Kosova ne ditaret e kronikanit turk Evlija Celebi, i cili erdhi dy herë në kete hapsire në vitet 1660 dhe 1662
Kosova, 400 vjet ne udhëpërshkruesit e huaj
“Si udhëtar në këtë epokë pararomantike, Evlijas nuk i bënë shumë përshtypje peizazhet e bukura, bjeshkët e larta, pyjet e thella. Ai ishte njeri urban. I pëlqente zhurma e pazarit, kënaqësitë shoqërore të mikpritjes, qejfi i hamamit. Kështu e përshkruan ai Gjakovën: “Duke vazhduar rrugën arritëm në qytetin e Gjakovës. Ka një Gjakovo tjetër në sanxhakun e Pozhegës, por kjo Gjakovë është në sanxhakun e Dukagjinit. Është një qytet i begatë me pamje tërheqëse me 2,000 shtëpi, të gjitha me çati dhe kopshte. Qeveriset prej një voyevode dhe një kadie me rrogë 150 akçe. Ndërtesat publike gjenden në një rrafsh të gjerë dhe përfshijnë dy xhami të zbukuruara, disa mesxhide, dy hane me çati plumbi, të cilët tani për tani janë të mbushura me peksimadhe dhe municione për fushatën e Kotorrit, një hamam të mrekullueshëm dhe rreth 300 dyqane si fole bilbilash. Për shkak të klimës së butë, djemtë e rinj janë shumë të bukur.”
Nga John Hodgson
Kur arrita në Kosovë në vitin 1980, për të punuar si lektor i Këshillit Britanik në Fakultetin Filozofik, nuk dija asgjë për Kosovën dhe historinë e saj. Nuk dija as gjuhët që fliteshin aty,pra, nuk dija as shqip as serbokroatisht. Së pari, m’u desh të prisja tre muaj për të marrë vizën nga autoritetet e atëhershme të Jugosllavisë dhe gjatë asaj kohe lexova librin më të famshëm në gjuhën angleze për Jugosllavinë, “Qingji i Zi dhe Skifteri Gri” nga Rebecca West, në këtë libër janë disa kapituj për Kosovën, por gati gati pa i përmendur fare shquptarët. Kështu që kur zbrita nga treni ekspres ndërkombëtar “Akropolis” në stacionin e Fushë Kosovës në orën gjashtë të një mëngjesi të ftohtë dhjetori, isha plotësisht i painformuar ose ndoshta i keqinformuar për këtë vend ku do të jetoja dhe punoja.
Por vetëm disa ditë më vonë, kolegu im i fakultetit Shaqir Shaqiri, më tregoi për Edith Durhamin dhe më dha për të lexuar një fotokopje të librit të saj të mrekullueshëm “Shqipëria e Epërme.”
Pastaj zura të lexoja me zell udhëtarët e shumtë që kishin përshkruar trevat shqiptare në shekujt XIX-të dhe XX-të. Natyrisht që këta udhëtarë më interesuan mua si i huaj në Kosovë, se ata kishin qenë të huaj, që e përshkruanin Ballkanin për një publik të huaj, por ishte e qartë se librat e tyre patën interes edhe për vendasit. Siç e dimë të gjithë, historia e shkruar e vendeve ballkanike ka qenë e nënshtruar ndaj shtrembërimeve dhe manipulimeve të shumta të ideologjive nacionaliste ose komuniste. Këta udhëtarë të huaj shpesh përshkruanin ngjarje dhe skena ashtu siç i kishin parë me sytë e tyre, duke u bërë dëshmitarë okularë e kështu minuan ose me dashje ose tërthorazi historitë zyrtare të kohëve moderne.
Me këtë nuk dua të them se këta udhëtarë ishin gjithmonë të paanshëm dhe plotësisht për t’u besuar. Ata erdhën në Ballkan me paragjykimet e tyre kulturore, politike dhe fetare, me këndvështrime thellësisht personale dhe me psikologjinë e epokës së tyre. Sidomos udhëpërshkruesit e shekullit të XIX-të rëndom japin gjykime përgjithësuese për mendësinë e shqiptarit, të serbit ose të turkut, të cilat për mendimin tonë modern na duken thellësisht raciste.
Ata patën edhe verbëritë e tyre të çuditshme, nuk mund të mos përmend një thënie të urtë të profesorit tim të historisë në shkollë. Ky profesor pati ndërmarrë një udhëtim me një grup të organizuar nëpër Bashkimin Sovjetik në vitin 1930. Siç na tregoi neve, nxënësve të tij, kishte udhëtuar nëpër Ukrainë në kohën kur fushata e kolektivizimit të dhunshëm ishte në kulm, kur mijëra në mos miliona fshatarë po vdisnin nga uria, ndërsa ai vetë nuk pa asgjë anormale. Kështu, na tha, të mos kemi kurrë besim te dëshmitarët okularë.
Shumica e udhëpërshkruesve për të cilët do të flas janë anglezë, që erdhën në periudha të vështira historike, kur Perandoria Osmane ishte në rënie dhe Kosova kërcënohej nga lufta dhe pushtimi. Për këtë arsye dua të filloj me një udhëpërshkrues, më të madhin e të gjithëve, i cili erdhi në një kohë kur Kosova ishte e pasur, në paqe dhe stabilitet. Evlija Celebi, i cili brodhi nëpër Evropë prej Holandës deri në Kaukaz, pastaj deri në Egjipt dhe Arabi. Ai i përshkroi udhëtimet e tij ne Seyahatname-n e tij të famshëm dhjetë-vëllimësh, një klasikë e letërsisë osmane, Evlija Celebi erdhi dy herë në Kosovë në vitet 1660 dhe 1662.
Në udhëtimin e parë, ai kaloi prej Zveçanit deri në Kaçanik, duke përcjellë guvernatorin Melik Ahmed Pasha, i cili po transferohej nga Bosnja në Rumeli, nga Banja Lluka e sotme deri në Sofje.
Dy vite më vonë, ky Pasha e dërgoi Evlijan në Shqipëri për të mbledhur borxhet. Pasi kishte parë dhe kishte kaluar nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë së sotme ai kaloi përmes qafave malore të veriut dhe mbërriti në Gjakovë.
Si udhëtar në këtë epokë pararomantike, Evlijas nuk i bënë shumë përshtypje peizazhet e bukura, bjeshkët e larta, pyjet e thella. Ai ishte njeri urban. I pëlqente zhurma e pazarit, kënaqësitë shoqërore të mikpritjes, qejfi i hamamit. Kështu e përshkruan ai Gjakovën:
“Duke vazhduar rrugën arritëm në qytetin e Gjakovës. Ka një Gjakovo tjetër në sanxhakun e Pozhegës, por kjo Gjakovë është në sanxhakun e Dukagjinit. Është një qytet i begatë me pamje tërheqëse me 2,000 shtëpi, të gjitha me çati dhe kopshte. Qeveriset prej një voyevode dhe një kadie me rrogë 150 akçe. Ndërtesat publike gjenden në një rrafsh të gjerë dhe përfshijnë dy xhami të zbukuruara, disa mesxhide, dy hane me çati plumbi, të cilët tani për tani janë të mbushura me peksimadhe dhe municione për fushatën e Kotorrit, një hamam të mrekullueshëm dhe rreth 300 dyqane si fole bilbilash. Për shkak të klimës së butë, djemtë e rinj janë shumë të bukur.”
Në udhëtimin e tij dy vjet më parë, ai kishte përshkruar qytetin e Vushtrrisë dhe veshjen karakteristike të banorëve, duke vazhduar rrugën për në Tyrben e Sulltan Muratit në Rrafshin e Kosovës: Ja Vushtrria:
“Qyteti ka dymijë shtëpi me dy kate prej guri dhe të mbuluara me tjegulla. Në treg janë vakëfet e Hodovendiqarit dhe xhamia e vjetër, medreseja, teqeja. Afër ndërtesës se gjyqit është edhe një banjë e errët. Tregu është i vogël dhe nuk ka bezisten e imarete. Pasanikët e qytetit i presin dhe i përcjellin miqtë me kënaqësi të plotë.” [Në vitet 80 të shekullit të fundit kjo ‘banjë e errët’ ende ishte në punë; ashtu ishte tregu, edhe mikpritja, jh]
Vushtrria ndodhet në rrëzë të maleve Nuraberda, në një fushë plot me vreshta. Nëpër këtë fushë kalon lumi i vogël Llapi, i cili buron nga Shqipëria dhe bashkohet në Moravë afër Mitrovicës. Banorët e Vushtrrisë janë komb i Rumelisë. Ata flasin shqip e turqisht. Nuk e dëgjova të folurën boshnjake. Banorët veshin rroba të punuara me cohë dhe qyrk me lëkurë sqarthi. Në kokë vënë kallpakë të kuq me kurorë të ulët e rrethi i ngushtë i kësaj kësule është i zi.
Meshkujt e rritur mbajnë një brez në të cilin ngjeshin thikën; ata veshin tirqe të kuq me komça argjendi dhe mbathin këpucë të kuqe.
U larguam nga Vushtrria dhe duke ndjekur drejtimin e bregut të Llapit nëpër Fushë Kosovë mbërritëm në Tyrben e dëshmorit Gazi Hodovendiçarit, e cila nuk kishte kujdestar e shërbëtorë.
E vizituam tyrben, që gjindet në një shkretëtirë në brigjet e Llapit, ku zemra fisnike dhe organe të tjera të brendshme të Sulltan Muratit të Parë janë varrosur në një tyrbe me një kupolë të lartë. Një betejë e madhe ndodhi këtu në vitin 792, në të cilën Koblaki i mallkuar dhe ogurzi martirizoi sulltanin e mrekullueshëm. Sulltanit ia hapën barkun veshkat, mëlçia dhe zemra e tij u nxorën dhe u varrosën këtu. Më vonë është ngritur kjo tyrbe e lartë nga Sulltani Bajazidi I i mbiquajtur Rrufeja.[i Rrufeshëm? Sultan Bajezid the Thunderbolt]
Një gjë e çuditshme ndodhi ndërsa po hynim në këtë tyrbe. Xhybeja e Zotërisë sonë Melek Ahmed Pasha u ndot nga pisllëku. Mesa duket, të gjithë rajatë e pafe nga fshatrat përreth ndaleshin në këtë tyrbe gjatë rrugës për në Prishtinë e Vuçiterrnë dhe kryenin këtu nevojën, si për ta fyer. Melek Ahmed Pasha u tërbua kur pa pisllëkun dhe ndjeu erën e keqe.
“Zotëri,” i thashë, “kaurin ogurzi, i cili e vrau këtë sulltan e kanë vendosur në një mauzole të bukur në një manastir në një mal këtu afër, vendi rreth e rrotull është i ndriçuar me llamba, me xhevahire si edhe me aromën e ambrozit dhe të myshkut. Manastiri mbahet me dhurata bujare dhe atje shërbejnë priftërinj, të cilët çdo ditë e çdo natë presin mysafirë kalimtarë, edhe myslimanë edhe të pafe. Ndërsa tyrbeja e sulltanit tonë fitimtar nuk ka asnjë institucion ose kujdestar për ta ruajtur. Kësodore të gjithë të pafetë vijnë dhe pabesisht kryejnë nevojat e tyre këtu. Duhet të thërrisni të pafetë nga fshatrat përreth që ta pastrojnë dhe meremetojnë tyrben. Duke marrë një sasi monedhash nga rrethi i Zveçanit, mund të ndërtohen mure të forta rrethuese dhe mund të emërohet një kujdestar për të jetuar këtu bashkë me familjen.”
Me këtë pashai i dha popullit të vilajetit dy qese me kurush dhe thirri rajatë nga rrethinat për ta pastruar tyrben. Brenda një jave ata ndërtuan një mur të lartë rreth tyrbes me një portë të lartë që të mos hynin njerëz mbi kuaj. Ata mbollën 500 pemë frutore dhe hapën një pus. U emërua një kujdestar për të jetuar atje bashkë me familjen, të cilit iu caktua një rrogë e rregullt nga vojvoda i Zveçanit. Detyra e tij ishte që të kujdesej për qilimat e mëndafshtë, shandanet, enët për aroma, enët me ujë trëndafili dhe llambat në tyrben e ndritur. Tëparët e vilajetit caktuan një zyrtar si mbikëqyrës të vakëfit. Kështu u bë një vepër e madhe bamirësie dhe kjo tyrbe është bërë vend pelerinazhi — Zoti e bekoftë me mëshirën e tij!
Vetëm dy shekuj më vonë hasim udhëtarë që e përshkruajnë Kosovën me kaq jetë dhe gjallëri.
Shumica e udhëpërshkruesve me të cilët do të merrem janë anglezë të shekujve XIX-të dhe XX-të. Ata erdhën në Ballkan për arsye të shumëllojshme dhe është me vlerëvetëm t’i kuptojmë në këtë mënyrë arsyet dhe publikun për të cilët shkruanin, që të mos i marrim shkrimet e tyre gjithmonë si objektive dhe të paanshme.
Disa ishin oficerë ushtrie në kërkim të aventurës dhe ndoshta të dhënë pak pas gjuetisë. Edmund Spencer, autori i disa librave udhëtimesh në Lindjen e Mesme, botoi “Udhëtime në Turqinë Evropiane në 1850.” Ai hyri në Kosovë nga Mali i Zi dhe kaloi përmes Gjakovës për të dalë në Shkup. Ai e shënoi këtë përshkrim të Prizrenit në një gjendje të tendosur për shkak të kryengritjes kundër reformave të Tanzimatit në Shqipërinë e Mesme:
“Gjatë këtyre pak ditëve që kalova në Prizren kishte një rrëmujë të madhe ndër banorët. Përveç lajmeve politike nga Bosnja, të sjella prej Veli Beut, u shpërndanë gjithandej historitë më alarmuese lidhur me kryengritjen e arnautëve në Shqipërinë Qendrore.
Sa interesant është të shohësh zallahinë dhe gjallërinë ndër këta myslimanë zakonisht të urtë dhe seriozë. Kafenetë u mbushën me njerëz të politikës, që diskutonin ngjarjet e ditës me aq pasion sikur të ishin francezë. Të gjithë armëpunuesit e qytetit ishintë zënë me shumë punë. Topat e ndryshkur po viheshin në gatishmëri. Muratorët dhe marangozët punonin me zell për të riparuar muret dhe për t’i forcuar me dërrasa prej dru lisi si pengesa mbrojtëse kundër kalorësve që rrethuan kalanë. Sigurisht ishte jo më pak interesante të shihje arnautët e shumtë paqësorë dhe të butë me bajraktarët e tyre dhe rajatë me koxhibashët e tyre, që vraponin nga fshatrat përreth për të kërkuar mbrojtjen nën topat e kështjellës, me gomerë dhe mushka të ngarkuara rëndë me fëmijë dhe pasuri të tundshme me vlerë.”
Shumë prej udhëpërshkruesve kishin edhe talent artistik dhe këtu në faqen e parë të librit të Spencerit është vizatimi i një hani diku në trevat shqiptare. Përshkrimet e haneve janë të shpeshta. Shumica e tyre nuk ofrojnë ndonjë luks të veçantë, por megjithatë i presin mysafirët me mikpritje të përzemërt. Gjithashtu janë vendet ku udhëtarët e huaj takojnë vendasit. Ja si e përshkruan H.A. Brown, “Dimri në Shqipëri”, ai mbërriti në një han të Prizrenit në vitin 1889:
“Na pritën në një dhomë të errët me dysheme prej balte me nderime të mëdha. Gjindja që u ndodh aty u ngrit në këmbë dhe na përshëndeti me respekt, ndërsa hanxhiu i shëndoshë me dy a tre ndihmës të veshur mirë, na pritën me bujë dhe rrëmujë.
Kuajt tanë na i morën menjëherë. Një grup shërbëtorësh më hoqi dorezat prej gëzofi. Hanxhiui më kapi njërën çizme dhe ndihmësit e tij tjetrën, por meqenëse harruan të hiqnin mamuzet, i gjeti belaja nga mirësjellja e tyre. Një grup tjetër kapi një mangall, duke larguar menjëherë dy ushtarë që ishin përkulur e po ngroheshin mbi të, dhe e vendosi me shpejtësi afër meje, kurse ata të tjerët në dhomë shpejt e shpejt drodhën cigare dhe m’i ofruan. I tensionuar shumë nga keto shërbime, mendova për torturat e mesjetës dhe efektet e tyre mbi trupin njerëzor, por për fat, në momentin kur gjymtyrëve të mia u ishte sosur durimi, përpjekjet e hanxhiut dhe shërbëtorëve të tij ia dolën mbanë dhe më zbathën çizmet, duke më dhënë mundësi që të ulesha sa më rehat.”
Një temë tjetër e shpeshtë është problemi i pasaportave dhe vizave, të cilat iu shkaktuan këtyre udhëtarëve mjaft telashe. Ja Zoti Brown, i cili gjendet ende në hanin e Prizrenit:
“Me vringëllima të forta të shpatave dhe të mamuzeve, u futën në dhomë një oficer me uniformë të gjelbër me shumë shirita dhe gajtana, i ndjekur nga nja gjashtë vartës të armatosur, gjithashtu veshur në të gjelbër. Mospërfillës për perkuljet servile të gjindjes aty pari, oficeri m’u afrua, më përshëndeti duke i dhënë vetes rëndësi dhe m’u drejtua në turqisht. Meqenëse nuk e dija këtë gjuhë të ëmbël, u përgjigja në anglisht, por me mirësjellje, kurse përkthyesi më informoi se ky njeri ishte një zaptije i lartë, që më kërkoi pasaportën. Ia dhashë menjëherë dokumentin e kërkuar. Oficeri e shqyrtoi me seriozitet dhe me një shprehje sa më të vrenjtur. Më në fund duke iu drejtuar përkthyesit, i tha se dokumenti nuk ishte në rregull dhe duhej të shkonim menjëherë bashkë me të në Konak.”
Kjo ngjarje duhet parë në kontekstin historik. Deri në Luftën e Parë Botërore udhëtarët bridhnin nëpër Evropë pa kurrfarë dokumentesh. Pasaportat dhe vizat ishin dokumente disi ekzotike që kërkoheshin vetëm nga Rusia dhe Perandoria Osmane. Janë parë si tipare të tiranive të prapambetura, të cilat së shpejti do të zhdukeshin me përparimin e qytetërimit.
Në fund të shekulllit XIX-të, Perandoria Osmane kishte rënë nga mirëqenia e saj e dikurshme e kohës së Evlija Celebisë. Udhëtarët si Edmund Spencer u tronditën nga shenjat e tatëpjetës të kësaj Perandorie:
“Ku janë monumentet e fuqisë dhe energjisë së popullit të fuqishëm i cili e bëri pluhur e hi Perandorinë e krishterë Lindore? Ku janë provat se ata për shekuj kanë zotëruar pushtetin mbi një nga vendet më të bukura dhe më të plleshme të gjysmëruzullit tonë? Ku? Këneta e moçalishte, lumenj të mbushur me rërë, pazare ku rritet bari, ara të lëna djerrë, kala të rrënuara, ura të shkatërruara – të gjitha njëzëri jehojnë — ku? Amullia, amullia për vdekje, gjithmonë ka qenë tipari i pushtetit të racës osmane. Të shtypur dhe të gremisur nën nivelin a njerëzimit, breza të tërë të të krishterëve të pafat të këtye vilajeteve të Turqisë Evropiane janë zhdukur si gjethet e pyllit, pa lënë gjurmë as për të treguar se ekzistuan. Ata mbetën të shpërfillur dhe të lënë pasdore nga kombet e tjerë të Evropës të cilët po i shfrytëzonin të gjitha energjitë e tyre për të shpëtuar nga primitivizmi djemtë e zeshkët të Indisë dhe Afrikës dhe për t’i bërë ata pjesë të të mirave të qytetërimit dhe të fesë së zbuluar. Këta kombe të Evropës harruan turpin dhe akuzat që i kishin në prag.Ndërsa gjaku i Evropës gjallëronte skajet e gjithësisë, një pjesë e vetë Evropës mbetej e mpirë, si kufomë.“
Në Angli, kjo gjendje u bë shtytje për të ashtuquajturën “Pyetje Lindore” — si do të ruhej stabiliteti ndërkombëtar në kushtet e zbrazëtisë të krijuar nga tkurrja e shtetit osman dhe si do t’u përgjigjeshin fuqitë e Evropës përpjekjeve të kombeve të Ballkanit për lirim nga “zgjedha turke”.
Për herë të parë udhëtarët që vinin në Kosovë u bënë politikisht të angazhuar në njërin ose tjetrin krah të kësaj pyetje politike, e cila ishte çështje e debatit të ndezur në qarqet publike në Angli. Në një anë ishte Partia Konservatore e Disraeli-t, e cila pak a shume përkrahte status quo-n dhe nuk favorizonte ndërhyrje në çështjet e brendshme të shteteve të huaja, dhe në anën tjetër PartiaLiberale e Gladstone-it, e cila nga motivet morale dhe idealiste i përkrahu përpjekjet për pavarësi të shteteve të reja të Ballkanit, veçanërisht Bullgarinë dhe Serbinë.
Dy gra angleze, Pauline Irby dhe Georgiana Mackenzie, botuan në 1867 “Udhëtimet në Provincat Sllave të Turqisë në Evropë.” Libri u bë menjëherë i famshëm dhe u përkthye në serbisht. Edicioni i dytë u botua me një parathënie prej vetë Gladstone-it — por kjo kopje është edicioni i parë, pa këtë parathënie. Megjithatë, një lexues ka ngjitur në kopertinë një zarf me nënshkrimin e kryeministrit Gladstone — një kujtim kushedi se për çfarë.
Pauline Irby ia kushtoi jetën Bosnjës dhe themeloi një shkollë në Sarajevë, ku ende sot ndodhet një “Ulica Irbina.”
Ja si e përshkruan pritjen e saj nga gubernatori osman i qyetit të Prishtinës:
“Udhëtimi me kalë prej Graçanicës në Prishtinë nuk llogaritet në më shumë se një orë e gjysmë.Qyteti gjendet në tokë të valëzuar ku kodrat përreth takohen me fushën.Është i pisët dhe i vogël, por nuk duket i keq prej së largu, për shkak të minareve të njëmbëdhjetë xhamive që thuhet se janë ndërtuar prej grave turke, burrat e të cilave ranë në Betejën e Kosovës.Në anën e djathtë është një kodër piktoreske mbi të cilën në kohën e vizitës sonë ishin ngritur çadra ushtarake të bardha dhe të gjelbëra. Zakonisht një regjiment kalorësish vendoset në fushë gjatë verës, dhe turku tregon shijen e tij duke e zëvendësuar herë pas here të bardhën vezulluese me të gjelbrën.
Kajmakami- i Shkupit i kishte dërguar mudir-it të Prishtinës një letër duke e lutur që të kujdesej për ne: Kjo letër pati një efekt shumë të mirë, sepse ai jo vetëm na dërgoi një përcjellje për të na shoqëruar nga manastiri, por na furnizoi me një konak të shkëlqyeshëm në qytet. Shtëpia që kishte zgjedhur ishte ajo e peshkopit, e cila, edhe në se nuk i përgjigjej konceptit evropian të një pallati peshkopi (se kishte vetëm katër dhoma, tri të vogla dhe një të madhe), prapë se prapë ishte një rezidencë e këndshme.Peshkopi panariot vetë kishte shkuar në Stamboll, por as kongregacionin nuk e mori malli për të, as neve, sepse e morëm dhomën e tij të madhe, të freskët dhe të këndshme, me një radhë dritaresh nën hijen e strehëve. Pamja prej këtyre dritareve është shumë e bukur; Shtëpia, ndodhej në një shpat, shihte nga qyteti i mbledhur dhe përtej fushës deri në kufirin e largët të kodrave.
Menjëherë, pasi kishim mbërritur, mudir-i i Prishtinës na dërgoi fjalë se do të vinte për vizitë. Nuk u paraqit ndonjë osmanli trashaluq me uniformë të zhgarravitur, por një shqiptar thatanik veshur me një xhybe të gjelbër me astar gëzofi. Ishte një plak i pashëm, i thinjur, me sy të zinj që i shkëlqenin, lëkurë të bardhë dhe me një pamje fisnike, që nuk marrin dot ata që janë ngritur në post për shkak të shërbimeve të tyre si çibukndezës ose kafexhinj. Pas disa minutave shoqëruesi i mudir-it na informoi se eprori i tij vërtet ishte i sojshëm dhe meqenëse treguam interesim të fortë për këtë temë, mudir-i vetë e mori fjalën dhe na tregoi mbiemrin, duke shtuar se familja e tij ishin të gjithë nga raca e gegëve dhe se në vendin e tyre askush nuk dinte asnjë fjalë turqisht. Kjo na nxiti për ta pyetur për familjet e tjera të Shqipërisë Veriore dhe në veçanti në se ishte i një mendjeje me informuesin e Konsullit Hahn, se familjet më të mëdha ishin ato të Ismail Pashës dhe Mahmut Begollit. Ai na tha se vërtet ishin të mëdha, por pinjolli i fundit i njërës prej tyre kishte hyrë në shërbimin e Sulltanit. Ai shtoi me përbuzje, “Ai është gungaç i vogël” dhe imitoi gungën.“ Irby p. 234
Zonjat Irby dhe Mackenzie ishin shembuj të hershëm të grave që udhëtonin, duke gjetur në vende të largëta një jetë më gjerë dhe më të frytshme nga sa mund të gjenin në vendin e tyre. Udhëtimet që ndërmorën i çliruan nga kufinjtë e ngushtë të jetës së grave në shekullin e XIX-të. Shembuj të tjerë të udhëtareve të tilla ishin Isabella Bird në malet e Kanadasë ose Mary Kingsley në Afrikën Perëndimore.Zonjat Irby dhe Mackenzie ishin frymëzim për udhëtaren më të shquar të Ballkanit, Edith Durham.
Edith Durham-i është figurë e njohur dhe e nderuar ndër shqiptarët.Në Shqipëri rrugët dhe shkollat mbajnë emrin e saj.Para pak kohe posta e Kosovës emetoi një seri pullash me vizatime të saja. Durhami erdhi në Kosovë dy herë, për herë të parë në vitin 1903, pasi kishte vizituar disa herë Malin e Zi dhe Shqipërinë dhe tashmë kishte njohuri për vendet e ndryshme të Ballkanit. Ajo zbriti në Pejë përmes Grykës së Rugovës dhe vajti deri në Deçan.U pengua në ambicien e saj për të parë Gjakovën dhe për këtë arsye dëshira per të parë këtë qytet bëhej gjithnjë më e zjarrtë. U realizua në vitin 1908 në udhëtimin e saj të dytë nëpër Kosovë, kur erdhi pas një udhëtim shumë të lodhshëm nëpër zonat më të thella të Shqipërisë veriore:
“U nisëm, udhëtuam për një kohë të gjatë dhe erdhëm në Qafë Prush.Ja ku shtrihej Gjakova atje poshtë në rrafsh, e ndarë prej nesh nga një tatëpjetë e gjatë nëpër kodra të rrumbullakta. Çatitë e kuqe vezullonin përmes pemëve të blerta dhe minareve të holla dhe të bardha që shkëlqenin, të brishta posi zambakë.Gjakova si të gjitha qytetet osmane është e bukur prej së largu.Kur të bëhet e qytetëruar me oxhaqe të zinj fabrikash në vend të minareve, nuk do të jetë e bukur as nga brenda as nga jashtë. Nuk mund t’i kesh të gjitha.
Mua më dukej si një qytet i ëndërruar.Mendoja për ditët rraskapitëse që kisha duruar para pesë viteve, kur më kthyen në momentin e fundit. Ndjenja e këndshme e suksesit më bëri të harroja përkohësisht lodhjen e ditës së gjatë dhe të nxehtë mbi samarin e kalit e dy net me gjumë të prishur dhe eca shpejtnëpër shtegun me gurë më këmbë, se ishte tepër i pjerrët për të ecur mbi kalë. Ecja me mjaft dhimbje se e kisha nisur rrugën me opinga të reja dhe si budallaqe kisha harruar t’i fusja në vaj.Dielli e kishte tkurrur lëkurën e paregjur dhe opingat në këmbët e mia ishin bërë të forta si hekur.Dhimbjen e padurueshme të flluskave në lëkurën e këmbës mund ta ndiesh vetëm kur nuk e arrin cakun.
Më në fund zbritëm në brigjet e Erenikut dhe erdhëm në një urë të madhe guri me shtatë harqe, si urë e zakonshme turke, e pjerrët, e ngushtë dhe pa parmakë, por aq elegante dhe e fortë sa të bënte të harrosh faktin se mund të përdorej vetëm nga këmbësorët dhe ata e kalojnë me vështirësi. Lartësia madhështore e harkut qendror e mban urën lart përmbi vërshimet e egra të dimrit.
Në bregun tjetër shtrihej Gjakova, e artë në dritën e mbrëmjes.Vazhduam rrugën deri në shtëpinë e priftit, ku Marku, si mik i vjetër u prit me ngrohtësi.Kushëriri i Markut, mësuesi, doli menjëherë.
Pas një udhëtimi prej gati dymbëdhjetë orësh me shumë pak ushqim, pranova me kënaqësi rakinë dhe kafenë e zezë të zakonshme, duke shpresuar se mund të pushoja deri në darkë. Por nuk e kisha llogaritur mirë mikpritjen shqiptare: mësuesi kishte vrapuar menjëherë në shtëpi, pasi na kishte përshëndetur dhe na thanë se ai ishte gati për të na pritur si mysafirë në shtëpinë e tij. Isha tërë pluhur dhe djersë sepse nuk isha larë që prej tri ditëve — as nuk i kisha zhveshur rrobat apo zbathur këpucët — dhe kërkova falje.Por Marku nguli këmbë se isha plotësisht e pastër dhe dukesha e bukur.Prifti me njerëzillëk me ofroi një legen me ujë dhe një peshqir.Më dhanë pesë minuta kohë të pastrohesha.” (239-40)
Në këtë udhëtim Durham-i pas një tangenti të gjatë në manastirin e Deviqit vazhdoi deri në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë. Ajo e përshkroi Tyrben e Sulltan Muratit me murin e saj rrethues të ngritur nga pashai i Evlija Celebisë dy shekuj e më shumë më parë dhe mu si Evlija bëri vërejtje për gjendjen e rrënuar dhe të papastër të tyrbes.
Edith Durham nuk ishte figurë e izoluar në Angli, por pjesëmarrëse e zjarrtë në debatet publike që zhvilloheshin në Londër në kohën e grahmave të fundit të Perandorisë Osmane, debate që do të përsëriteshin pothuajse fjalë për fjalë tetëdhjetë vjet më vonë në kohën e rënies së Jugosllavisë.
Henry Noel Brailsford do të bëhej një nga gazetarët me të shquar liberalë të Anglisë.Ai kishte marrëdhënie herë miqësore dhe herë problematike me Edith Durhamin nga viti 1904, pasi u takuan në Maqedoni.Brailsford bëri emër pasi kishte nisur një operacion të ndihmave në Maqedoni pas kryengritjes maqedonase kundër pushtetit osman në vitin 1903. Në atë kohë ai vizitoi edhe Kosovën:
“Në se Korça është kryeqyteti i Shqipërisë së Poshtme dhe të toskëve më të butë me qytetërimin e tyre si ai i grekëve dhe adhurimin e tyre paqësor të letërsisë, Prizreni është qendra e racës më të egër të gegëve.Kur e vizitova në qershor 1903 ishte në ethe për shkak të indinjatës shqiptare kundër zbatimit të dhunshëm të reformave austro-ruse.Një hekurudhë strategike, e cila me sa duket nga mallrat mbart vetëm topa dhe nga udhëtarët vetëm ushtarë ose robër të luftës, përshkon një grykë të ngushtë prej Shkupit deri në stacionin e fshatit të vogël të Ferizajt, një vend i cili u bë i njohur para disa viteve për shkak të kryengritjes së tij kundër nënprefektit turk, i cili u dëbua me veshë të prerë. Në Ferizaj fillon Shqipëria.Shenja e dukshme e kalimit të kufirit janë dyqanet e duhanit.Kioskat e vogla rrinë hapur ndanë rrugës dhe burrat e shkathët me plisa të bardhë — shqiptari i vërtetë nuk mban feste -ulen këmbëkryq prapa grumbujve të mëdhenj të duhanit kontrabandë.Ata e shesin hapur, pa e fshehur. Më parë ka pasur filiale të monopolit turk të duhanit në Shqipëri, por ata nuk ekzistojnë më. Drejtorët e tyre vriteshin lehtë, dhe tregtia e duhanit “të lirë” kontrollohej vështirë.Këta grumbuj aromatikë të gjetheve janë simbol i anarkisë shqiptare dhe i dështimit të turqve që të bënin qoftë përshtypjen më sipërfaqësore mbi këtë racë malësorësh.”
