DONIKA
Flasim për Gjergjin,
për ditët e netët e gjata të rrethimeve,
për luftërat e rrepta, fitoret,
për kalin e tij të zgjuar dhe për shpatën e rëndë
por shpesh të harrojmë ty.
Harrojmë si kthehej ai i lodhur nga betejat
dhe te dera e prisje ti.
I merrje në trupin tënd dhimbjet e plagëve të të rënëve,
të fushave të djegura me grurë,
të puseve të shterura pa ujë
për të mos ia lënë atij.
Se ai duhej të pushonte pak
për të qënë përsëri nesër për luftë.
Koka e tij, që s’përkulej përpara gjyleve të rënda të
topave,
rrëzohej mbi supin tënd të butë.
Shihje si i rëndoheshin ngadalë qerpikët,
si i mbylleshin sytë.
E, për t’ia bërë edhe ëndrrat më të lehta,
hyje vetë aty.
Ndaj, kur ti ishe e domosdoshme në rrethimet e gjata,
aq e domosdoshme i je edhe tani në pavdekësi.
Ndryshe si mund të themi se kemi njohur
Gjergjin e vërtetë
pa pjesën e vet që ka lënë tek ti ?!
Burimi/Facebook


Leave a Reply