Nga Rush Dragu
Një skenar i vjetër, i njohur dhe i përdorur shpesh gjatë këtyre 14 viteve të qeverisjes së Edi Ramës.
Këtë herë, përpara godinës së Kryeministrisë, u vendosën 12 karrige, aq sa ishin anëtarët e Byrosë Politike në kohën e Enver Hoxhës. Rastësi, nostalgji apo metaforë? Mos vallë mesazhi është se të gjithë ata që do të uleshin në ato karrige dhe do të pranonin vazhdimësinë e pushtetit të tij, do të kishin pushtet dhe pasuri, njësoj si dikur, në kohën e Enverit?
Rama është mjeshtër në gjetjet simbolike dhe në përdorimin e elementeve skenografike për të përjetësuar karrigen e pushtetit të tij.
Historia ka treguar se ai ka ditur të dialogojë, por jo domosdoshmërisht në mënyrën që pretendon sot. Në zyra dhe skuta të errëta, shumëkujt i është ofruar karrota e pushtetit: një vend pune në administratë apo një post edhe më i lartë në qeveri, në këmbim të mbrojtjes pa kushte dhe pa rezerva të pushtetit të tij, si dhe të luftës me çdo mjet kundër opozitës.
Rastet nuk kanë qenë të pakta kur tundimit të karrotës së kryeministrit i janë dorëzuar. Kanë fituar pushtet, siguri dhe pasuri, por kanë humbur vetveten. Janë kthyer në servilë të tij, duke humbur çdo vlerë dhe dinjitet politik. Madje, në jo pak raste, janë hedhur pa mëshirë në koshin e plehrave nga vetë ai që dikur u kishte ofruar karrotën.
Ndërsa ata që nuk e kanë pranuar ofertën e kryeministrit, jo vetëm që kanë humbur punën dhe të ardhurat, por janë detyruar edhe të largohen nga Shqipëria. Rastet nuk janë të pakta.
Këtë herë, 12 karriget janë skena ku Edi Rama u ofron, gjoja, “dialogun”. Por, pas kësaj fasade, fshihen dy instrumente që ai di t’i përdorë me mjeshtëri: shkopi dhe karrota.
Mjerë ata që do të ulen në ato karrige! Cilëndo rrugë që të zgjedhin përballë ofertës së kryeministrit, rrezikojnë të përfundojnë të përdorur politikisht, duke humbur pavarësinë dhe dinjitetin e tyre.
Sepse, kur të ka djegur qumështi, duhet t’i frysh kosit!
Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply