Jam NDOC SHABEN
Kam lindur në fshatin Pleshë në vitin 1953. Mësimet e para i mora ne shkollen fillore të fshatit Pleshë kurse 8- vjecaren në Bushat me rezultate të shkëlqyera gjë që i mundësoi edhe shkollimin e mesëm në gjimnazin Koplik gjatë viteve 1969-1973. Studimet e larta për gjuhë e letërsi i mbarova ne vitin 1976. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1976 më caktojnë të punoj në rrethet e Veriut në Ujmisht të Kukësit ku punova për 9 vite me radhë si mësues tetë-vjeçareje e më pas mësues gjimnazi duke treguar përkushtim e pasion tim për punën e mësuesit. Pas shumë vitesh pune në rrethe të largëta transferohem, por për dy vjet mbeta pa pa punë dhe detyrohem të bëjë punë të ndryshme private në ndërtim si murator, suvatues hidraulik, elektricist shtrues pllakash, saldator, marangoz, punë me mermere, punë me duralumin, trktorist, deri kur me emërojnë në shkollën e Stajkës ku qëndrova për 6 vjet me radhë. Këto zanate I ushtrova edhe deri para disa vjetesh si punë të dytë. Më pas transferohem në Bushat ku punova edhe 6 vjet të tjera. Në vitet e para të Demokracisë emërohem drejtor shkolle në Rranxa ku punova për pesë vjet e më pas edhe për pesë vjet të tjera emërohem drejtor i arsimit e kulturës në Komunën Bushat. Më pas punova si drejtor i gjimnazit të Barbullushit edhe për gjashtë vjet të tjera, e më pas zgjidhem të kryejë detyrën e Sekretarit të këshillit të Komunës Bushat e atij bazhkiak për një periudhë trevjeçare. Gjatë kësaj kohe pësova infrakt miokardi dhe dola në pension invaliditeti.
Që në bangot e shkollës jam marrë me aktivitete të shumta artistike e kulturore. Në shkollën e mesme Koplik, por edhe në shkollën e lartë u mora me artin dramatik si aktor, skenograf, regjizor ku me këto trupa vumë në skenë disa drama e disa grupe artistike fituan edhe mjaft çmime të larta nëpër olimpiadat teatrore të kohës si dhe estrada. Konkurova për Institutin e Lartë të Arteve dhe fitova vend nderi si dhe mbarova edhe nji kurs regjizure.
Kur isha mësues në Kukës, jam marrë me grumbullimin e folklorit të zonës si dhe fjalëve dhe shprehjeve të rralla të gjuhës shqipe duke dhënë një kontribut në pasurimin e
plotësimin e fjalorit shqip me prurje të reja. Njëkohesisht kam drejtuar edhe grupet amatore të kooperativave. Po kështu, edhe pas transferimit në zonën e Bushatit nuk iu ndava punës plot pasion në gjurmimin dhe grumbullimin e folklorit si këngët popullore të para e pas dasmës dhe gjithë folkun e zonës së Zadrimës .
Pasionet e mija kanë qenë të shumta.
Që herët u pasionova pas artit të fotografimit dhe kjo e bëri që të koleksionoj e sistemoj
mjaft fotografi, por edhe të fiksoj plot momente të ndryshme nga jeta nëpërmjet aparatit fotografik, fillimisht të thjeshtë e pastaj gjithnjë e më të përsosur deri edhe të kamerave
filmimesh duke filmuar dasma dhe evente të ndryshme familjare, aktivitete politike, kulturore etj. Në kohë të pjesëshme kam punuar edhe si gazetar dhe operator i jashtëm nëpër mediat lokale. Jam një nga koleksionistët e zonës së Veriut dhe mund të them se jam i vetmi në këto përmasa, pasi kam në koleksionin tim rreth 100 000 negativë filmash fotografikë të cilët me shumë pasion po i skanoj e i dixhitalizoj dhe jo vetëm kaq, por kam koleksionuar dokumente arkivore të lokalitetit të Bushatit për periudhen 1948-68. Kam qenë mësues i përkushtuar dhe kam marrë vlerësimin “Mësuës shembullor” nga Ministri i Arsimit i asaj kohe, por edhe një veprimtar shoqëror dhe mjaft aktiv në zonat ku punova e jetova. Jam marrë gjatë me artin skenik në teatër dhe estradë, por edhe fotografinë, sidomos të rasteve të veçanta festash e ceremonishë familjare, eventesh shtetërore e politike si dhe aktiviteteve fetare. Kjo gjë ka ndikuar së tepërmi në shijet e mija artistike që më ka krijuar pasionin për të gjurmuar, grumbulluar dhe sistemuar kulturën dhe traditën popullore Zadrimore e më gjërë. Së pari si koleksionist i fotografive të vjetra që e pasqyrojnë këtë traditë dhe më pas në gjurmimin, grumbullimin dhe sistemimin e materialeve muzeale të orendive shtëpiake të traditës popullore, të kostumeve dhe veshjeve Zadrimore si dhe mjeteve të punimit të tyre. Pa frikë mund të them se sot, krejt me shpenzimet e mia vetiake, me shumë se 20-vjeçare kam mbledhur materiale me mjaft vlera dhe me sasi të admirueshme sa do t’ma kishte lakmi çdo muze lokal e qëndror dhe po përgatis një muze etnografik që për nga inventari që disponon mund të them se nuk gjendet një i dytë në të gjithë Veriun shqiptar.