Aubrey Herbert, deputet parlamenti dhe diplomat, ishte lidhur ngushtë me Edith Durhamin në punën e përbashkët për çështjen e pavarësisë shqiptare.Herbert-i njihej me shqiptarë të përtej Shqipërisë, si ushtarë osmanë në Anadoll dhe Arabi.Në Selanik ai mbante pas vetes një truprojë shqiptar me emrin Qazim, i cili e shoqëroi në Angli.Me gjasë ishte Qazimi, që i dha frymëzim për udhëtimin e tij me kalë nga Mali i Zi në Shkup në 1907, të cilin e përshkruan në librin e tij “Ben Kendim”.
“Ecëm me trok nëpër ara të begatshme me dhe të kuq dhe pjellor derisa pamë qytetin, i bardhë me xhamitë dhe minaretë e saja si dëbora që mbulonte thepat e bjeshkëve prapa tij. Ura që kalon mbi Drin është e qëndrueshme, me dërrasa të mirëmbajtura, me gjithë vrimat që i ka bërë koha. Ura në tërë gjatësinë e saj është e mbuluar me çati. Gumëzhimin e ujit e shoqëron këndshëm gugatja e pëllumbave. Varrezat jashtë dhe brenda qytetit i hijesojnë grumbuj plepash. Shpeshherë i kisha dëgjuar ushtarët shqiptarë që lavdëronin Prizrenin.Në vapën e netëve në shkretëtirë, i merrte malli për freskinë e tij.Kur e pashë qytetin e kuptova mallin e tyre.Si të gjithë malësorët, ata përmallohen për bjeshkët e tyre dhe një pjesë e madhe e problemeve, që u shkaktonin autoriteteve ishte pasojë e këtij malli. Turqit gjithmonë kënaqen kur takojnë dikë, i cili ka vizituar vendlindjen e tyre në Anadoll të largët, por dashuria e tyre për atdheun është një ndjenjë gati kalimtare e një race endacake dhe nuk është ai mall i zjarrtë dhe poetik që është karakteristik për shqiptarët. Në shkretëtirë, shqiptari dëgjon fluturimin e pëllumbave dhe murmurimin e përrenjëve.Ai sheh vezullimin e xhamive para muzgut dhe e ndjen ajrin e freskët të Prizrenit ose Tetovës në mbrëmje.” (Ben Kendim p 182)
Vizita e dytë e Durham-it në Kosovë në vitin 1908, ishte vetëm disa javë pas shpalljes së Kushtetutës Osmane, që ishte pasojë e të ashtuquajturit revolucion xhonturk. Sipas përshtypjeve të saj, kjo reformë e vonuar e perandorisë plakë kishte pak shanse për të fituar përkrahjen e popullsisë:
“Shqiptarët myslimanë u zemëruan sepse kushtetuta nuk u dha liri, sepsei detyronin ata që të bënin shërbim ushtarak. Rrethet e Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Dibrës së Epërme, Shkodrës dhe të tjerët, të cilët deri atëherë kishin qenë të liruar nga ky shërbim, deklaruan se nuk kishin luftuar për kaq vite kundër turkut që të pushtoheshin tani prej tij. Të krishterët, të cilët kishin besuar se “Kushtetuta” nënkuptonte ikjen e turqve, u llahtarisën. Tani kurrën e kurrës nuk do të luftonin në anën e turqve. Veç në shtator, dëgjova mosbesim ndaj turqve kudo në vilajetin e Kosovës. Myslimanët që ishin mbledhur në Ferizaj dhe kishin kërkuar një Kushtetutë nga Abdyl Hamiti panë se ishin mashtruar. Ata thanë se i kishin thirrur për të luftuar kundër Austrisë, gjë për të cilën ishin të gatshëm, por kurrë nuk do të merrnin urdhra prej turqve.” (Tangle pp 190-191).
Në udhëtimin e tij nëpër Kosovë, Herbert-i u njoh me Isa Boletinin dhe në shtëpinë e tij në Londër qëndroi Boletini kur bëri vizitën e tij. Herbert-i dhe Durham-i, të dy bashkë ishin themelues të Shoqatës Anglo-Shqiptare, e cila ekziston ende sot. Herbert-i shkroi me keqardhje dhe pikëllim për caktimin e kufijve të shtetit shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913:
“Si dukej, [Shqipëria] do të humbiste tre të pestat [e territorit të saj] dhe do ta fillonte jetën e saj si një shtet i gjymtuar që në lindje. Çfarë shprese mund të kishte për një popull, shteti i të cilit ishte privuar nga mundësia e jetës ekonomike? Një shtet i tillë me siguri duhet të bëhet ose lypës ose hajdut dhe të përpiqet të jetojë me lëmoshë ose plaçkitje.” (Ben Kendim p. 216)
Pas Luftës së Parë Botërore dhe me zhdukjen e “Pyetjes Lindore” nga rendi i ditës, edhe udhëpërshkruesit ndërruan kahjen e tyre sipas gjendjes së re politike. Në Kosovë nuk hynë më nga Qafë Prushi ose Morina, por nga Mali i Zi ose nëpër grykën e Ibrit. Kosova nuk bëhet më kapitull në përshkrimet e Perandorisë Osmane, por tangent nga udhëtimet nëpër Jugosllavi. Në periudhën e Jugosllavisë, për të huajt, shqiptarët sikur bëheshin gjithnjë më pak të dukshëm. Lovett Fielding Edwards në librin e tij “Pelerinazhi i Pafe” të vitit 1938 udhëton me një autobus shkatarraq nga Prizreni në Pejë dhe kalon nëpër Gjakovë:
“Në Gjakovë pamë për herë të parë veshjen kombëtare malazeze. Kufiri i vjetër është afër dhe shumë nga malësorët kanë zbritur në fushë për të marrë tokë, e cila jepet nga qeveria me çmime të ulëta sipas planit të kolonizimit. Pakica shqiptare, edhe pse e pakët nga numri, është kompakte dhe futet si pykë në zonën me popullatë sllave deri në Mitrovicë. Në një farë kohe, ata gati sa e izoluan Malin e Zi nga pjesa kryesore e vendit. Kësodore politika zyrtare favorizon kolonizimin malazez dhe pastërtia e rregullt e vendbanimeve të kolonistëve bëhet një kontrast befasues me varfërinë kaotike të fshatrave të kohës së para çlirimit.
U ndalëm në zyrat lokale të entit për kolonizimin lokal, i cili merret me faljen e tokave, subvencione, etj. Gati të gjithë kolonistët ishin malazezë, shumica me veshje kombëtare. Mora vesh se zakonisht jepej rreth 15 hektarë tokë për çdo mashkull dhe diçka më pak për çdo femër dhe fëmijë. Kuptohet se toka nuk është ajo më e mira, e cila tashmë është e kultivuar dhe në duart e pronarëve origjinalë, por kolonistët nuk ishin të pakënaqur.
Por prapë nuk u pëlqente jeta në fushë me gjithë tokën pjellore në krahasim me shkëmbinjtë e tyre shterpë, të përcëlluar nga dielli. “Nuk ka ajër këtu,” thanë. Kjo i bezdistë aq më shumë sepse tërë rruga nga Prizreni der në Pejë kalonte në rrëzë të maleve malazeze. (Profane Pilgrimage p. 160)
Po ku janë përshkrimet e Kosovës në kohën e pasluftës? Ata gati sa nuk ekzistojnë. Tek tuk ndonjë turist përshkruan manastiret e Graçanicës dhe Deçanit dhe kaq. Ndoshta një arsye ishte se shteti jugosllav kontrollonte rreptësisht vizitat private të të huajve nëpër rajone që nuk ishin caktuar për turizëm në masë. Por ndoshta ishte se marrëdhëniet midis lexuesve dhe udhëtarëve kishin ndryshuar. Përshkrimet klasike të udhëtimeve i përkisnin një periudhe më të hershme, kur udhëtarët e pakët përshkruanin vende të largëta për një shumicë që rrinin në shtëpi. Ose ndoshta këta udhëpërshkrues anglishtfolës sollën me vete një grimë të mendësisë të Perandorisë Britanike, kur anglezët i futnin hundët gjithkund.
Por nga udhëpërshkruesit më modernë nuk mund të mos përmend librin e Mary Motes- it, Kosova-Kosovo. Mary ishte paraardhësja ime si lektore në Fakultetin Filozofik dhe qëndroi dy herë në Prishtinë në vitet 60 dhe 70. Elizabeth Gowing e ka përshkruar Kosovën në kohën e UNMIK-ut në librin e saj Udhëtimet nëpër Gjak dhe Mjaltë.
Në botën e demokratizuar dhe të globalizuar, udhëtohet më shumë, kush nga qejfi dhe kush nga halli. Ndërsa Edmund Spencer përshkroi hanin e tij në Prizren në një libër elegant lidhur me lëkurë, udhëtari modern përshkruan Hotel Grand në Prishtinë në tripadvisor.com.
Atëherë t’i lemë fjalën e fundit Edith Durham-it tek viziton pazarin e Prizrenit në vitin 1908:
“Brodha nëpër tunelet e gjata prej druri që formonin rrugët e pazarit me mallrat që vezullonin nën hijet e errëta.
Kishte rrënjë të barit zemre dhe rrënje shpatore të grumbulluara te shitësi i barërave; arra për ngjyrë të zezë për flokët e krishterëve dhe të kuqe për myslimanët, këna për pëllëmbët dhe thonjtë. Hajmalitë trikëndëshe ishin qepur në zarfe kadifeje, kurorë bamjesh të thara për çomlek, jelekë dhe xhamadanë të qëndisur dendur me penj mëndafshi ngjyrë portokalli, pajime kali me xhufka të kuqe dhe duqe të bukura.
Jashtë në fushë nën dritën e artë ishin grumbulluar rrush, pjeshka, shalqinj, kunguj, kungulleshka, domate të kuqe dhe ngjyrë portokalli, speca të ndritshme dhe patëllxhana të verdhë, të gjelbër, të kuq dhe ngjyrë manushaqe, lakra, sallata, fasule, si në bollëkun e një mijë e një netëve. Pastaj e dëgjova thirrjen e Lindjes dhe më pikoi në zemër duke menduar për fuqitë që rrinin në pritje aty në kufi, gati për t’u hedhur në sulm dhe për të shkatërruar këtë botë.”
*Autori ka përkthyer në gjuhën angleze disa romane të Ismail Kadaresë dhe së fundi “Darka e gabuar” nominuar për çmim.
http://gazeta-nacional.com/?p=5486
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply