*Në historiografinë zyrtare është konsoliduar mendimi i përgjithshëm se At Gjergj Fishta ka lindur më 23 tetor 1871, në Fishtë të Zadrimës. Ai ishte i biri i Ndokë Simon Ndocit dhe Prendës së Lazër Kaçit nga Kotrri, si dhe më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre. Megjithatë, në “Regjistrin origjinal të pagëzimeve të Famullisë së Troshanit dhe Fishtës”, të mbajtur nga famullitari arbëresh, At Leonardo De Martino (1830–1923), i cili kreu edhe sakramentin e pagëzimit të At Gjergj Fishtës më 24 tetor 1871, shënohet: «Në vitin e Zotit 1871, më 24 tetor, unë pagëzova të birin e Ndokë Simonit dhe Prenda Lazrit nga Fishta, me emrin Zef (Zeffi), të lindur më datë 22. Nunët janë Gjin Frroku dhe Mara Kola nga Fishta. Fra. Leonardo, Famullitar.» Në moshën 6 vjeçare dhe me nismën e famullitarit të Troshanit, At Marian Pizzochini nga Palmanova, i cili dalloi inteligjencën dhe talentin e rrallë të Zefit të vogël, prindërit e dërguan në Shkollën Françeskane në Shkodër, ku studioi deri më 1880, kur nisi veprimtarinë Kolegji Françeskan i Troshanit. Kur ishte në moshën 10–11 vjeç, Zefi i vogël u dërgua për kurim në Dubrovnik, pas shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes së zemrës. Ai u trajtua në Kuvendin Françeskan të Male Braće ku ndodhet “Franjevačka crkva Male braće (Kisha Françeskane e Fretërve Minorë)”, në të cilën gjendet Kiostri i famshëm i artit mesjetar, i projektuar dhe ndërtuar në vitin 1360 nga mjeshtri arbër, Miho Tivarasi (Kam pasur fatin ta vizitoj dy herë, në 2011 dhe 2019 – P.Z.). Ky kompleks kishtar madhështor, i rindërtuar pjesërisht pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 1667, përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit të vjetër të Dubrovnikut (Raguzës). Pikërisht në këtë kishë, At Gjergj Fishta do të kujtonte më vonë me krenari dhe do të lavdërohej se, gjatë viteve 1881–1882, kishte pasur fatin të këndonte aty “solo” gjatë kremtimit të ceremonive kishtare. Pasi e mori veten, në gjysmën e dytë të vitit 1882, u kthye në vendlindje, ku rifilloi studimet në Kolegjin Françeskan të Troshanit. Katër vite më vonë, më 1886, së bashku me pesë dhjakë të tjerë, u nis për në Bosnjë, ku kreu vitin e provës në Guçjagorë, pranë Travnikut. Në këtë periudhë, më 28 gusht 1886, ndërron emrin nga Zef (Jozef) në Gjon (Johannes), emër që do të mbante për një kohë relativisht të shkurtër. Ky ndryshim lidhej me ligjet e Urdhrit Françeskan dhe me pranimin e kushteve të përkohshme më 23 tetor 1887. Nga shqyrtimi i dokumentacionit shkollor rezulton se Fishta ishte nxënësi më i dalluar, me vlerësimin Eminens (I shkëlqyer), gjatë studimeve filozofike në Kraljevo Sutjeska, në vitet 1888–1889, si dhe gjatë studimeve teologjike në Gorica-Livno, në vitet 1889–1893. Ai dallohej në sprovat e hartimeve dhe në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore, të shkruara në gjuhët latine, italiane dhe kroate. Sikurse edhe në mjedise të tjera, tensionet etnike sllave nuk mungonin as në institucionet fetare, ku ai dhe bashkëvëllezërit e tij u përballën me qëndrime diskriminuese. Për këtë arsye, djaloshi nga Fishta reagoi energjikisht së bashku me bashkëvëllezërit e tij, duke iu bashkuar një proteste të organizuar nga studentët shqiptarë të Fakultetit të Teologjisë në Livno. Gjithashtu, ai hodhi idenë e krijimit të një organi ose shoqërie të vogël letraro-artistike, e cila do të shërbente për zhvillimin dhe ruajtjen e traditave dhe vlerave më të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2 shtator 1892, në krye të listës së emrave me 10 nënshkruesit e saj spikaste një emër me domethënie shumë të veçantë: “Enea-Silvio-Giorgio Fiscta”. Dy emrat e parë, si të tillë, u zhdukën me kalimin e kohës, duke mbetur vetëm emri i fundit, Giorgio, i cili, në gjuhën kroate, është Jure, ndërsa në shqip, Gjergj, emri me të cilin ne sot e njohim poetin tonë kombëtar. Emrat e lartpërmendur përfaqësojnë figura të shquara historike, ku më i rëndësishmi është humanisti dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Papa Piu II (1405-1464), të cilit i referohen emrat Enea dhe Silvio (Enea Silvio Bartolomeo Piccolomini). Ky është ai Papa i jashtëzakonshëm, që u nis nga Roma drejt Raguzës dhe Durrësit, me synimin për ta kurorëzuar Gjergj Kastriotin si “Mbret i Arbërisë, Epirit dhe Maqedonisë” dhe për t’i dëbuar turqit osmanë nga Europa Juglindore. Mjerisht, ai vdiq më 14 gusht 1464, në Ankona, pa arritur ta përmbushte misionin më të madh të jetës së tij. Nga ana tjetër, Enea është personazhi i njohur i “Iliadës” së Homerit, ndërsa emri Silvio lidhet me rilindasin e shquar kroat, Silvije Strahimir Kranjčević, mik i përzemërt i At Gjergj Fishtës. Emri i fundit, Giorgio, mbart një domethënie të dyfishtë: në aspektin fetar, përfaqëson Shën Gjergjin, ndërsa në aspektin kombëtar, Kryeheroin tonë, Gjergj Kastriotin. Mbiemri Fiscta dëshmon qartë dhe bukur lidhjen me vendlindjen, Fishtën, ndërsa në dokumentacionin historik të mëvonshëm, emri dhe mbiemri i tij shfaqen disa herë në formën latine “Georgius Fiscta”, pra “Gjergj Fishta.” Siç dëshmojnë miqtë e tij biografë, studenti Gjergj Fishta i kushtonte shumë pak kohë përgatitjes së mësimeve, pasi një lexim i vetëm i mjaftonte për t’i riprodhuar ato pothuajse tërësisht përmendësh. Përmbledhja e rezultateve të tij shkollore pasqyrohet në diplomën e lëshuar më 6 shkurt 1893 nga komisioni përkatës, në të cilën Giorgio Fishta vlerësohet si student i shkëlqyer. Mjedisi kulturor dhe nacionalist kroat, serb e malazez, dhe fakti se Bosnja që në vitin 1878 ishte nën administrimin e Perandorisë Austro-Hungareze, ndikoi në formimin e tij kombëtar. Ndërsa, kontaktet me françeskanin boshnjak, Grga Martić (1822–1905), rilindasin e lartpërmendur kroat, Silvije Strahimir Kranjčević (1865–1908), si dhe veprat e Andrija Kačić-Miošić (1704-1760), Petrović Njegoš Petar (1813-1815) dhe veçanërisht, Ivan Mažuranić (1805-1888), ndikuan në formimin e tij letrar. Përveç këtyre, lexonte vazhdimisht dhe me ëndje klasikët latinë e grekë, e sidomos autorët e letërsisë italiane: Dante (1265–1321), Goldoni (1707–1793), Alfieri (1749–1803), Manzoni (1785–1873), Carducci (1835–1907) dhe Pascoli (1855–1912). Pasi përfundoi studimet në Bosnjë me rezultate të shkëlqyera, u kthye në vendlindje. Më 25 shkurt 1894 u shugurua meshtar dhe kremtoi meshën e parë në Kishën e Zojës së Papërlyer në Troshan. Duke qenë se ende nuk i kishte mbushur 24 vjeç siç e përcakton ligji kanonik, natyrisht që u desh një leje e veçantë për shugurimin e tij meshtarak. Për disa vite punoi si mësues në Kolegjin e Troshanit, ndërsa të dielave shërbente në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, ku ishte famullitar gjatë viteve 1896–1897. Në vitin 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abat Prend Doçit, dhe u bë një nga anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Pikërisht gjatë kohës kur At Gjergj Fishta shërbente në Gomsiqe, pranë Kishës së Troshanit u vra i vëllai, Simoni, i njohur edhe me nofkën «Çupi», në rrethana të lidhura me gjakmarrjen. Kjo ngjarje tragjike e frymëzoi At Gjergj Fishtën të shkruante poezinë «Gjaksorëvet», të cilën e botoi më 1901, dy vjet pas vrasjes së të vëllait. Plumbi që përshkoi trupin e Simonit plagosi për vdekje edhe probatinin (vëllamin) e tij, Zef Lazrin, stërgjyshin tim, emrin e të cilit sot e mbaj si mbiemër. Kumbaria dhe probatinia ndërmjet familjes sime dhe asaj të At Gjergj Fishtës kanë rrënjë më të thella historike, pasi zanafilla e tyre lidhet me kohën kur të parët e Fishtës, familja Paci, zbritën nga Domgjoni i Fanit të Mirditës në Fishtë, duke u vendosur në tokat e dhuruara nga fisi im, një degëzim i Dedajve, familjes së Vojvodës së Oroshit, të ardhur më herët në Fishtë nga Bulshari i Oroshit. Gjashtë muaj pas plagosjes së rëndë, Zef Lazri ndërroi jetë, me plumbin në trup, në moshën 27-vjeçare. Por historia nuk përfundon këtu! At Gjergj Fishta vendosi t’ia falte gjakun vrasësit nga Troshani dhe e detyroi familjen e vet që të lidhë kumbari me familjen e vrasësit. Së bashku me Luigj Bumçin dhe me ndërmjetësimin e familjes Çoba nga Shkodra, kumbarëve të familjes sime, ai jo vetëm mundësoi pajtimin e gjakut midis familjes sime dhe asaj të vrasësit, por edhe në lidhjen e një kumbarie ndërmjet familjes sime dhe familjes së vrasësit. Ky ishte At Gjergj Fishta: një figurë e jashtëzakonshme, që edhe përballë dhimbjes më të thellë, zgjodhi faljen dhe pajtimin. I papërsëritshëm! Në vitin 1902 At Gjergj Fishta u emërua sekretar i Komisariatit të Përgjithshëm të Misionit Françeskan në Shkodër dhe u bë drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Me marrjen e drejtimit, kaloi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në shqip dhe zgjeroi klasat e njohura si qytetëse, ku bënin pjesë katolikë e myslimanë. Gjatë verës së vitit 1902, At Gjergj Fishta shërbeu në Brigje të Hotit dhe në Rapshë të Hotit, ku zëvendësoi përkohësisht famullitarin e zonës, At Leonard Gojanin. Gjatë këtij qëndrimi, ai u njoh dhe krijoi miqësi të ngushtë me Marash Ucin, rrëfimet e të cilit u bënë një prej burimeve kryesore të frymëzimit për kryeveprën monumentale, “Lahuta e Malcís.” Në vitin 1905, At Gjergj Fishta nis botimin e pjesëve të para të kësaj kryevepre me një vëllim të vogël, të titulluar “Te ura e Rrazhnicës.” Libri u shtyp në formën e një broshure nga shtypshkronja «Vitalini», në Zarë të Dalmacisë (Kroacia e sotme) dhe botimi i tij u bë i mundur falë ndërhyrjes së Faik Konicës, i cili i dërgoi Fishtës shumën prej 100 frangash ari. Në fakt, kjo shumë i ishte dhënë Konicës nga Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë për botimin e një libri të poetit shkodran, Filip Shiroka, i cili ende nuk e kishte përgatitur librin për botim, duke mos respektuar afatet. Më 15 shkurt 1907, së bashku me At Shtjefën Gjeçovin, themeloi Bibliotekën e parë Shkollore në viset shqiptare. Më 14-22 nëntor 1908, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit dhe pikërisht falë tij, u arrit marrëveshja për alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe më 1911, arqipeshkvi Jak Serreqi, u dërgua nga autoritetet osmane së bashku me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Dom Ndre Planin dhe Mons Luigj Bumçin, në Podgoricë për të ndërmjetësuar paqen ndërmjet autoriteteve osmane dhe prijësve malësorë. Më 28 nëntor 1912, At Gjergj Fishta nuk mund të ishte i pranishëm si delegat në Vlorë, pasi, gjatë Rrethimit të Shkodrës (9 tetor 1912 – 22 prill 1913) nga forcat serbo-malazeze, qëndroi i strehuar në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe, së bashku me Imzot Jak Serreqin, Imzot Luigj Bumçin dhe klerikë të tjerë. Për shtatë muaj me radhë, nën bombardimet intensive të artilerisë serbo-malazeze, ata nuk e ndanë kafshatën e bukës vetëm me njëri-tjetrin, por u gjendën çdo ditë e natë pranë të varfërve, të sëmurëve dhe të plagosurve të qytetit, katolikë e myslimanë, të cilët kërkonin vazhdimisht ndihmë dhe mbështetje prej tyre. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, ata u bënë bamirësit më të mëdhenj të popullsisë së pambrojtur të Shkodrës. Gjatë administrimit ndërkombëtar të Shkodrës, At Gjergj Fishta në vitin 1913, shkroi tekstin e Himnit Kombëtar Shqiptar, me titull “Porsi fleta e Êjllit t’Zotit”, të cilit Lec Kurti i kompozoi muzikën. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, Fishta drejtoi revistën e përkohshme “Hylli i Dritës”, e cila u mbyll pas një viti nga autoritetet për shkak të artikujve kritikë të tij. Për qëndrimet e veta të ashpra kundër disa fuqive europiane, autoritetet me në krye kolonelin anglez, G.Philipps, urdhëruan syrgjynosjen e tij në Maltë për 20 muaj, por ai u largua fshehtas nga qyteti i Shkodrës, duke u strehuar në famulli të ndryshme (Gomsiqe, Vig e Troshan) dhe, pas ndërhyrjes së klerit të lartë, urdhri i dënimit me mërgim në Maltë u pezullua. Pas vendosjes së administrimit austro-hungarez, më 1916 botoi gazetën “Posta e Shqypnis” dhe po atë vit çoi në Shkodër shtypshkronjën që mori emrin “Shtypshkroja Françeskane”, duke u mundësuar françeskanëve të botonin vetë, në vend që të përdornin shtypshkronjën “Nikaj”. Në vitin 1919, me urdhër të Kryetarit të Qeverisë së Durrësit (25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920), Turhan Pashë Përmetit, At Gjergj Fishta mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) si ekspert dhe më pas sekretar i delegacionit shqiptar, të kryesuar nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Luigj Bumçi, ku Dhimitër Berati ishte gjithashtu anëtar. Së bashku, ata u angazhuan për mbrojtjen e pavarësisë, integritetit territorial dhe të drejtave kombëtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Gjatë këtij misioni diplomatik vendimtar për fatet e Shqipërisë, në rrugën e udhëtimit për në Francë, Imzot Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u ndalën në Romë, ku më 6 mars 1919 u pranuan në audiencë nga Papa Benedikti XV, të cilit Shqipëria