Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka përdorur fjalë të ashpra ndaj Papa Leone XIV mbrëmjen e djeshme në një sulm të pazakontë dhe të drejtpërdrejtë ndaj liderit të Kishës Katolike, që ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga besimtarët dhe institucionet kishtare.
Në atë që për shumëkënd u pa si një përgjigje ndaj kritikave në rritje të Papës për konfliktin e nisur bashkërisht nga SHBA dhe Izraeli kundër Iran, si dhe ndaj politikave shumë të rrepta migratore të administratës së Trumpit, presidenti amerikan e quajti Leonin XIV “të tmerrshëm”.
“Është i dobët përballë kriminalitetit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme. Flet për frikën ndaj administratës Trump, por nuk përmend frikën që Kisha Katolike dhe të gjitha organizatat e tjera të krishtera përjetuan gjatë COVID-19, kur priftërinj, shërbyes fetarë dhe të tjerë arrestoheshin për shkak të kremtimit të shërbesave fetare”, ka shkruar ai.
“Preferoj shumë më tepër vëllain e tij Louis sepse është plotësisht MAGA. Ai e ka kuptuar gjithçka. Nuk dua një Papë që e konsideron të pranueshme që Irani të zotërojë armë bërthamore”, u shpreh Trump më vonë para gazetarëve. “S’jam fans i tij.”
Presidenti amerikan deklaroi se Papa Leone “duhet të jetë mirënjohës”, duke pretenduar se emërimi i tij ishte i papritur dhe se nuk figuronte mes kandidatëve të mundshëm. Sipas tij, zgjedhja u bë sepse ishte amerikan dhe shihej si një mënyrë për të menaxhuar marrëdhëniet me presidentin amerikan.
“Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leone nuk do të ishte në Vatikan”, ka shtuar Trump.
Në mëngjes erdhi përgjigjja e vetë Papa Leones, i cili në një intervistë për Reuters tha se “nuk kam frikë nga Trump, do të vazhdoj të flas kundër luftës. Mesazhi i Ungjillit nuk duhet të keqpërdoret.” “Unë”, tha ai, “flas për Ungjillin. Nuk jam politikan. Nuk kam ndërmend të bëj debat me të,” theksoi ai. “Mesazhi është gjithmonë i njëjtë: paqja. Dhe ua them këtë të gjithë liderëve të botës. Le të përpiqemi ta përfundojmë këtë luftë.” “Nuk mendoj,” shtoi ai, “që mesazhi i Ungjillit duhet të keqpërdoret siç po bëjnë disa.”
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply