Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se tashmë është konfirmuar se tre policët janë rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të mos dizinformojë opinionin publik dhe t’i lirojë menjëherë policët e rrëmbyer.
“Tani e kemi konfirmuar se tre policët e ndaluar në mënyrë ilegale ishin zënë në pritë dhe kidnapuar nga forcat serbe përderisa ishin në një pauzë të përbashkët dreke, nga një patrullë rutinore e kontrabandimit brenda territorit të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Twitter.Më herët në një postim në Facebook, Kurti u shpreh se rasti i rrëmbimin e tre policëve “e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë”.
“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Në një konferencë për mediat ditën e djeshme kreu i qeverisë bëri të ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i kishte vizituar më 20 qershor tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.
“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë.
Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”, ka theksuar Kurti.Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë pa kushte tre policët e Kosovës të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe më 14 qershor.
BurimiFacebook/RTSH Shkodra


Leave a Reply