Ky projektligj ideologjikisht shtyn përpara axhendën liberale dhe i shërben ekspansionit të një lëvizjeje që ka për qëllim një shoqëri tjetër, krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të projektojë, imagjinojë apo dëshirojë pjesa tjetër e shoqërisë. Më tepër se termat për të cilat alarmohen aktivistët pro familjes, adresimi i projektligjit kundër atyre që ai i quan “stereotipe” dhe “role gjinore”, është një tregues i fuqishëm i impaktit të feminizmit radikal si dhe frymës agresive antitradicionale dhe antikonservatore që e shoqëron hartimin e këtij teksti.
Si i tillë ky projektligj nuk është aspak konsensual dhe nuk fton në mirëkuptim midis faktorëve të ndryshëm kulturorë në shoqëri, apo të paktën të ofrojë neutralitet si një garanci lirie dhe gjithpërfshirjeje. Vetë fakti që hartuesit, këmbëngulin që, megjithë reagimet e mëdha, të mos eleminojnë ato terma të cilët krijojnë alarm tek pala tjetër, tregon se këtu ka një kokëfortësi imponuese konfliktuale që nuk pranon tolerancë.
Përndryshe çfarë do kishte humbur shoqëria nëse projektligji negocionte zëvendësimin e termave të tillë si “identitete gjinore”, “shprehje gjinore”, apo “përkatësi të shumëfishta”, për të cilat vetë mbrojtësit e projektligjit thonë se janë keqkuptuar? Nëse janë keqkuptuar, zëvendësojini termat që të mos mbetet vend për keqkuptim! Përse nuk e bëjnë këtë? Sepse nuk pranojnë të bashkëndajnë hapësirën terminologjike të legjislacionit, që do të thotë se nuk pranojnë të bashkëndajnë mjedisin e përbashkët social ku jemi të detyruar të bashkëjetojmë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply