Që në moshë të vogël u lidh me muzikën, duke nisur studimet për violinë në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço”.
Pas përfundimit të liceut artistik në Korçë, vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në degën e dirigjimit, nën drejtimin e profesor Mustafa Krantja. Gjatë studimeve u dallua për talentin e tij dhe drejtoi orkestrën e konservatorit në disa aktivitete kombëtare artistike. Në vitin 1979 mbrojti diplomën me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit, duke interpretuar Simfoninë e Pestë të Beethoven-it dhe u vlerësua me notën maksimale 10.
Pas studimeve u emërua dirigjent i Estradës Profesioniste të Lushnjës, ku zhvilloi një aktivitet shumë të pasur artistik. Ai realizoi mbi 50 premiera, qindra koncerte dhe dhjetëra krijime muzikore e orkestracione. Nën drejtimin e tij, orkestra e estradës u bë një nga formacionet më të vlerësuara në vend për profesionalizëm, repertor dhe interpretim.
Llazi Borova dha kontribut të madh edhe në edukimin e talenteve të reja, në festivalet e fëmijëve dhe në jetën artistike të qytetit të Lushnjës. Ai organizoi koncerte, festivale të këngës dhe aktivitete kombëtare që ndihmuan në gjallërimin e kulturës muzikore dhe skenike.
Një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij ishte shfaqja muzikore “Flokë dëbore në prill”, si edhe aktivitetet e estradës në vitet e para të demokracisë, të cilat u pritën me shumë entuziazëm nga publiku dhe u vlerësuan si ndër më të suksesshmet në historinë e estradës profesioniste shqiptare.



Burimi/Facebook


Leave a Reply