A është shuar vërtet e keqja apo vetëm ka ndërruar uniformë? Kjo ese është për ju @ndjekësit e mi dhe për të gjithë ata që e duan ligjin.
BESNIKËT E DJESHËM DHE UNIFORMAT E SOTME
Një paradite në Sarandë, pranë lulishtes “Miqësia”, po ecja krah Miço Kolecit nga Livadhjaja. Trupi i tij mbante harkun e viteve, i përthyer si koha që ka kaluar mbi të, por mendja i priste drejt. Vetëm veshët e kishin braktisur, si dy porta që nuk hapen më për të përgjuar botën.. Miçua, dikur sy i fshehtë i regjimit, më shfaqej si një kujtesë që koha nuk e tret, por e zhvesh gjithnjë e më qartë sa herë bie mbi të vështrimi.
Papritur, një hije u shkëput nga turma dhe, me një gjest që lëkundej mes lojës dhe kërcënimit, ia mbuloi sytë me duar. Për një çast, errësira nuk ishte vetëm mbi fytyrën e tij, por mbi gjithë kohën që na rrethonte. Kur Miçua i largoi duart me shpejtësi, pa përballë Bajram Lalën, ish-operativin e zonës në vitet e fundit të socializmit. Sytë e tyre u ndeshën si dy njerëz që nuk pajtohen kurrë plotësisht, ndërsa shtrëngimi i duarve mbante peshën e gjërave që nuk thuhen. Pasi u përqafuan dhe këmbyen disa fjalë, Miçua e pyeti me një zë që dukej sikur vinte nga thellësia e mushkërive:
— Ku është Besnik Daci?
— Ka vdekur, — tha Bajrami, duke parë përtej detit, sikur kërkonte një përgjigje që nuk gjendej më. — Dyshohet se e helmuan në Tiranë… një helm me veprim të vonuar. Sapo shkeli në Itali, mbaroi.
Besniku kishte qenë punonjës i sigurimit, koleg i Bajramit.
Fjala “helm” mbeti pezull në ajër si një metaforë e drejtësisë së vonuar, asaj që nuk godet menjëherë, por nuk harron kurrë.
Pastaj, si të kishte hapur një derë që e kishte mbajtur mbyllur për vite, Bajrami nisi të rrëfente për një përplasje me Besnikun, një nga ato çaste kur njeriu nuk përballet më me tjetrin, por me kufirin e vet:
— Ishim në kafenenë e Reto Nikës. Besniku më tha diçka që ma solli në majë të hundës.
Debati u ndez. Një fjali më e rëndë se tjetra, derisa dora më shkoi te pistoleta. Për një çast, gjithçka u ngushtua në vijën mes këmbëzës dhe shënjestrës. Në atë çast u afrua Gaqo Papa nga Sopiku dhe më kapi dorën:
— Gomar i mutit, ç’ bën ? Do të shkosh në burg?
Dora ime mbeti pezull, jo nga forca fizike, por nga autoriteti moral që Gaqoja mbante. — përfundoi Bajram Lala.
Gaqo Papa ishte kuadër i lartë në kooperativë dhe njeri i nderuar. Veprimi i tij nuk ishte vetëm një ndalim, por një rikthim në vetëdije. Në atë prekje, ai nuk i preu vetëm udhën një plumbi, por një zinxhir pasojash që do të kishte përpirë jetë. Ai përfaqësonte atë pak ekuilibër që mund të ekzistonte edhe brenda një sistemi të padrejtë: njeriun që, edhe kur është pjesë e mekanizmit, nuk e humb plotësisht masën…
Ndërsa i dëgjoja, më doli para syve një histori më e vjetër, më e rëndë, ajo e Petro Xhaferit.
Petroja ishte roje në depot e grumbullimit, një njeri i thjeshtë, i ndershëm, që nuk e dinte se ndershmëria në disa kohëra është një rrezik. Një natë u vodh arka e kooperativës.
Të nesërmen në mëngjes, Petrua u gjet i vdekur në kanal, pranë parcelës me portokalle. Në qafë i kishin varur një çantë me kokrra, si një vulë turpi mbi një trup të pajetë. Nuk mjaftonte vdekja, duhej edhe njollosja.
Vrasja e tij mbeti zyrtarisht një mjegull. Por nëpër njerëz qarkullonin fjalë, të ulëta si pëshpërima, të forta si bindje: se dora që e kishte vjedhur lekët ishte ajo e njeriut të sigurimit, Besnik Daci. Petrua e kishte parë, por për frikë se mos tregonte, Besniku e vrau. Të paktën kështu dyshohej, por edhe sot kjo mbetet një hamendje. Ky krim u mbulua nga koha.
Kjo është tragjedia më e madhe e atyre viteve: krimi nuk kërkonte vetëm të zhdukte trupin, por edhe të nxinte kujtimin. Të vriste dy herë: një herë njeriun dhe një herë kuptimin e tij.
Sot, ndërsa Saranda ndryshon fytyrë, ndiej se thelbi mbetet i njëjtë. Ne vazhdojmë të ecim me sytë e mbuluar nga duart e së shkuarës. Emrat harrohen, por mekanizmat mbijetojnë.
E keqja nuk ikën, vetëm transformohet. Ajo thjesht ndërron uniformën. Dikur na mbyllte sytë me ideologji, Sot, kur shohim hotele që ngrihen pa djersë, krime dhe vjedhje që mbeten pa autor, kuptojmë se litarët e korrupsionit modern janë po aq të vjetër sa ato uniformat e djeshme.
E keqja vazhdon të mos lërë gjurmë, të mos ketë dëshmitarë, ose t’i kthejë dëshmitarët në fajtorë. Kjo lidhje mes Besnikëve të djeshëm dhe të sotëm sugjeron se drejtësia mbetet e verbër kur autorët janë vetë ata që duhet ta mbrojnë atë.
Po haku nuk vjen gjithmonë menjëherë. Shpesh është më i ftohtë, më i duruar, si një helm i ngadaltë që qarkullon në heshtje. Nuk shpërthen, nuk paralajmëron, nuk fal.
Pret që koha të lodhë fajtorin, që kujtesa të gërryejë mbrojtjen e tij, që e vërteta të dalë nga vendet ku është fshehur. Sepse e vërteta ka një cilësi që pushteti nuk e kontrollon dot: ajo nuk zhduket, vetëm shtyhet.
Dhe kur më në fund del përpara, nuk pyet më për justifikime.
Vetëm mbyll llogaritë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply