I lindur në Shkodër më 25 mars 1906, kreu studimet në Liceun ‘Illyricum’ në vitin shkollor 1927-28. Ishte njëri nga maturantët e parë. U nis, pastaj, për në Sienë, ku vijoi studimet për filozofi e teologji e më pas edhe për pikturë.
Jetë e ngarkuar me veprimtari ajo e Atë Kabashit, që mbajti në një dorë Hosten, si meshtar; penën, si profesor i liceut ‘Illyricum’ e sekretar i Atë Gjergj Fishtës; librin, si drejtori i parë i Bibliotekës françeskane e penelin, si një ndër piktorët e parë të pikturës kishtare katolike shqiptare.
Njihet për kujdesin që tregoi në ruajtjen e mozaikëve të lashtë të Kishës së Rubikut e për veprat që realizoi në Katedralen e Shkodrës, në Rubik e në Lezhë, të gjitha të zhdukura nga rrebeshi komunist. Mbeti kështu piktor pa vepra, por vijoi të ishte meshtar me vepra të mëdha.
Kujtohet për shumë fillime, duke nisur që nga Mesha e parë që kremtoi mbi gërmadhat e Kishës së Shëna Ndout në Laç më 1990, e pastaj në Kishën françeskane, të sapo kthyer në duart e të zotëve.
Më datën 03. 03. 1991 Atë Leon Kabashi, i ndihmuar prej një grupi besimtarësh, kremton Meshën e parë në kishën e Zojës Nunciat, për turmën e madhe të popullit, të bashkuar me entuziazëm dhe devocion të paparë.
Kjo Meshë e hoqi frikën prej zemrave të besimtarëve.
Mbylli sytë më 11 nëntor 1998, në duart e françeskanëve të rinj, duke parë si lulëzonte përsëri provinca e Zojës Nunciatë, së cilës ia kushtoi veprat e humbura e ato që nuk humbasin kurrë.
Frati që po kujtojmë sot, Atë Leon Kabashi, pushon në paqe në Varrezën e Rrëmajit, pranë sivëllezërve të mirënjohur për shenjtëri e kulturë, si Atë Aleks Baçli e Atë Viktor Volaj.




Burimi/Facebook/Ndoc M Shaben


Leave a Reply