shëndetësor, çon në braktisje gjithnjë e më të madhe të qyteteve të vogla apo zonave rurale.”
Raporti e ndërton arsyetimin mbi indekse të përbëra, ponderime, standardizime me z-score dhe rishkallëzime min–max, të cilat krijojnë pamjen e një objektiviteti matematikor, por nuk mund të matin historinë, identitetin, trashëgiminë dhe potencialin e një territori si Libohova.
Mbi të gjitha, raporti i njeh historisë, kulturës dhe identitetit territorial një peshë prej 15%, por për Libohovën nuk mat as vazhdimësinë institucionale që nga viti 1914, as trashëgiminë monumentale, as pozitën kufitare, as kapitalin natyror dhe potencialin agroekoturistik. Në tabelën përfundimtare, kriteri historik-kulturor i Libohovës mbetet bosh. Nëse duan të përdorin tregues, le të peshojnë treguesit e mëposhtëm kundrejt bashkive që ata mendojnë se duhet të qëndrojnë:
Treguesi i vazhdimësisë historike dhe institucionale – Libohova ka mbi një shekull rol të pandërprerë si qendër e administrimit vendor, që nga shpallja Nënprefekturë më 1914.
Treguesi i identitetit territorial dhe komunitar – Libohova përbën një territor me identitet të konsoliduar, tradita, kujtesë kolektive dhe lidhje të forta të komunitetit me vendin.
Treguesi i dendësisë së trashëgimisë kulturore – kalaja, objektet arkeologjike, kishat, manastiret, teqetë, urat dhe monumentet historike përbëjnë një përqendrim të jashtëzakonshëm vlerash në një territor të vogël.
Treguesi i rëndësisë strategjike dhe kufitare – pozita kufitare, relievi dhe bashkëjetesa me komunitetin e minoritetit grek kërkojnë administrim të afërt dhe përfaqësim të drejtpërdrejtë vendor.
Treguesi i kapitalit natyror – pyjet, kullotat, burimet ujore, biodiversiteti, bimët mjekësore dhe peizazhi malor janë pasuri që kërkojnë menaxhim të posaçëm territorial.
Treguesi i potencialit agroekoturistik dhe ekonomik – blegtoria, djathi i deles, mjalti, bimët aromatike, pemëtaria, ulliri dhe kuzhina tradicionale krijojnë mundësi reale për marka territoriale, punësim dhe turizëm të qëndrueshëm.
Treguesi i afërsisë së qeverisjes me qytetarin – ruajtja e bashkisë garanton akses më të drejtpërdrejtë në shërbime, përfaqësim demokratik, përgjegjshmëri dhe mbrojtje nga periferizimi administrativ.
Prandaj, shkrirja e Bashkisë Libohovë nuk është një përfundim i pashmangshëm statistikor. Ajo do të ishte një zgjedhje politike, e mbështetur kryesisht te dobësia demografike, por pa një vlerësim të plotë të historisë, identitetit dhe potencialit të territorit.
Popullsia numërohet, por historia, identiteti, trashëgimia dhe potenciali i një territori gjithashtu duhet të peshohen. Libohova nuk është thjesht një numër në një tabelë: është një territor me kujtesë, funksion dhe të ardhme.
Burimi/Facebook


Leave a Reply