Studiuesi dhe publicisti Ardian Ndreca ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të faqeve zyrtare të institucioneve kulturore në Shkodër, duke e cilësuar situatën si një kolaps digjital që rrezikon trashëgiminë kulturore.Sipas tij, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi funksionon vetëm si vitrinë aktivitetesh, ndërsa arkiva me mijëra fotografi historike nuk është e aksesueshme, pas problemeve të krijuara që prej sulmit kibernetik të vitit 2022.
Ai thekson se prej muajsh janë jashtë funksioni edhe faqet e Biblioteka Marin Barleti, Muzeu Historik i Shkodrës, Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës dhe Galerisë së Arteve, duke ngritur pikëpyetje për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre.
Ndreca kritikon mungesën e reagimit nga institucionet, mediat dhe aktorët publikë, ndërsa paralajmëron se neglizhenca mund të çojë në humbje të pakthyeshme të materialeve me vlerë historike.
⸻
Statusi i plotë:
Djepit të kulturës i janë thye partallat. Në Shkodër ka vite që siti internet i Muzeumit Kombëtar të Fotografisë Marubi punon vetëm si vetrinë aktivitetesh, pa ngarkue në të dhjeta mija fotot e koleksionit historik të dinastisë Marubi. Arsyeja: sulmi kibernetik iranian i korrikut 2022, kur për arsye (pa)sigurije në Tiranë janë fikë serverat – të cilët tue qenë tepër obsolet nuk ndezen ma.
Prej nandorit të kaluem nuk janë aktive as faqet internet të Bibliotekës Marin Barleti (bibliotekashkoder.com), Muzeumit Historik (muzeuhistorikshkoder.org), Muzeumit të Dëshmisë dhe Kujtesës dhe faqja e Galerisë së Arteve (gashkoder.com).
Nji qytet në kolaps total, me nji kryetar bashkije të pandehun që rrezikon me përfundue në burg, me drejtues të kulturës, muzikës, librit (të huazuem prej jashtë, pse Shkodra ka vdekë) që kanë si diapazon atë çelësin e hekurt në hymje të qytetit.
Hepërhe i vetmi që funksionon asht siti i Bibliotekës së Universitetit. Por meqë edhe aty kanë zgjedhë si administrator ish drejtuesin e ujësjellësit, ka shumë mundësi që punët të shkojnë ujë.
Ajo që më çudit asht si ka mundësi që askush nuk e çon zanin, opozita, mediat, gazetarët e kulturës, këshilli bashkiak, intelektualët, lexuesit e apasionuem, studiuesit…
Katër prej siteve të masipërme (përjashto Marubin) ia ka kujdesue hostimin për vite nji i ri i apasionuem që quhet Suad Barbullushi. Gjithçka asht bllokue për moskujdes nga ana e drejtuesve të institucioneve dhe të vetë bashkisë, në ndonji rast bahet fjalë për tarifa qesharake, siç dihet mbas nji kohe që quhet “grace period” përmbajtja nuk mund të rekuperohet ma.
Kanë minue të kaluemen e nji qendre urbane të cilën po e dënojnë mos me pasë të ardhme si qytet.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply