-Pjetër Arbërori debat me Gjon Sinishtën-
Në vitin 1993 erdhi në Tiranë Gjon Sinishta.
Në rini ishte rritur me vjehrrin tim, Matish Shestanin.
Rreth viteve ’50 – të ishte arratisur.
Për shumë vjet punoni si profesor në një nga universitetet e San Fransiskos.
Botonte një buletin të njohur në shumë qarqe akademike të botës.
Erdhi në Shqipëri dy herë.
Së pari në vitin 1991.
Takoi pas 40 vjetëve nënën. Ndënji një javë në shtëpinë tonë.
Së dyti, erdhi në vitin 1993 për të ndjekur vizitën e Papës në vendin tonë.
Kishte me vete dhe një kameraman.
Qëndroi për 10 ditë mysafir në shtëpinë tonë.
Donte të bënte edhe një reportazh për Shqipërinë.
Veç të tjerave donte të bisedonte me Sali Berishën, Pjetër Arbnorin, Nexhmie Hoxhën (në atë kohë e burgosur) dhe me tre kryetarët e feve.
Pjetër Arbnori na priti në zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Pjetri i tregoi për një roman që kishte shkruar në burg.
Hapi një sirtar dhe nxorri një kuti.
Brenda në kuti, në fletë cigaresh, me një shkrim të bukur, prehej romani.
– Me besimin te Zoti mendoj se një ditë romani do të botohet.
– Ju keni qenë në burg 28 vjet. Mos vallë Perëndia u kishte lënë në harresë? – pyeti Gjoni.
– Jo, jo. Përkundrazi!
Zoti më ka qëndruar gjithë jetën pranë.
Ishte Zoti, që i dha jetë nënës sime të rronte dhe ta gjeja të gjallë, kur dola nga burgu.
Vdiq në duart e mia.
Unë ia mbylla sytë.
Unë e varrosa.
Dhe kjo është vepër e Zotit.
Ishte po vullneti i Zotit, që në moshë të thyer, të martohem dhe të vëmë kurorë në kishë, me një vajzë të rrallë.
Dhe e do edhe një punë tjetër të bukur të Zotit?
Më fali dy fëmijë si drita: djalë e vajzë.
Unë dëgjoja si kallkan.
Fjala e Pjetrit më çorientoi.
Në gjendje shoku dëgjova rrëfimin e Gjonit:
– Edhe mua Zoti më ka qëndruar gjithmonë pranë.
Unë jam me kancer.
Mjekët më kanë dhënë 1 vit jetë.
Por Zoti më ka dhënë fuqi e besim për të përfunduar disa punë që i kam nisur 10 vjet më parë.
Kam lënë një amanet:
Hirin e trupit tim ta varrosni në Shkodër.
Ishte radha e Pjetrit që të përlotej.
Mua më dukej sikur jetoja jashtë kohe…!
Në vitin 1994 Gjoni vdiq.
Dy vjet më vonë, Tereza dhe Majkëlli, gruaja dhe djali i Gjon Sinishtës, sollën në Shkodër një kuti me hirin e trupit të Gjonit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply