Shkruan : Naim Flamuri
Nën Gur Rri Gjarpni: Pse Kujtesa Duhet të Rrijë Zgjutë
Harresa është Fitorja e Xhelatit
Kosova nuk ka luksin me harrue. Dhe ma keq se harresa e zakonshme është harresa institucionale, ajo që vjen jo pse s’dimë, por pse s’duam me e pa të vërtetën drejt në sy. Krimi mbi shqiptarët e Kosovës nuk ishte mjegull historie, as “përplasje narrativesh”, as formulë diplomatike për tavolina sterile. Ishte terror shtetnor. Ishte polici serbe. Ishte aparati kriminal i Sllobodan Millosheviqit. Ishte ushtria jugosllave e kriminalizueme. Ishin paramilitarët gjakatarë, Arkani, Sheshelji e banda të tjera që e kthyen shtetin në fabrikë vdekjeje. Kjo asht e vërteta. Dhe popull që tutet me e thanë të vërtetën, i hap rrugë përsëritjes së saj. Por le ta themi edhe një të vërtetë tjetër, po aq të hidhët: Qeveria e Kosovës nuk është cung. Shteti nuk përbëhet prej një njeriu. Nuk mundet vetëm Albin Kurti me e mbajtë mbi supe barrën e sensibilizimit kombëtar, historik e ndërkombëtar, sikur krejt pjesa tjetër e shtetit të jetë dekor, zyrë bosh, vulë pa mendim, mikrofon pa zë. Nuk mundet me u lanë kujtesa kombëtare në dorë të një kryeministri, cilido qoftë ai, ndërsa ministritë flenë, agjencitë heshtin, akademitë struken, institucionet kulturore zbehen, e përgjegjësia tretet nëpër korridore partie. Kosova i ka institucionet. I ka ministritë. I ka komunat. I ka ambasadat. I ka shkollat, universitetet, arkivat, institutet, mediat publike, akademikët, historianët, artistët, juristët, diplomatët. I ka. Problemi nuk asht se s’ka shtet. Problemi asht se shtetit shpesh i mungon shpirti funksional. I mungon vullneti i thellë. I mungon serioziteti. I mungon ai njeri i dijshëm, i ndershëm e i përgatitun që hyn në zyrë me peshën e misionit, jo me peshën e militantizmit. Sepse prej vitesh, në shumë hallka të këtij shteti, vendin e mendjes e ka zanë slogani, vendin e përmbajtjes e ka zanë propaganda, vendin e shërbimit publik e ka zanë bindja partiake. Dhe ky është krim ndaj funksionalitetit të shtetit. Jo ndoshta me armë, por me shkatërrim të ngadalshëm. Me vrasje të meritës. Me dëbim të mendjes. Me ngjitje të militantit. Me ulje të njeriut që din, që lexon, që kupton peshën e historisë, që mundet me e mbrojtë të vërtetën e Kosovës në një tryezë ndërkombëtare pa bërtitë, por me fakte, me dinjitet e me bosht. Kështu i është marrë fryma shtetit. Kështu i është këputë nervi funksional. Kështu, gati 19 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende sillemi si me qenë të përkohshëm në shtëpinë tonë.Nuk mbahet shteti me duartrokitje partiake. Nuk mbahet kujtesa me statuse rasti. Nuk nderohen dëshmorët me ceremoni boshe e me fjalime të shkrueme për kamera. Ata që ranë nuk janë dekor kombëtar. Nuk janë inventar emocional për data zyrtare. Ata janë gjaku ynë. Janë farefisi ynë. Janë familja jonë. Janë themeli i kësaj lirie. Përtej çdo emni e mbiemni qëndron një njeri. Një botë. Një nanë që priti kot. Një fëmijë që u rrit pa babë. Një derë që s’u hap ma. Dhe shteti që e harron këtë, ose e menaxhon pa thellësi, nuk është vetëm i ftohtë, është moralisht i dështuem. Le të ndalemi së shituri ndjeshmëri me pakicë. Le të ndalemi së ba kujtesën punë sezonale. Le të ndalemi së mendu se mjafton një deklaratë e kryeministrit, një ekspozitë, një akademi përkujtimore e dy fjali patriotike. Jo. Nuk mjafton. Duhet strategji shtetnore. Duhet doktrinë kujtese. Duhet edukim. Duhet arkivim. Duhet diplomaci aktive. Duhet mbrojtje juridike e së vërtetës. Duhet njerëz me kuptim të thellë, jo militantë me repertor parullash. Sepse slogani partiak nuk e mbron historinë. As pankarta nuk e mbron të vërtetën. E mbron mendja. E mbron karakteri. E mbron institucioni që e di pse ekziston. Sot rreziku nuk vjen vetëm prej atyne që i kanë mohue krimet dje. Vjen edhe prej paaftësisë sonë me i thanë e me i mbrojtë si duhet. Vjen prej rehatisë burokratike. Vjen prej atyne që e kanë kuptue shtetin si plaçkë punësimi për të vetët, jo si amanet gjaku. Vjen prej asaj klase politike që shpesh e trajton Kosovën si skenë partie e jo si republikë që ende ka plagë të hapuna dhe anmiq zgjuet. Anmiku nuk fle. Por, me raste, na po sillemi sikur shteti po fle në kambë. Kjo duhet thanë troç: Kosova nuk ka nevojë veç për pushtet. Ka nevojë për përmbajtje. Ka nevojë për njerëz që e kuptojnë se pa kujtesë të organizueme, pa dinjitet institucional, pa profesionalizëm e pa thellësi, liria dalëngadalë zbrazet. Jo me tank, por me banalitet. Jo me polici, por me mediokritet. Jo me dhunë të hapun, por me korrupsion moral, partiak e intelektual. E prandaj sot nuk mjafton me pyetë çka po bon Albin Kurti. Pyetja ma e madhe është: çka po bën shteti i Kosovës si tërësi? Ku janë ministritë? Ku janë institutet? Ku janë tekstet shkollore që flasin pa drojë? Ku janë përfaqësitë diplomatike që e çojnë të vërtetën e Kosovës në çdo forum? Ku janë zyrtarët që e ndiejnë këtë punë si mision e jo si rrogë? Ku janë njerëzit me mendim të thellë? Sepse shteti nuk shpëtohet me brohoritje për një njeri. Shteti shpëtohet kur secila hallkë e tij zgjohet e e kupton se kujtesa nuk është barrë e dikujt tjetër. Ata që ranë nuk na lanë luksin me qenë të verbër. Na lanë obligimin me qenë të kthjellët. Me emnue xhelatin. Me nderue viktimën. Me ndërtue institucione që nuk dridhen prej së vërtetës. Me largue militantin që e ka zaptue zyrën pa e kuptue peshën e shtetit. Me e kthye funksionalitetin si moral, jo veç si teknikë. Sepse harresa nuk vjen vetëm kur s’kujtojmë. Harresa vjen edhe kur kujtesën e menaxhojnë të cekëtit. Dhe kjo do të ishte fitorja ma e ligë e xhelatit: jo vetëm me na vra dikur, por me na ba sot të paaftë me e mbrojtë me dinjitet kujtimin e të rënëve tanë.




Burimi/Facebook


Leave a Reply