Pllumi: Shënoi rilindjen e mendimit e fjalës së lirë
#Nga, Bardhyl UKCAMAJ
Ka njerëz që, edhe kur largohen fizikisht nga kjo botë, mbeten përjetësisht të pranishëm në kujtesë, në shpirt, në ndërgjegjen e kombit. Një prej tyre ishte dhe do të mbetet përherë i paharruar At Zef Pllumi. Kam pasur nderin dhe bekimin ta kem mik të afërt për një dekadë të plotë, nga viti 1991 deri në vitin 2000, një periudhë që shënoi rilindjen e mendimit të lirë, të fjalës së lirë, të kulturës së burgosur për dekada nga diktatura më e egër në Europë.
Ishte koha kur Shqipëria sapo po zgjohej nga një makth gjysmëshekullor. Dhe në atë zgjim, zëri i At Zefit ishte më shumë se një thirrje shprese, ishte një dritë që vinte nga thellësia e ferrit komunist për të treguar se njeriu, edhe në rrethana çnjerëzore, mund të mbetet i ndershëm, i pastër dhe i paepur.
Unë e njoha At Zefin jo thjesht si një prift françeskan, por si një njeri me një inteligjencë të rrallë, me një kujtesë të jashtëzakonshme dhe me një shpirt që nuk dorëzohej përpara asgjëje. Kur i shkruante rreshtat e “Rrno vetëm për me tregue”, ai nuk shkruante vetëm kujtime. Ai ndërtonte një monument kulture dhe ndërgjegjeje. Ai i jepte zë të burgosurve pa varre dhe pa fjalë. Ai ishte kronikani i vërtetë i dhimbjes dhe dinjitetit shqiptar.
Ishte një enciklopedi e gjallë, një mbartës i pasurisë së trashëgimisë françeskane, një dëshmitar i gjallë i genocidit komunist ndaj elitës shqiptare dhe një urë lidhëse mes së kaluarës së ndritur dhe të ardhmes që po kërkonim të ndërtonim.
Kam kaluar kohe të tëra në biseda me At Zefin në Shkodër, në Tiranë, në shumë udhëtime e takime. Kujtoj sesi sytë i ndizeshin kur fliste për Pjetër Bogdanin, për françeskanët si At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Marin Sirdani… E gjithë kultura shqiptare e vërtetë, sipas tij, vinte nga dija, nga shpirti dhe nga përkushtimi. Dhe ai vetë ishte dëshmia më e qartë e këtij ideali.
Sot, kur shumë të rinj rrezikojnë të humbin në rrymat e zbrazëta të një bote iluzionare te rrjeteve sociale pa rrënjë e pa përmasë shpirtërore, mesazhi i At Zef Pëllumit bëhet më i domosdoshëm se kurrë.
Liria, siç na mëson At Zef Pllumi, nuk lind nga fasada e botës virtuale, por nga drita e së vërtetës së jetuar me guxim.
Ai nuk ishte viktimë. Ai ishte një triumf i shpirtit shqiptar.
Përulem sot, ashtu si dje, me nderim e përunjësi para disidencës shqiptare , dishepujt e lirisë. As tundimi i rremë i një “bote të re”, as qelitë e akullta të burgjeve nuk mundën të shuanin dritën e besimit të tyre. Ata qëndruan të pathyeshëm, duke dëshmuar me jetën e tyre se liria nuk është dhuratë, por sakrificë, nuk është kompromis, por ideal i përjetshëm.
Në heshtjen e amshimit, ti mbetesh zë lirie e besimi për ne, miku i perjetshem At Zef.
Burimi/Facebook/Gazeta Nikaj-Mërtur Faqja Zyrtare


Leave a Reply