Burgu i Spaçit nuk ka nevojë për bojëra. Nuk ka nevojë për fasadë. Nuk ka nevojë për “restaurim” që fshin gjurmët e së vërtetës. Ai është një plagë kombëtare, jo një dekor për turistë. Aty u bë mizoria më e madhe që ky vend ka parë në shekullin e kaluar. Aty u zhdukën ëndrra, u thyen kocka, u vranë njerëz vetëm sepse mendonin ndryshe. Dhe mes atyre mureve të lagështa e atyre galerive pa dritë, vuajti edhe im atë 12 vjet i dënuar politik në ferrin e Spaçit.
E kush e ka jetuar Spaçin e vërtetë, nuk mund ta shoh sot të kthyer në një kulisë turistike, të lyhet me ngjyrat e harresës e të mbulohet me ndonjë slogan të mjerë. Jo, ferri nuk dekorohet. Ai dëshmohet. Ai ruhet ashtu siç ishte me thonjtë e thyer mbi shkëmb, me gjakun që s’pastruan dot as shirat, me fishkëllimat e policëve dhe zërat e ulët të atyre që nuk donin të dorëzoheshin.
Të zbukurosh Spaçin, do të thotë të përdhosësh sakrificën. Do të thotë t’i thuash tim eti, dhe mijëra të tjerëve si ai, që vuajtja e tyre nuk ka më rëndësi, se koha e ka ndryshuar narrativën, se vuajtja nuk është më interesante për vizitorët. Po ne nuk harrojmë. Ne nuk lejojmë që kujtesa të tjetërsohet. Çdo tullë, çdo qeli, çdo e çarë muri është dëshmi. Jo atraksion. Jo kartolinë.
Unë nuk e dua Spaçin si qendër turistike me drita LED, me tabela informative të sterilizuara dhe të miratuara nga komisione që s’kanë kaluar kurrë nga ai vend. Unë e dua si dëshmi. Si vend reflektimi. Si vend ku të rinjtë e sotëm mësojnë çmimin e lirisë. E nuk ka liri pa të vërtetë. Nuk ka të ardhme pa ballafaqim me të shkuarën.
Kjo ndërhyrje që po bëhet, pa dëgjuar zërat e atyre që vuajtën, pa konsultuar të mbijetuarit, pa ndjeshmëri, është një tjetër dhunë. Një dhunë moderne, më e rafinuar, që zhduk kujtesën me lezet, që hesht zërat e viktimave në emër të “zhvillimit” dhe “kulturës”.
Por kujtesa nuk është projekt arkitektonik. Kujtesa është një akt moral. Dhe Spaçi nuk kërkon restaurim. Ai kërkon drejtësi. Ai kërkon dinjitet. Kërkon të qëndrojë siç ishte, i zhveshur, i dhimbshëm, i ftohtë, i vërtetë.
Nëse duam t’i nderojmë ata që u burgosën për fjalën, për mendimin, për flamurin pa yll, le ta lëmë Spaçin të flasë vetë. Mos e zbutni. Mos e zbukuroni. Mos i bëni makiazh vuajtjes.
Sepse një popull që lejon të tjetërsohet kujtesa e tij, është i destinuar ta përsërisë tragjedinë. Dhe atëherë, nuk do të jetë më vetëm një muze i gënjeshtërt. Do të jetë një komb i gënjyer.

Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply