Grupi i avokatëve pranë Partisë Demokratike përfaqësoi sot 28 protestues, për të cilët Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tyre.
Nga 13 tetori, ekipi ynë ligjor ka ofruar asistencë për 432 protestues të shoqëruar, nga të cilët janë liruar menjëherë 184 protestues. Ndërsa ka përfaqësuar në Gjykatë 248 protestues të arrestuar, nga të cilët janë liruar 239 protestues me vendim gjykate.
Për secilin rast që arresti është vlerësuar i ligjshëm dhe është caktuar masë sigurimi, ne do të paraqesim ankim menjëherë në Gjykatën e Apelit sapo të zbardhet vendimi gjyqësor i shkallës së parë.
Ndërkohë që për të gjitha rastet e dhunës do të depozitojmë kallëzim penal në Prokurori. Deri më tani janë depozituar dy kallëzime penale, ndërkohë që po mblidhen provat për katër kallëzime të tjera.
Partia Demokratike mbetet e angazhuar në mbrojtje të së drejtës kushtetuese për të protestuar, si dhe në garantimin e respektimit të të drejtave themelore të qytetarëve dhe të procesit të rregullt ligjor në çdo fazë të procedurave hetimore dhe gjyqësore.
Burimi/Facebook


Leave a Reply