
Një nga artistët më të mëdhenj të vendit ka dhënë sot frymën e fundit. Aktor në më shumë se 100 role në teatër e filma, interpretues brilant i poezisë dhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.
Mjeshtër i madh i skenës shqiptare, është pak për të përshkruar Mirush Kabashin…sepse mbi të gjitha ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm!
Këtë gjë e vërtetoi më së miri në Qershor të 2021-it kur në media qarkulloi lajmi i hidhur se “aktori kishte ndërruar jetë”. Duke qenë se prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, titujt e rremë do ishin përjetim i dyfishtë për të, por si rrallëkush Mjeshtri e fali këtë gabim.
“Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën, nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin. Ishin të dhimbshme, sepse thonin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia. Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur. Janë gjëra që ndodhin, jemi në një fushë që jemi bërë njerëz publikë. Është një tërheqje veshi për gazetarët, të cilët duhet ta rikonfirmojnë lajmin nga disa drejtime përpara se ta japin në ekranet e televizionit, të cilët duhet të jenë sa më të sakta, nuk lejohen të tilla gabime, gjithsesi nga ana ime falen”, u shpreh ai asokohe.
Gazetarja që kishte qenë burimi i këtij lajmi të pakonfirmuar kërkoi ndjesë publikisht duke i uruar jetë të gjatë Kabashit. Shumë njerëz qanë e u mërzitën ditën që lexuan një gjë të tillë, por situata u kthye në një tragjikomedi pasi me marrjen vesh të së vërtetës, gëzimi ishte i pamasë.
Por edhe kjo “e keqe” kishte “një të mirë”. Artisti e kuptoi atë ditë sa shumë e donin njerëzit.
Në këtë ditë të ftohtë dimri, humbja e Mirush Kabashit pason me një dhimbje të madhe për të gjithë ata që kanë shijuar ndër vite rolet e papërsëritshme e interpretimet e tij unike.
Lamtumirë Mjeshtër! Sot gjithë Shqipëria qan për ty…









Burimi//tvklan.al
MIRUSH KABASHI
Ka lindur më 17 prill të vitit 1948 në Shkodër dhe është rritur në qytetin e Durrësit.
Ka origjinë ishte nga Kosova, pasi babai i tij lindi në Gjakovë. Më 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit.
Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Karriera dhe veprimtaria artistike
Shquhet si njëri nga aktorët më të mirë në Shqipëri, i rreth 100 roleve në teatër dhe filma.
I njëjti shpesh ka qenë edhe prezantuesi i aktiviteteve të shumta artistike.
Kabashi mes tjerash është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.
Ka dhënë një kontribut të madh po ashtu në kinematografinë shqiptare, e një pjesë ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të ndryshme.
Më i veçanti mbetet ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Çmimet dhe nderimet
Mirushi u shpall ‘Aktori më i mirë’ me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.
Me të njëjtin rol, u vlerësua ndër aktorët më të mirë edhe në ‘Festivalin Teatror Ballkanik’ të zhvilluar në Korinth të Greqisë.
Në vitin 2002 fitoi gjithashtu çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist ne Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”.
Kabashi u vlerësua me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm në një event në Egjipt.
Në 2014 u nderua me titullin “Nderi i Kombit” si dhe ndër vite është shquar si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Disa nga projektet që ka realizuar ndër vitesh:
“Ne dhe Lenini”
“Nata”
“Edhe ashtu edhe kështu”
“Binarët”
Nxënësit e klasës time”
“Dora e ngrohtë”
“Shoqja nga fshati”
“Zani partizani”
“Emblema e dikurshme”. Marrë nga /Telegrafi/
Burimi/Facebook/Ndoc M Shaben


Leave a Reply