Një konflikt që nisi gjatë orëve të mbrëmjes në një lokal në zonën e Gjuhadolit, në Shkodër, dyshohet se përfundoi disa orë më vonë me vrasjen e 24-vjeçarit Ylber Luli.
Sipas të dhënave të policisë, pas përplasjes në lokal, Andri Vulaj, i dyshuar për ngjarjen, rreth orës 05:00 të mëngjesit është paraqitur në banesën e viktimës, me pretendimin për t’u sqaruar për konfliktin e mëparshëm. Sipas hetimeve paraprake, Vulaj kishte me vete edhe një armë zjarri.
Situata është përshkallëzuar brenda banesës, ku mes dy të rinjve ka nisur një përleshje fizike. Në konflikt është përfshirë edhe babai i 24-vjeçarit, Qamil Luli.
Policia thotë se gjatë përleshjes, babë e bir kanë plagosur me thikë Andri Vulajn. Në vijim, sipas versionit të hetuesve, Vulaj ka nxjerrë pistoletën që kishte me vete dhe ka qëlluar në drejtim të Ylber Lulit, duke e lënë të vdekur.
Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa nisën veprimet hetimore. Vulaj u ndalua nga efektivët dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur në krim.
Nga rindërtimi paraprak i lëvizjeve të viktimës, rezulton se Ylber Luli kishte qëndruar deri në orët e vona jashtë banesës, në automjetin e tij, së bashku me një person tjetër. Rreth orës 02:00 pas mesnate, ai është kthyer në banesë.
Rreth tre orë më vonë, Andri Vulaj është paraqitur në banesën e 24-vjeçarit, ku konflikti mes tyre ka marrë përmasa të dhunshme dhe ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.
Policia e Shkodrës vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Burimi/Facebook/portaliveriusot


Leave a Reply