Ka ca njerëz që nuk janë njerëz, janë llafe me këmbë.
Nuk kanë jetë, nuk kanë tru, nuk kanë punë – kanë vetëm një gjuhë që s’pushton.
Dhe gjuha e tyre është si kazan plehrash që rrotullohet gjithë ditën:
Bën zhurmë, përhap erë, por kurrë nuk jep asgjë me vlerë.
Janë këta lloj llafazanësh që nuk të njohin fare, por flasin për ty sikur të kishin jetuar në barkun tënd.
Asnjë ditë nuk e kanë parë punën tënde, por të bëjnë biografinë.
Asnjë kafe nuk kanë pirë me ty, por të numërojnë sheqerin.
Nuk e dinë as ngjyrën e syve të tu, por të recitojnë si poetë të lagjes “çfarë bën, kë sheh, kë do, kë urren”.
Janë thjesht kllounë me mikrofon të improvizuar: Kafeneja e lagjes.
E vetmja diplomë që kanë është fjala “ashtu kam dëgjuar”.
Ky është universiteti i tyre.
Ky është doktorati i tyre.
Dhe laboratorin e kanë një tavolinë të mbuluar me filxhanë kafeje bosh.
Janë shkencëtarë të thashethemeve, profesorë të shpifjes, akademikë të injorancës.
Në fakt, nuk janë gjë tjetër veçse Google i prishur:
Kërkon “dritë”, del “errësirë”.
Kërkon “fakt”, del “trill”.
Kërkon “jetë”, del “llafe”.
Por çfarë bëjnë?
Zënë vend. Sepse injoranca gjithmonë gjen vend. Edhe kur nuk e fton, hyn vetë, ulët në mes të dhomës dhe flet pa pushim.
Sa më pak dinë, aq më shumë bërtasin.
Janë si altoparlantë bosh, që bëjnë vetëm zhurmë.
Si gjelat që këndojnë mendjemëdhenj në mëngjes – jo se sjellin ditën, por se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.
Si tullumbace të fryra me ajër të ndotur – sa më shumë e fryn, aq më e neveritshme duket.
E komikja është kjo:
Këta mendojnë se po të dëmtojnë ty.
Por në realitet, janë duke u zhveshur vetë para publikut.
Çdo fjali e tyre është një rrëfim për boshllëkun e tyre.
Çdo shpifje e tyre është një rrëfim për jetën e vet të dështuar.
Se kush ka tru, kupton menjëherë:
Nuk tregojnë kush je ti – tregojnë kush janë ata.
Dhe ata janë një hiç i madh, i mbuluar me zhurmë.
Prandaj, kur të flasin, mos u mërzit. Qesh.
Se nuk ke para sysh njerëz, ke një cirk falas.
Ata janë kllounët e përditshmërisë, hundë-kuqet e shpifjes, akrobatët e thashethemit.
Flasin për jetën tënde vetëm për të harruar se e vetja është një kaos i mjerë.
Dhe, në fund të fundit, a ka gjë më qesharake se dikush që shpik jetën tënde, ndërkohë që nuk di të menaxhojë të vetën?
Nuk di të paguajë qiranë, nuk di të mbajë familjen, nuk di të pastrojë llumin e vet, por kujdeset të të ndërtojë ty biografi.
Një zero që përpiqet të duket si numër.
Një hiç që përpiqet të bëhet histori.
E vërteta është kjo:
Injoranca e tyre nuk është fjalë, është diagnozë.
Nuk është mendim, është sëmundje.
Një epidemi që shpërndahet me gojë të lirë.
Dhe ata janë bartësit më besnikë të saj.
Burimi/Facebook


Leave a Reply