Një grua e moshuar tiranase bën me gisht.
– Nji bukë të zezë, do nana. Rrumbullake, ja, si ajo.
– Është bukë integrale, ia kthen shitësja.
Gruaja e moshuar ka ndenjur tërë ditën me disa tasa kumbulla skaj rrugës, në rrekje me i shitë. E ka marrë uria. Nuk e merr vesh përgjigjen.
– Bukë me miell gruri të pasitur nëno, i mëshon zërit shitësja. Miell dhe krunde bashkë, e kupton? Bukë pa e kaluar miellin në shoshë.
– Kështu thueji nanës, ti. Ku di nana bukë me tri gajle. Shoshën po, si s’e di nana shoshën.
– Kështu e quajnë italianët, prandaj.
– Mirë të keqen nana, mirë. Po ç’punë ka taliani me bukën tonë këtu. Atje me të vetën, â puna e tij.
Në gjuhën shqipe cilësori integrale nuk përcjell kurrfarë kumti. Fjalorët e Gjuhës Shqipe, vepra të Akademisë së Shkencave, nuk e kanë fare. Kanë vetëm integral, si cak (term) i matematikës.
Krijohet përshtypja se në kafe gjuha shqipe ndihet më mirë se te buka. Një kafe të shkurtë. Nuk thuhet ristretto, megjithëse këtë lloj kafje e kemi huazuar prej matanë Adriatikut. Një lëng, thuhet, nuk thuhet xhus (jus). Një sheqer, thuhet, dhe jo një bustinë (megjithëse një zonjë që këshillon receta në television flet për bustina me sheqer e me erëza). Edhe për çajrat: luleshtrydhe, boronicë, limon, kamomil… (çaj mali jo, nuk thuhet. Sepse të vetmet prodhime shqiptare të çajrave, që mblidhen në mal e janë bio të pastra, çaji i malit dhe çaji i bjeshkës, nuk shërbehen te ne). Sa për çajin e bjeshkës (tjetër nga çaji i malit), as që e njohin në Tiranë.
Shija gjuhësore që merr në kafe tretet në restorant. Aty nuk shërbejnë bukë integrale, por… makarona integrale. Dhe sallata nuk është e përzier, është mikste. Jo vetëm kaq: është sallatë greke ose maqedonase, rrallë sallatë fshati. A thua shqiptarët as sallatë s’paskan ditë me ba? Kur kalon te pjatat e dyta, duhet një përkthyes për listën e hajeve. Përzierje fjalësh anglisht, frengjisht, italisht. Qepur me një fije peri shqip.
Mirë në faqen anglisht, për të huajt, po në faqen shqip përse?
Sepse në shumicën e restoranteve mungojnë gjellët dhe hajet shqiptare.
Sepse është prirja që edhe një pjesë prej tyre të emërtohen jo shqip. Mishi i pjekur i qingjit, brinjët e pjekura, parapëlqyer qysh prej ilirëve, në restorantët e pasardhësve të sotëm të ilirëve quhen paidhaqe.
Mbetet me u pa si do të sillej një nënë dibrane, në qoftë se kamerieri do t’i drejtohej me mirësjellje:
– Nëno, dëshironi një pjatë paidhaqe? Kemi paidhaqe speciale, mish i butë, i njomë. Dhe këtu… kushtojnë lirë!
(nga libri “Gjuha e medias dhe lemëza”)
Burimi/Facebook


Leave a Reply