i detyrohet për shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës, qytete të cilat sipas Traktatit Titoni-Venizellos, do t’i kalonin Greqisë. Në Paris At Gjergj Fishta u shqua veçanërisht për hartimin e fjalimit të jashtëzakonshëm: «Les Albanais et leurs droits (Shqiptarët e të drejtat e tyne)», në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare. Fjalimi u lexua në gjuhën franceze nga kryetari i delegacionit shqiptar, Imzot Luigj Bumçi, në sallën e Universitetit Katolik të Parisit, më 20 qershor 1919. Pas një përpjekjeje të gjatë diplomatike në mbrojtje të çështjes kombëtare, Shqipëria arriti të konsolidonte pozitën e saj ndërkombëtare. Më 17 dhjetor 1920, Shteti Shqiptar u pranua si anëtar i Lidhjes së Kombeve, me një vendim të miratuar me 35 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë votë kundër. Në pranverën e vitit 1921, së bashku me Provinçialin e atëhershëm françeskan dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, At Pal Dodaj, udhëtoi drejt Romës për të takuar kryetarin e Urdhrit. Atje u pritën nga Papa Benedikti XV dhe siguruan ndihma për hapjen e shkollës publike “Illyricum”. Ati i Shenjtë i priti me shumë përzemësi, duke i përcjellë me një ndihmë shumë bujare prej 100.000 lirash italiane. Në zgjedhjet e para demokratike në Historinë e Shqipërisë të zhvilluara më 6 qershor 1921, At Gjergj Fishta u zgjodh deputet i Prefekturës së Shkodrës. Më 16 qershor, ai së bashku ne deputetët e tjerë të sapozgjedhur, si: Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Hilë Mosi etj. kur nisen drejt Tiranës, përcillen në mënyrë madhështore nga autoritetet, paria e qytetit dhe populli i Shkodrës. Fillimisht At Gjergj Fishta ishte anëtar dhe më pas kryetar i Komisionit të Buxhetit, si dhe anëtar i Komisionit të Arsimit. Në gusht të po atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit dhe, kur iu desh ta linte detyrën, propozoi At Ambroz Marlaskajn si zëvendësues. Në fillim të vitit 1922 u nis drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe, në shkurt 1922, nga Liverpuli udhëtoi për në SH.B.A., ku mbërriti pas 12 ditësh. Atje takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan te Henry Cabot Lodge, përfaqësues i Partisë Republikane, në mbështetje të njohjes diplomatike të Shqipërisë së pavarur. Më 22 prill 1924, në Tiranë vritet Avni Rustemi dhe gjatë ceremonisë mortore, të zhvilluar në Vlorë më 1 maj 1924, At Gjergj Fishta mban mbi varrin e tij fjalimin e fuqishëm dhe frymëzues, të njohur me titullin «Fjala mbi varrin e Avni Rustemit». Në vijim, At Gjergj Fishta mbështeti Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 përkrah Fan S. Nolit dhe Bajram Currit, por, pas rikthimit të forcave të Ahmet Zogut dhe rivendosjes së regjimit të tij, qëndroi në arrati deri më 1926, kur u nxor një dekret i veçantë për amnistimin e tij. Më 24 prill 1930, gjatë ceremonisë së inaugurimit të fabrikës së çimentos në Shkodër, pranë fshatit Zues, të ndërtuar nga kompania “Portland Cement Shkodra”, At Gjergj Fishta, gjatë fjalimit të tij, u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Por, pak më vonë, ai për pak sa nuk humbi jetën. Gjatë vëzhgimit të procesit të prodhimit, zhguni i tij u kap nga njëra prej makinerive të fabrikës. Vetëm ndërhyrja e shpejtë e njërit prej teknikëve bëri të mundur shpëtimin e tij. Si pasojë e këtij incidenti, Fishta pësoi një plagë të rëndë në kofshë. Pas një periudhe qëndrimi në spital, ai u shërua nga plagosja, por për një kohë relativisht të gjatë vijoi të çalonte dhe të përdorte shkop për të ecur. Gjatë gjysmës së parë të viteve 1930, përfaqësoi shtetin shqiptar në konferencat parapërgatitore të Kuvendit Ballkanik: në Athinë më 1930, në Sofje e në Stamboll më 1931, dhe në Bukuresht më 1932. Ky vit shënon edhe një ngjarje të rëndësishme në jetën e At Gjergj Fishtës. Në vitin 1932, ai pranohet si anëtar i “Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve”, organizatë e themeluar në New York City, e cila përfaqësonte 60 kombe të botës. Viti 1933 shënon përplasjen ndërmjet At Gjergj Fishtës dhe Hilë Mosit, në kuadër të polemikës së famshme publicistike «Gabove, Hilë!», botuar në revistën “Hylli i Dritës.” Shkak u bë politika arsimore e qeverisë shqiptare ndaj shkollave private, të cilën Fishta e kundërshtoi, duke mbrojtur vazhdimësinë e veprimtarisë së institucioneve arsimore katolike. Polemika nisi me debatin ndërmjet At Anton Harapit dhe Hilë Mosit, atëherë ministër i Arsimit, dhe vijoi me letrën e hapur të këtij të fundit, së cilës Fishta iu përgjigj me artikullin e tij polemizues. I indinjuar jashtë mase, madje i pikëlluar, pas mbylljes së shkollave private, për gati një vit të plotë, gjatë periudhës 1934–1935, At Gjergj Fishta qëndroi jashtë vendit. Nga gjysma e dytë e vitit 1935 deri më 1938 shërbeu si ministër Provincial i Françeskanëve në Shqipëri. Viti 1937 shënon tërheqjen e At Gjergj Fishtës nga jeta publike, për t’iu përkushtuar më shumë jetës rregulltare dhe krijimtarisë letrare në kuvendin françeskan, pranë Kishës së Gjuhadolit në Shkodër. Në muajin prill të këtij viti, At Gjergj Fishta u dërgua nga Kryesia e Urdhrit Françeskan të Romës në Çekosllovaki, ku qëndroi në Pragë dhe u prit me nderime të veçanta. Më pas, udhëtoi drejt Italisë, ku u ndal fillimisht në Romë dhe më tej vizitoi Sienën, qytetin e tij të parapëlqyer në Itali. Në vitin 1937, At Gjergj Fishta u propozua për Çmimin Nobel në Letërsi nga qarqe akademike dhe intelektuale gjermane, duke u bërë kështu i pari shqiptar i propozuar për këtë çmim prestigjioz. Ndërsa në vitin pasues, 1938, me përfundimin e mandatit si Provincial i Françeskanëve në Shqipëri, më 17 qershor, Fishta ia dorëzoi këtë detyrë At Çiprian Nikës. Më 3 qershor 1939, u zgjodh anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë. Sipas nxënësit dhe biografit të At Gjergj Fishtës, At Daniel Gjeçaj, presidenti i Akademisë, Luigi Federzoni, ka dëshmuar se: «Në kohën, mjerisht të shkurtër, gjatë së cilës At Gjergj Fishta bëri pjesë në Akademinë Mbretërore të Italisë, ai fitoi çmimin e të gjithë anëtarëve». Në vitin 1940 Fishta u prit nga Papa Piu XII në një audiencë të gjatë në Vatikan. Pasi kthehet në Atdhe, At Gjergj Fishta iu shpreh vëllezërve të tij në Shkodër këtë dëshirë: «Due me shkue në Troshan e me kalue do dit atje. Mandej dëshiroj të shoh familjarët e mi, mbasi nuk i kam pa tash sa kohë». Prandaj, në fund të vitit 1940, u kthye në Troshan dhe në Fishtë, aty ku kishte lindur dhe ku kishte nisur jetën rregulltare e veprimtarinë e tij letrare. Mirëpo, më 10 dhjetor u sëmur rëndë, më 14 dhjetor u dërgua në Shkodër dhe u shtrua në spital për shkak të një sëmundjeje të zemrës dhe pneumonisë. Më 22 dhjetor, pas rënies së një bore të madhe, gjendja e tij u rëndua nga pneumonia dhe më 27 dhjetor mjekët humbën shpresat dhe Fishta ra në kllapi. Më 30 dhjetor 1940, në orën 00:45, At Gjergj Fishta ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës. Krijimtaria e tij përfshin poezi epike e lirike, satirë, drama, publicistikë, shkrime polemike dhe përkthime ose përshtatje nga letërsia botërore. Veprat kryesore, sipas viteve të botimit, janë: “Anzat e Parnasit (1907)”, “Pika voese (1909)” – më vonë e ribotuar si “Vallja e Parrizit”, “Shqyptari i gjytetnuem (1911)”, “Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)”, “Juda Makabé (1914)”, “Gomari i Babatasit (1923)”, “Mrizi i Zânavet (1924)”, “Sh. Luigji Gonzaga (1927)”, “Shqyptarja e gjytetnueme (1929)”, “Lahuta e Malcís”, botimi i plotë (1937), “Jerina ase mbretnesha e luleve (1940).” Vepra madhore e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcís”, me 15.600 vargje, përbën krijimin më të rëndësishëm të letërsisë epike shqiptare dhe i ka dhënë autorit epitetin “Homeri shqiptar”. Për kontributin në arsim, letërsi dhe kulturën shqiptare, At Gjergj Fishta u nderua me çmime dhe dekorata të rëndësishme: Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype”, në pallatin ipeshkvnor, në prani të Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit Ndoc Çoba, i dhuroi një Kurorë Argjendi për meritat e tij letrare. Me këtë rast, Çoba mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e Fishtës. Në vitin 1912 u dekorua nga perandori Austro-Hungarisë, Franz Jozef, me medaljen “Ritterkreuz”, për kontributin kulturor në Shqipëri. Po në vitin 1912 iu akordua nga sulltan Mehmet Reshati V dekorata “Maarif (Maarif Nisani, Klasi II)”. Në vitin 1918, qyteti i Beratit i dhuroi një Pendë të Artë. Në vitin 1925, Papa Piu XI i akordoi medaljen “Medaglia di Benemerenza”. Më 1929, Urdhri Françeskan e nderoi me titullin “Lector Jubilatus”. Më 1931, Greqia e dekoroi me urdhrin “Phoenix”. Më 1939, u zgjodhi anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë. Më 28 nëntor 2002, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, i akordoi pas vdekjes titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në kuadër të përkujtimit, Këshilli i Bashkisë së Lezhës e kishte shpallur më parë “Qytetar Nderi”. At Gjergj Fishta kontribuoi në zhvillimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, në arsimin kombëtar dhe në jetën kulturore e politike të Shqipërisë. Trashëgimia e tij mbetet e lidhur ngushtë me Fishtën e Zadrimës, në Lezhë, vendlindjen e poetit, ku kujtimi i tij ruhet përmes Memorialit të At Gjergj Fishtës (Vendi i lindjes), Shtëpisë-muze, dhe veprimtarive të ndryshme kulturore, letrare dhe artistike. Eventi më i veçantë është pikërisht “Itinerari i Poezisë Fishtiane”, që organizohet çdo 23 tetor në kuadrin e përvjetorit zyrtar të lindjes së shqiptarit të dytë më të madh pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Nga: Paulin Zefi.
Fishtë, Lezhë.
Dt. 21.10.2026.
Burimi/Facebook


Leave a Reply