8 dhe 11 Maj 2001-2026
Rrugëtimi ynë filloi si sot, 25 vjet më parë…
Ajo as 15 vjeçe dhe unë sapo 19 vjeç.
Ajo, një vajzë e përkëdhelur mes katër arsimtarësh në shtëpi (babë e nanë, vëlla e motër), e unë një i rritur jetim në një fshat të përhumbur e të thellë, që pavarësisht gjithçkaje, për mua ishte e mbetet shtëpia e ëndrrave, prej nga ku buroi çdo energji dhe sukses i imi më vonë, kudo e kurdo.
Ajo e zgjuar dhe koshiente që për dashurinë po përgatitej të braktiste një parajsë ku ishte rritur, për të ndërtuar një ëndërr me mua, që për ta manipuluar i kisha premtuar ose se do ta çoja të jetonte në kryeqytet, ose se kryeqytetin do ta çoja në Viçisht. Pse jo, ato ditë edhe në hënë besonim se mund të shkonim bashkë.
Ajo një çapkëne e bukur, por nervike shumë dje, sot dhe përherë, e unë një i qetë dhe i urtë, që armën time të fortë kam pasur e kam kalkulimin me kohën, me vendin, me objektivat, me njerëzit, e gjithmonë i palëkundur në objektivin tim.
Ajo ndaj meje me vetëm një kërkesë të thjeshtë, të brishtë femërore: për besnikëri, për shkollim (mos me ia penguar), për respekt e besë. E unë me një premtim që ia pohoja pa fjalë, por me një shikim mirënjohjeje të thellë për atë dashuri e besim që mbështetej tek unë atë moment.
Ajo atë moment e skuqur e tëra, nga presioni i emocioneve dhe turpit, e ndërsa unë, që dhe pse në letërsi gojën e kisha bilbil, freksioni i gjuhës sapo më kishte lënë. Ndër lidhja e gjuhës dhe mendjes kishin humbur ekuilibrin e tyre; gjuha shkonte për llogari të saj, për premtime politike mashkullore, e mendja me kilometra larg gjuhës mezi kapte çfarë thosha ato momente. Zemra ndërkohë rrihte aq shumë, sa theu çdo studim biologjik e mjekësor ndaj saj.
Ajo shumicën e fjalëve që unë i thashë nuk i mori vesh, e as unë as çfarë i thashë, e as çfarë kisha në mendje t’i thoja, as i mbaj mend, e as di a i kam thënë gjë a jo. Por di që s’di se si arritëm në sallonin e katit të tretë, me atë hecjen dy hapa pas e mezi një hap para. E më e keqja, s’di si u ndamë dhe a u përshëndetëm…
Por oficerja-ndërmjetëse, një mikja ime e përzemërt, e mrekullueshme dhe e emancipuar, kishte menduar edhe për këtë dekor në ndarje, ashtu siç edhe kishte menduar e arritur me sforco për takimin, e vështirë atë moment. Emrin e mikes po e mbaj kurdoherë anonim.
Ajo, në fund të këtij takimi, iu kthye orës së letërsisë, ku veçmas shokëve të klasës, në fshehtësi po lexonte letrën plot ndjenja timen për të, të thurur e kujdesur plot romantizëm prej ditësh pranverore, e bashkë me atë letër edhe JORGOVANIN TIM TË PREFERUAR. (Që, meqë ra fjala e jorgovanit, s’kisha lënë jorgovan në Maqellarë e Bllatë pa zhubravitur e thyer për çdo ditë, për t’u dukur sa më romantik në fazën e aplikimit për të hyrë në zemrën e saj).
E unë, pas këtij takimi të jetës mund ta them, iu ktheva orës së fizikës, ku zysha jepte e merrte me shpjegimin e motorit të makinës, se si funksiononte dhe rolin e freksionit. Ah-ha, m’u kujtua vetja vetëm pak minuta më parë se si në takim më merrej gjuha si motor i prishur, e thashë me vete se sa i rëndësishëm qenka freksioni… më shumë se motori.
E prej asaj dite, pastaj, rruga për në shtëpinë time (më saktë në shtëpinë e dajos ku rrija në Bllatë) dilte përmes Çangës. Deri kur mileti pastaj e kuptoi se jam nga fshati i GRUAS.
E më pas jeta mori rrjedhën e saj, plot bekime e dashuri, suksese e harmoni. Mjafton të ndjekësh rregullat e saj: ajo qorton e ti hesht, ajo të sheh e ti e ndjek, ajo të bie e ti i thua flm. Kushdo e ka kuptuar këtë formulë, dhe pse në vend të “RR” vihet “L”, pak rëndësi ka, jeton në paqe me kohën, me veten 🤦♂️🤦♂️🤦♂️🤣🤣🤣😜😜😜
Një dashuri e vetme, e përjetshme, e fortë, që dhe kur zihemi, zihemi për t’u dashur, e dhe kur duhemi, nuk mund të duhemi pa u zënë. Por që para dhe pas çdo zënke nuk rrimë dot pa njëri-tjetrin, dhe pse njëri-tjetrin pranë nuk e durojmë dot pa u zënë.
E kështu kaluan plot 25 vjet sot, ku unë dhe BENERETA, dy aktorët e kësaj lidhjeje, dhe oficerja-ndërmjetëse (anonim), kishim bllokuar korridorin e Hormuzit në katin e tretë të shkollës së mesme Maqellarë.
Në atë Maqellarën time të bukur, ku jam stërnip e nip, dhëndër e kushëri, aktiv politik e shoqëror që nga rinia e deri më sot.
Dhe pasi zemrën ia pushtova, ranë rehat edhe jorgovanët e fshatit, që s’ua vidha më atyre që i rrisnin.
Jeta u spostua drejt së nesërmes, që është e sotmja e lumturuar dhe e suksesshmja, bashkë me tre fëmijët tanë.
Faleminderit, Bena.
Dhe pse ke 25 vjet që më bërtet pa pushim, atë moment ama, kur të kam propozuar, më ke dëgjuar me vëmendje, pa e hapur gojën fare, si grua zamani.
TE DUAAAA
Burimi/Facebook


Leave a Reply