Në një letër publike nga burgu, Elvis Shkambi iu është drejtuar qytetarëve të Shqipërisë lidhur me ngjarjen tragjike të 6 tetorit 2025 në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku humbi jetën një gjyqtar dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Shkambi shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Kalaja dhe pranon se veprimi i tij ishte i gabuar dhe i pajustifikueshëm, ndonëse i nxitur nga një “padrejtësi ekstreme gjyqësore”. Ai thekson se vendimi i gjykatës ishte “skandaloz dhe i ndikuar nga faktorë të jashtëm”, që sipas tij synonte “grabitjen e një titulli ekzekutiv” që lidhej me çështjen e xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, i cili prej 13 vitesh ishte “bërë viktimë e sistemit gjyqësor”.
Në letër, Shkambi thotë se pas ngjarjes është dorëzuar vetë dhe se ka pranuar përgjegjësinë për veprën penale, por kërkon nga qytetarët që të luftojnë padrejtësitë ligjore me mjete të drejta, pa kaluar “vijën e kuqe”.
Ai kritikon ashpër një pjesë të gjyqtarëve që i quan “të ligj dhe pa moral”, duke thënë se “peshorja e drejtësisë në Shqipëri është bërë thuajse abstrakte”.
Në fund, u drejtohet fëmijëve të gjyqtarit të ndjerë, duke i nxitur të kërkojnë të vërtetën dhe të kuptojnë se “ata që shtynë babain e tyre të marrë një vendim të padrejtë janë po aq fajtorë sa ai vetë”.
Shkambi përfundon me fjalët:
“Zoti i bekoftë dhe i nderoftë të gjithë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë.”
Burimi/Facebook/Vatani News


Leave a Reply