Një grup të rinjsh nga Shkodra dhe jo vetëm, pak ditë më parë morën rrugën për në Zogaj, një zonë turistike me shumë vlera gjeostrategjike për Shkodrën dhe mbarë vendin. Një kënaqësi tejet e madhe i kishte mbërthyer të rinjtë, teksa përgatiteshin shpirtërisht të emocinuar për të parë një vend, të cilin s’kishin patur rastin ta shihnin më parë. Imagjinata e tyre magjepsëse ishte ushqyer në fakt me foto të ndryshme të mundësuara nga interneti, por natyrshëm realja dhe origjinalja mbeten përherë jetëdhënëse.
Në një organizim gjallërues nisën të shijonin rrugën që të çonte për në Zogaj, duke nisur që nga kthesa e urës së Bunës. Nga e djathta e tyre i shoqëronte përherë një pamje mahnitëse e liqenit të Shkodrës, i cili, teksa gërshetohej me rrezet diellore përshndritëse dhe përvëluese të ngrohtësisë verore, i jepte liqenit një pamje mahnitëse dhe të pashlyeshme, vinin re një kontrast të madh, që sillte mungesa e investimeve në këtë zonë përgjatë vijës buzë liqenit, e cila në shumë segmente të saj mund të shfrytëzohej mjaft mirë duke ofruar ambiente të mrekullueshme, jo vetëm për Shkodrën, por për veriun dhe mbarë Shqipërinë.
Vinin re se rruga ishte transformuar në një kantier ndërtimi, teksa shprehnin habinë, se përse pikërisht gjatë sezonit veror zhvilloheshin të tilla punime, ndërkohë që shumë mirë mund dhe duhej të ishin kryer shumë kohë më parë, për t’u dhënë mundësi të gjithë banorëve dhe vizitorëve të shijonin atmosferën magjike dhe dobiprurëse që ofron kjo zonë plot dhunti e mrekulli.
Rrugës shikonin me habi shpatin malor, ndërkaq imagjinonin se sa shumë risurse mund dhe duhej të ishin ofruar prej vitesh tashmë, për të shijuar pamjen qetësuese të liqenit të Shkodrës, që për hir të së vërtetës rrallë ta gjesh diku tjetër. Teksa bënin një lloj krahasimi, se si kishte qenë ajo rrugë më parë, aq e ngushtë, sa mezi të kalonte një makinë, lëre të mendohej kalimi i dy makinave njëherazi dhe sa bukur që ishte zgjeruar aq shumë duke ofruar hapësira të bollshme për kalimin e automjeteve, madje në disa korsi, mendonin se kur diçka dëshirohet të realizohet dhe qëllimi është i mirë nuk ka gjë që mund ta ndalojë.
Të rinjtë u mahnitën nga bukuria natyrore që panë në Zogaj. Megjithëse një hapësirë e vogël në pamje të parë, shtrirja e shtëpive karakteristike, rrugicat e ngushta të kalldrëmta, hijeshitë që ofronin pemët shtatlarte, hapësira mjaft e këndshme e buzëliqenit që ndërthurte gurëzat e lëmuar me freskinë dhe ëmbëlsinë e dallgëzave, varkëzat e rreshtuara për bukuri që shfaqeshin sikur u bënin shoqëri një hapësire të gurtë që qëndronte sipër tyre dhe disa shkallëzave, që në fakt kishin ngelur të vetmuara, i jepnin zonës Zogaj një tjetër hijeshi dhe domethënie.
Të rinjtë shprehnin keqardhje, pasi shihnin një zonë të shpopulluar, ku mungonte dora e mjeshtërisë njerëzore, lëvizjet dhe gjallëritë e fëmijëve, të rinjve dhe më të rriturve. Imagjinata rinore e tyre i çonte të ëndërronin një tjetër pamje magjike që duhej të mbizotëronte aty, kështu varkëzat të mos rrinin ashtu të heshtura, por të viheshin gjithnjë në lëvizje duke përshkuar sipërfaqen e pafundmë dhe magjepsëse të liqenit me vizitorë të ndryshëm jo vetëm nga Shqipëria, por pse jo edhe nga e mbarë bota, ku hapësirat argëtuese për të vegjlit dhe të rriturit të mos mungonin, por të zinin vendet e tyre në çdo cep, ku natyra të mos rënkonte në heshtjen e saj, por të gëlonte nga gjallëria njerëzore, e për rrjedhojë kjo zonë do forcohej shumë më tepër në aspektin ekonomik, e për pasojë s’do kishte qenë i nevojshëm emigrimi i shumë të rinjve dhe banorëve të zonës e më gjerë.
Habia e të rinjve s’mbaronte këtu, pasi shihnin edhe turistë të huaj që vinin me biçikleta, të cilët i gëzoheshin kësaj bukurie mrekulluese, dhe s’arrinin t’i jepnin një kuptim, se përse vendasit, të zotët e kësaj hapësire plot hire kanë qenë të detyruar ta braktisin këtë fortesë prej kohësh në kërkim të yjeve në qiellin e hapur. Habia e tyre shoqërohet më pas edhe me një mikëpritje të ngrohtë dhe bujare nga ato pak banorë të zonës që kanë ngelur aty, të cilët ofrojnë disa gatime tradicionale me shijet e të cilave urojnë mirë se ardhjen vizitorëve duke uruar “Ju lumshin këmbët!”
Të shumta janë pikëpyetjet që marrin me vete të rinjtë si:
-Përse Zogaj të ngelet e boshatisur?
-Përse të tilla shërbime në rrugë janë lënë kaq vonë?
– Përse të mungojnë investimet, që duhej t’i jepnin jetë e gjallëri liqenit të Shkodrës?
-Përse brezi i ri të mos e gjej veten në një të tillë vend kaq jetëdhënës?
-Përse të mos ketë një institucion arsimor dhe kulturor në këtë hapësirë, ku buzëqeshjet fëmijërore dhe rinore t’i japin akoma më shumë shpresë bukurive të tilla?
-Edhe sa kohë duhet pritur për një ripërtëritje dhe ringjallje të frymës njerëzore, historike e kulturore, që t’i japë vrull jo vetëm Shkodrës, por mbarë rajonit?
Zogaj ngelet aty, në pritje, si gjithnjë, por mendja njerëzore ka për detyrë të lëvizë.
Vallë a na pret bukuria natyrore, kur mungon dora e qenies njeri?!…
Burimi/Facebook


Leave a Reply