Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të shtunë se gara brenda forcës politike që ai drejton zhvillohet sipas tij në mënyrën “më të ndershme dhe më demokratike”. Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se kryetari i partisë zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarësia, duke e cilësuar këtë si themel të demokracisë së brendshme në PD.
Ai u shpreh se çdo anëtar që plotëson kriteret e përcaktuara në rregullore ka të drejtë të kandidojë, duke shtuar se procesi është i hapur për të gjithë demokratët. Megjithatë, Berisha theksoi se nuk mund të pranohen kandidatura nga individë që, sipas tij, kanë vepruar kundër partisë apo janë përfshirë në subjekte të tjera politike, veçanërisht nëse kanë mbështetur kundërshtarët gjatë fushatave elektorale.
Duke iu përgjigjur kritikëve, Berisha deklaroi se PD mbetet një “parti e hapur” dhe se nuk mund të ndikohet apo kontrollohet nga Edi Rama. Ai përsëriti qëndrimin se personat që kanë qenë kundër Partisë Demokratike në të kaluarën nuk mund të jenë pjesë e garës për drejtimin e saj.
Burimi/Facebook


Leave a Reply