Vizita ime në Nikaj Mertur: Zhurma e premtimeve, çfarë mbeti pas tyre.
Besnik Nikoll Palnikaj
Stina e bukur e veres sapo ka trokitur, dielli përvelon kreshtat e maleve dhe rrjedhat e kristalta të Nikaj Merturit. Ai ngroh edhe gurët e vetmuar, por jo shputat e udhëtarëve. Në një kohë kur Shqipëria “mburret” për turizëm e zhvillim, kur bregdeti nuk di më ku t’i vë çadrat dhe Valbona gëlon nga hotelet dhe zhurma e pushuesve, në Nikaj Mertur gjen vetëm heshtje. Heshtje e thellë. E atillë që të ngulfat si mjegulla e vjeshtës nën majën e Hekurave.
Në këtë cep të Tropojës, ku hijet e maleve janë më të gjata se dita, turizmi është veç një fjalë e bukur në gojën e ndokujt, jo një realitet që prek tokën. Jashtë stacionit të Rajës tek trageti dhe hotel restorantit me të njëjtin emër, çdo gjë tjetër është lënë në mëshirën e harresës. Mbi asfaltin e pashtruar, mbi urat që nuk i mban dot as malli, mbi shtigjet që ndjek vetëm çobani me qen, nuk kalon më as një premtim.
Përtej fjalëve të bukura të njëmbëdhjetë majit, që ende kumbon në vesh si një këngë e lodhur fushate, sot nuk ka as edhe një gërmë. As edhe një angazhim serioz, as edhe një tabelë orientimi, as edhe një qoshkë pushimi ku udhëtari të ndalet e të thotë: “këtu ia vlen me ardhë”. Ndërkohë, në fshatrat e tjerë të Tropojës, ka filluar një lëvizje: ndonjë rrugë e rregulluar, ndonjë shteg i shënjuar, ndonjë bujtinë që mbledh turistë e shpresë. Por këtu jo. Në Nikaj Mertur, as Lekbibaj nuk ka dëgjuar asnjë trokitje për investim.
E ndoshta fajin e ka edhe durimi ynë i gjatë. Se jemi mësuar të presim. Malet janë mësuar të durojnë erën dhe dimrin, por njerëzit jo. Ata janë lodhur. Kush ka mundur, është larguar. Kush ka mbetur, ose nuk ka ku shkon, ose është nga ata që ende besojnë.
Ka përpjekje, të pakta e individuale, nga ndonjë banor që nuk e ka humbur besimin. Disa kanë hapur shtëpitë për mik, disa kanë shpallur shtigje në rrjete sociale, disa kanë ndërtuar çadra mbi gurë e dru. Por nuk mjafton. Sepse turizmi nuk ecën me një grusht njerëzish të mirë. Ai ecën me rrugë, me rregulla, me plane, me mbështetje. Dhe mbi të gjitha, me vëmendje.
Për sa kohë Nikaj Merturi të mbetet veç një emër në hartë, për sa kohë Lekbibaj të shërbejë vetëm për statistikë elektorale, për sa kohë heshtja të jetë përgjigjja e vetme pas çdo pyetjeje për zhvillimin, atëherë kjo zonë do të mbetet e bukur vetëm për zogjtë e malit. Dhe për ne që e duam pa kushte.
Por dashuria nuk mjafton. As natyra e mrekullueshme nuk mjafton. Duhet zgjim. Duhet zë. Duhet llogari. Se malet nuk flasin, por ne duhet të flasim për to. Jo vetëm në maj, por çdo ditë.
Burimi/Facebook/Nikaj Mertur News


Leave a Reply