Presidenti amerikan Xhon F. Kenedi thoshte se ka tre gjëra që janë të vërteta: Zoti, marrëzia njerëzore dhe e qeshura. Dy të parat janë përtej kuptimit tonë, prandaj duhet të bëjmë ç’mundemi me të tretën.
Në Shqipëri kemi pasur fe pa shtet dhe shtet pa fe, por shtet fetar kurrë në historinë tonë. Sot marrëzia në pushtet po sfidon realitetin kushtetues. Ideja e shndërrimit të një pjese të kryeqytetit në një entitet sovran për Urdhrin Bektashi u shit fillimisht si një gjest i lartë i tolerancës fetare. Paketimi ishte gati për konsum ndërkombëtar përmes një fushate të gjerë promovimi politik dhe mediatik. Ndërkohë, pas fasadës së eksportimit të harmonisë fetare, ky projekt mbart një precedent të rrezikshëm që cenon themelet e shtetit unitar dhe parimin e neutralitetit të shtetit ndaj komuniteteve fetare.
Projektit i mungon një vizion i qartë strategjik shtetëror. Një eksperiment i tillë ngre pikëpyetje thelbësore: Mbi çfarë legjitimiteti kushtetues mund t’i jepet një komuniteti fetar një territor me status të veçantë, pasaportë dhe autonomi nga juridiksioni civil e penal i Republikës?
Përtej hijeve të dyshimeve që aludojnë për arkitektura të fshehta gjeopolitike apo ndikime të huaja, problemi kryesor nuk gjendet te agjendat e jashtme, por te dëmi i brendshëm institucional.
Ky komb u ngrit mbi fjalët e shenjta: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Nuk është rastësi që në aktin e parë diplomatik të shtetit të ri, telegramin dërguar Fuqive të Mëdha më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemal Vlora theksoi se Pavarësia u shpall nga delegatë të mbledhur “pa dallim feje”. Ai e kodifikoi laicitetin jo thjesht si një parim abstrakt, por si mburojën e vetme gjeopolitike kundër copëtimit të vendit. Për Themeluesin, neutraliteti fetar ishte ekuilibri i mbijetesës sonë kombëtare në sy të Evropës. Laiciteti është guri i themelit të shtetit shqiptar.
Edhe kur Mbreti Zog dekretoi vendosjen e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë në vitin 1930, ai sanksionoi një vijë të kuqe të panegociueshme: bashkësia do të ishte fetare, asnjëherë politike apo shtetërore, dhe rreptësisht nën juridiksionin e shtetit shqiptar. Sot, pushteti i çartur, me eksperimente mikroshtetesh fetare, po tund pikërisht këto themele. Krijimi i një shteti fetar sot nuk është thjesht shkelje e Kushtetutës së sotme, por është zhbërje e kodit gjenetik të diplomacisë dhe mbijetesës sonë, të cilin Ati i Pavarësisë e ngriti pikërisht për të na mbrojtur nga asgjësimi total.
Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente gjeopolitike që fragmentarizojnë sovranitetin për llogari të vëmendjes së përkohshme. Shqipëria ka nevojë për forcimin e shtetit të së drejtës. Toleranca jonë fetare historike nuk ka nevojë për pasaporta sovrane dhe mure ekstraterritoriale. Ajo lulëzon kur ligji është i barabartë për të gjithë, brenda të njëjtit kufi.
Dr. Evarist Beqiri
Burimi/Facebook/Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare


Leave a Reply