Sot, më 8 shtator në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kthejmë vëmendjen te një prej figurave të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – veprimtarit, diplomatit, intelektualit dhe firmëtarit të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – Dhimitër Berati
Dhimitër Berati lindi në Korçë, më 15 tetor 1886. I formuar në Bukuresht dhe Romë në fushën e shkencave politike e juridike, që në rini u përfshi në lëvizjen patriotike shqiptare dhe u bë një prej zërave aktivë të kolonisë shqiptare në Rumani.
Rruga e tij patriotike e çoi në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të kohës. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe në Kongresin e Dytë të Manastirit, ndërsa në vitin 1912 shoqëroi Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin në udhëtimin drejt Shqipërisë.
Në Vlorë, Dhimitër Berati vendosi firmën e tij në Aktin që shpallte Shqipërinë shtet të pavarur. Pas kësaj, ai u emërua sekretar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ndërsa pak muaj më vonë mori drejtimin e “Përlindjes së Shqipërisë”, organit të parë zyrtar të shtetit shqiptar.
Por historia e tij nuk përfundoi me Pavarësinë. Përkundrazi, ajo vazhdoi në diplomaci dhe në jetën shtetërore shqiptare: në Konferencën e Paqes në Paris, në Lidhjen e Kombeve, në drejtimin e institucioneve të diplomacisë shqiptare dhe në detyrat e ministrit të Ekonomisë e ministrit të Arsimit.
Një jetë e gjatë në shërbim të një ideje që brezi i tij e kishte kthyer në mision: Shqipërinë ta bënte të njohur, të përfaqësuar dhe të denjë në sytë e botës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Berati u largua drejt Italisë, ku më 8 shtator 1970 u nda nga jeta.
Burimi/Facebook


Leave a Reply