Elbasan, 4 qershor–Dita e Shën Joan Vladimirit/ MANASTIRI I SHËN JOAN VLADIMIRIT
VENDI KU U KULTIVUAN SHKRIMET SHQIPE
Nga Andre Llukani
Me shkatërrimin e Akademisë së Voskopojës, për tu shpëtuar përndjekjeve, shumë dijetarë gjetën strehë në manastirin e Shën Joan Vladimirit, duke e kthyer atë në qendër ku u bënë shumë përkthime, me anën e të cilave u kultivua gjuha shqipe. Këtë fakt e vërtetojnë dorëshkrimet e shumta që janë gjetur në manastir. Duhet theksuar se Elbasani në atë kohë ka qenë rezidenca e Mitropolitit të Durrësit. Manastiri i Shën Joan Vladimirit ka qenë një qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe, sepse aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të fuqishme të kohës si Papa Totasi, Dhaskal Todri, Imzot Visarion Xhuvani etj. Në manastirin e Shën Joan Vladimirit është shkruar kodiku i 41-të i Beratit, miniaturat e të cilit janë punuar nga një piktor perëndimor me porosi të princit Karl Topia. Në manastirin e Shën Joan Vladimirit në vitin 1949, u gjet një tekst liturgjik, i quajtur “Anonimi i Elbasanit”.Teksti përbëhet nga pjesët e katër ungjijve, shkruar me një alfabet të veçantë, i përdorur për nevoja liturgjike. Teksti nuk e përmend emrin e autorit dhe vitin e shkrimit, prandaj u emërtua si anonim. Mendohet se ka qenë ndonjë murg ose klerik i manastirit të Shën Joan Vladimirit. Përkthimi është i lirë, në të folmen e Elbasanit dhe ka pak fjalë të huaja. Nga gjuha e dorëshkrimit kuptohet se shkruesi ka qenë njeri i ditur. Kjo vepër prej gjashtëdhjetë faqesh u shpëtua nga studiuesi elbasanas Lef Nosi, kur manastiri i Shën Joan Vladimirit u dogj më 18 mars 1944. Në tekst është i shkruar emri i një kleriku, Papa Totasi, i cili ishte prift, nga Shpati dhe ka jetuar në shekullin XVIII. Epitrop i manastirit të Shën Joan Vladimirit ka qenë Theodhor Haxhifilipi, i njohur me emrin Dhaskal Todri, i cili ka studiuar në Akademinë e Voskopojës. Ai ka qenë mësues dhe predikues i zellshën i kishës ortodokse. Për të plotësuar dëshirën e dëgjuesve të tij, ai ka përkthyer shqip libra të shumtë fetarë si: Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatën e Re, Liturgjinë e Shën Joan Gojartit dhe Librin e Orëve. Gjatë përkthimit të Liturgjisë ka ndjekur fjalë për fjalë tekstin greqisht, duke mos e përshtatur siç duhet me gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e shkrimeve të tij u dogj pas vitit 1827, kur ra epidemia e kolerës. Prej tyre shpëtoi Liturgjia e Joan Gojartit, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në një kopje të mëvonshme, të kopjuar nga igumeni i manastirit të Shën Joan Vladimirit, Haxhi Josifi. Sipas traditës gojore biblioteka e manastirit të Shën Joan Vladimirit ka pasur shumë libra, por fatkeqësisht, gjithçka është zhdukur. Në bibliotekën e manastirit gjendej një libër, i cili titullohej “Nomokanon”. Duke hulumtuar nëpër dokumentet arkivore kemi gjetur se besimtarë bamirës i kanë dhuruar bibliotekës së manastirit libra të ndryshëm. Kështu më 15 dhjetor të vitit 1824, epitropi i shkollës së Kalasë, Mimë Bibaja i ka dhuruar manastirit një libër liturgjik në greqishten bizantine, (Kririakodhromion), i cili qe botuar në Moskë në vitin 1796. Edhe të huajt kanë synuar të grabisin vlerat kulturore të manastirit, nën petkun e mikut dhe herë nën petkun e armikut. Thuhet se rreth viteve 1900, konsulli rus i Manastirit vizitoi manastirin e Shën Joan Vladimirit dhe mori kodikun e dhuruesve. Ja ç’thuhet sipas një dokumentit arkivor: “Sot 2/5-40 vjet ardh nga manastiri i dyti mbret i Rusis n”Elbasan edhe bashkë me Jorg Bufin çelën në çardhak të kishës së Shijonit dy arka me libra të vjetër. Gjetën një libër të madh me kapak dërrase dhe të tjera, ndër të cilat edhe një ferman të Skënderbeut edhe i muarën si dorovitën igumenin Haxhi Grigorin e Papa Anastasin….Murën edhe ikonën e vjetër të proskomidhisë që ishte shkru në të, afierosja që nga Karl Topia”. Në manastirin e Joan Vladimirit është gjetur një dorëshkrim “Vajtimet e përmbivarëshme të Krishtit”. Dorëshkrimi është shkruar nga Papa Jani i Paparistos dhe i përket shek. XIX. Ky i fundit ka qenë prifti i fshatit Godolesh të Elbasanit. Pasi u islamizua fshati, u vendos në manastirin e Shën Joan Vladimirit. Në manastirin e Shën Joan Vladimirit ka qenë edhe një Sinaksar, të cilin e ka marrë një korçar që ta ngjiste dhe e humbi. Kjo ka ngjarë në kohën që ka qenë igumen i manastirit Papa Jorgji. Në një kodik të Manastirit të Shën Joan Vladimirit tregtari elbasanas Kostandin Andoni në vitin 1836 ka nënshkruar shqip me alfabetin e Dhaskal Todrit.



Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply