Tatimi mbi të ardhurat personale, sipas parimeve themelore të së drejtës tatimore ndërkombëtare dhe evropiane, i nënshtrohet parimit të shtetit të burimit të të ardhurave, ose, në raste të caktuara, shtetit të rezidencës tatimore, por kurrsesi nuk mund të jetë objekt i tatimit të dyfishtë për të njëjtat të ardhura.
Në vendet evropiane si Gjermania, Austria, Zvicra, Italia dhe Franca, zbatohet rregulli që një person nuk paguan tatim dy herë për të njëjtat të ardhura. Nëse një qytetar punon dhe paguan tatim në Gjermani, atëherë nuk ka detyrim të paguajë tatim edhe në shtetin e tij të origjinës për të njëjtën pagë.
Një numër i madh qytetarësh shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë detyruar, për arsye ekonomike dhe mungesë të mundësive të punësimit në vend, të emigrojnë dhe të punojnë në shtete të ndryshme evropiane, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali dhe Slloveni. Këta persona punojnë ligjërisht dhe paguajnë tatim në shtetet ku punojnë.
Shembull 1 – Punëtor sezonal në Gjermani
Një qytetar nga Maqedonia e Veriut, me banim të përkohshëm dhe kontratë pune në Gjermani, i nënshtrohet tatimit dhe kontributeve sociale sipas legjislacionit tatimor gjerman, nën administrimin e Finanzamt. Në përputhje me marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë mes Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut, të ardhurat e realizuara në Gjermani nuk mund ti nënshtrihen pagesës së tatimit sërish nga autoritetet tatimore të Maqedonisë së Veriut. Çdo kërkesë për pagesë shtesë për të njëjtat të ardhura përbën shkelje të drejtpërdrejtë të kësaj marrëveshjeje.
Shembull 2 – Rezident tatimor në Zvicër
Një pjesëtar i diasporës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, i cili jeton dhe punon prej vitesh në Zvicër, ka rezidencë të plotë tatimore atje dhe paguan tatim mbi të ardhurat sipas ligjit zviceran. Në praktikën evropiane, përfshirë Zvicrën, parimi është i qartë: tatimi kryhet në shtetin ku realizohen të ardhurat ose ku ndodhet rezidenca tatimore. Çdo pretendim nga shteti i origjinës për tatim paralel bie ndesh me standardet evropiane dhe praktikat e konsoliduara ndërkombëtare.
Shembull 3 – Punësim afatgjatë në Itali
Një shtetas shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i punësuar në Itali me kontratë afatgjatë dhe i regjistruar në Agenzia delle Entrate, i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat dhe kontributeve sociale italiane. Sipas praktikës italiane dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, Italia mban të drejtën primare të tatimit mbi të ardhurat e realizuara në territorin e saj, ndërsa shteti i origjinës nuk ka bazë juridike për tatim shtesë, përveç rasteve të të ardhurave të realizuara brenda territorit të vet.
Shembull 4 – Familje me rezidencë të dyfishtë faktike
Në raste të shumta, pjesëtarë të diasporës kanë familjet e tyre në Maqedoninë e Veriut, por jetojnë dhe punojnë jashtë vendit për më shumë se 183 ditë në vit. Sipas standardeve ndërkombëtare të OECD-së dhe praktikës evropiane, rezidenca tatimore përcaktohet nga qendra e interesave jetësore dhe kohëzgjatja e qëndrimit, jo nga shtetësia formale. Për rrjedhojë, tatimi i të ardhurave të tyre jashtë vendit nga Maqedonia e Veriut përbën keqinterpretim të së drejtës tatimore ndërkombëtare.
Vlerësim juridik
Kërkesat e autoriteteve tatimore të Maqedonisë së Veriut ndaj puntorëve sezonal
• cenojnë parimin e shmangies së tatimit të dyfishtë,
• bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare tatimore të nënshkruara nga vetë shteti,
• shkelin parimin që askush nuk mund të ndëshkohet ose ngarkohet dy herë për të njëjtën çështje,
• krijojnë pasiguri juridike dhe diskriminim indirekt ndaj një kategorie specifike qytetarësh.
Në praktikën e shteteve demokratike evropiane, diaspora trajtohet si burim zhvillimi, jo si objekt penalizimi financiar. Për këtë arsye, praktika e ndjekur nga autoritetet tatimore të Maqedonisë së Veriut nuk përputhet me standardet evropiane dhe kërkon rishqyrtim të menjëhershëm juridik dhe institucional.
Përgatiti dhe përshtati:
Adnan Aliti
https://tetova1.mk/nisin-kontrollet-per-secilen-euro-nga…/
Burimi/Facebook


Leave a Reply