Koleksionet e mija si dhe puna pasionante si mbledhës e sistemues i vlerave kulturore e tradicionale popullore kanë tërhequr vëmendjen e mediave lokale e qëndrore kombëtare dhe nëpërmjet intervistave të dhëna kam pasqyruar jo vetëm pasionin e tim si etnograf dhe studiues i kulturës popullore, por edhe shumë veçori të kulturës popullore në të kaluarën.
Në paraqitjet time të pandërprere në rrjetet sociale të kohës së sotme dhe media kam shpalosur mjaft të dhëna historike të llojeve të ndryshme për zonën e më gjerë. Paraqitjet e mija mjaft
të spikatura me kanë shtyrë që të sjell në vëmendjen e lexuesit e shikuesit tonë një zë krejt të veçantë, jo si krijues dhe botues i librave artistikë, jo si shkrimtar apo poet, por si një studiues e etnograf të mirëfilltë të vlerave kulturore popullore të Zadrimës, të veriut, madje edhe përtej kufijve tanë shtetërorë e më tej. Gjithashtu, mendoj se jam jo vetëm gjurmues i kulturës popullore, por edhe studiues e hulumtues i saj, ndaj sot kam në dorëshkrim për të gjithë zonën e Nënshkodrës dhe të Zadrimës një libër disa vëllimesh që pret të shohë dritën e botimit së shpejti.
Duke e analizuar në detaje punën time, mendoj ta paraqes në dy drejtime kryesore. Së pari si koleksionist i materialeve muzeale të grumbulluara dhe të sistemuara dhe së dyti si një
koleksionist i fotografisë së hershme me vlera të veçanta studiuese etnografike.
Besoj se kam meritën se jam një koleksionist i kualifikuar edhe i vlerave konkrete popullore e tradicionale, i vlerave muzeale mjaft njohëse dhe po synoj për një muze mjaft prestigjioz zonal me përmasa kombëtare.
Janë këto drejtime kryesore, ai i gjurmimit, grumbullimit dhe të sistemimit të vlerave muzeale, larmia e materialeve që kam gjurmuar, por edhe nga sasia e madhe. Aty kam paraqitur sasi të konsiderueshme e takëmeve të burrave, siç janë llulla të ndryshme, çakmakë dhe kuti duhani, shkopij ora xhepi, që burrat zadrimorë mbanin edhe si stoli, veshje, po edhe si mjete matjeje të kohës.
Po kështu edhe orenditë shtëpiake të llojeve të ndryshme janë të shumta si në sasi, po ashtu edhe në llojshmëri dhe besoj se tërheqin tej mase interesin e çdo vizitori aty.
Artefaktet janë mjaft të paraqitshme dhe të shumta.
Shumë interes paraqesin, gjithashtu enët e vjetra të kuzhinës, të gatimit, por edhe të sërvirjes së ushqimeve te cilat jane të punuara me bakër, si edhe prej balte, druri dhe që janë shumë të hershme. Po ashtu do të gjejme të gjitha veglat e punës sipas profesioneve tradicionale, bujqësisë, zejtarisë, manifaturës, përpunimit dhe punimit të veshjeve e qendistarisë, etj. Ashtu siç e cilësova edhe më sipër, aty shpaloset jo vetëm historia, por edhe tradita dhe kultura popullore, prandaj paraqesin vlera të veçanta muzeale.
Një punë e veçantë e me shumë kënaqësi kam bërë në grumbullimin e veshjeve, takëmeve dhe stolive, sidomos të gruas Zadrimore. Këto veshje dhe paraqitjet e tyre nuk kanë vetëm vlera njohëse për të treguar llojin e rrobes së përdorur, por edhe traditën e një pune fine për përgatitjen e tyre.
Veshjet dhe takëmet e paraqitura flasin qartë për një traditë të shkëlqyer të zonës së Zadrimës në përgatitjen dhe stolisjen e tyre dhe më shumë finesë.
Interes të veçantë kam treguar, jo vetëm në gjurmim dhe grumbullim e veshjeve
dhe stolive të nuses e gruas zadrimore si dhe të zonës por kam siguruar edhe nga veshjet e e grave e nuseve malësore e mirditore lumjane e zonave te tjera te veriut.
Ka tregues të gjurmimit dhe grumbullimit të pajisjeve dhe takëmeve shtëpiake që vajza, nusja dhe gruaja zadrimore ka përgatitur e punuar me duartë e veta për pajën, por edhe për nevojat e jetës së përditshme familjare. Në këtë muze mbulohet totalisht veshja e Zadrimores duke fillu nga vajzëria, nusja e sapomartuar, nusja e re e diteve e javëve të para, të gjithë etapat moshore të gruas, deri në pleqni, Veshjen e caktuar të të gjithë ceremonjaleve, përfshi veshjen e gruas shtatëzënë, veshjen ne rast fatkeqësishë, veshjet ditore te punes etj. Në muze gjenden disa korete që secili dallon për nga punimet e shajakut si dhe format e gajtanave si dhe figurave të paraqitura.
Bukurinë ia shtojnë Anteritë si dhe Jelekët të punuara në veke me katër liq dhe të qendisura me tel të veshur në arë që krijojnë një harmoni të habitshme në kombinimin e ngjyrave e të figurave.
Kam mbi 40 lloje rizash të punuara në vekë me penj të linjtë, të pambukte me melez e të mëndafshtë Krenet e rizave përbëjnë nji art të veçantë figurash e ngjyrash me fije mëndafshi. Nga mosha në moshe ka diferenca në madhësinë e krenave të rizave, në ngjyrat dhe në figurat që perdoren. Poshte rizavejane te vendosuna Gjysa e krese dhe rredi. Rredi punohet me pe leshi te tjerrë hollë në bosht i ngjyrosun me të zezë, i punuar më gjypanë dhe me to, mbasi krehen dhe ndahen flokët mbulohen e lidhen me rred. Sipër rredit vendoset gjysa e kresë që asht nga nji pjesë shamië zakonisht e pambuktë, por edhe e leshtë, me shtroje në të kuqë ose portokalli e që ka lule të ndryshmë të vogla e mandej lidhet riza që paloset bukur dhe krijon nji pamje spektakolare.
Në veshjet e trupit disponoj shumë fandela te holla pambuku me ngjyra nga të kuqe të dalët, në portokalli si dhe ngjyrë tjegull për përdorim sipas moshave. Janë në qëndisura grykat dhe krahët me figura të ndryshme dhe tufa me penj mëndafshi.
Disponoj dhjetra këmisha të endura me pej lini, pambuku e mëndafshi, ose të quajtura, Këmisha harkate, këmisha meleze, këmisha me anë, këmisha të pamukta e këmisha të linjta. Secila prej tyre ka trajtën e vet. Dallohen prej grykave e qazave të qëndisura edhe këto me mëndafsh shumë-ngjyrësh e figuracion të shumëllojshëm. Dallojmë shume figura të ashtuquajtura pagane që rrjedhin që nga kohët Ilire. Njikohësisht disa prej këtyre këmishave kanë edhe krahet e këmishës të qendisur në formë rruazash si shirit të gjanë të bardhë e anash tij me qëndisje me mëndafsh me ngjyra. Siç është përmendur në muze ka edhe 5 korete të ndryshëm, 6 anteri të ndryshne qëndisur në ar, 4 jelekë edhe këto të qendisur në ar, Dy pshtjellca që vendosen në vend të boçes mbrapa, dhjetra boçe të vjetra me ngjyra e punime të ndryshme me të kuqe të mirë e të harmonizuare me ngjyra të tjera. Tlindat zakonisht janë të pambukta, me ngjyrë të bardhë e me qendisje në kamzat e tyre me penj mëndafshi.
Çorapet janë të thurun me penj të leshtë. Kallmat dhe shtroja janë me shtroje te kuqe e ne mes me nji dizenjo e figuracion të ndryshëm.
Në arkivin e veshjeve asht edhe kompleti i djepit të fëmijës me dyshekun, jastekun, çarçafin të linjtat që mbeshtjellin trupin e femijes, të leshtat ose shpërgajtë triza lidhëse.
Ekzistojnë edhe disa veshje, çarçaf, paftë ftyrë, jastek që përdoren ditën e dekës.
Me pasion kam gjurmuar, koleksionuar elementet e kulturës popullore, të traditës e zakoneve, të historisë së shkuar e të tashme të popullit tonë. Jam munduar të tërheq edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Kështu një revistë prestigjoze e Këlnit me autor Marc Barkowski i kushton 30 faqe shkrim në atë revistë dhe kjo flet shumëçka per aktivitetin tim. Njëkohësisht të njohur virtualisht vlerësim kanë dhanë edhe disa etnografë e filologë të Pulias.
Muzeu është vizituar edhe nga shumë etnologë, muzeologë, studiues e specialistë të vendit tonë që janë shprehë me superlative.
Muzeu ështe vizituar nga shumë grup-mosha, profesione e kombesi te ndryshme. Ne bashkepunim me koleget e mi arsimtare kemi ofruar nxënësit e shkollave, arsimtarët.
Vleresoj maksimalisht grupin që po merret me dokumentimin si dhe paraqitjen e materialeve që veshja e Zadrimës të rreshtohet krahas pasurisë tonë kombëtare të njoftun e të mbrojtun nga shteti të njihet dhe të mbrohet edhe nga UNESCO.
Me respekt Ndoc Shaben d.v
Burimi/Facebook


Leave a Reply