U largua nga jeta edhe miku im më i mirë i 30 viteve të mia “të trazuara”, me gëzime, hidhërime e të papritura , NAUM PRIFTI, që “për një fije përi” shpëtoi nga persekutimi i egër, për të vëllain që e kishte në Amerikë, si edhe për dramën “Rethimi i bardhë “ që nuk i pëlqeu Udhëheqësit. Pa përmendur “syrin e keq” që më vëzhgonte mua, pas daljes nga burgu, në vitin 1982 , tek “qanim hallet tona”, me Naumin, nëpër rrugicat e skajshme e të heshtura të “Medreses”, nga e kishte shtëpinë i dashuri shoku im i viteve dhe dekadave më të vështira ….
Lindi në Rehovë të Kolonjës më 7 mars 1932. Studjoi për mjekësi, po kryesisht është marë me letërsi, duke shkruar afro 100 vepra letare në të gjitha gjinitë e saj: kryesisht tregime, novela,drama, komedi, skeçe, skica e tregime humoristike, skenare e seriale filmash, reportazhe publiçistike e fejtone, përralla për fëmije, studime e reçenca për teatrin. Shkrimtari e dramaturgu Naum Prifti, është nga autorët më prodhimtarë e më të vlerësuar, duke e krahasuar me Turgenjevin e Çehovin në arenën e huaj, po edhe me Kutelin e Xoxën te ne, sidomos për rrëfimin e stilin letrar…
Në vitin 1992 emigroi në Amerikë, pran të vëllait Petër Prifti,-ish nxënës e bashkudhëtar i Nolit dhe për disa vite ka drejtuar Shoqatën Patrioike “VATRA” në Boston.Më ngjante sikur nuk do ta shihja më mikun tim, kur po në këtë vit u ndamë në dy drejtime të kudërta, po s’qe e thënë, teksa edhe populli shrehet se “vetëm mali me malin nuk piqen, po njeriu me njeriun, po”. Dhe, në librin “SHPIRTI ARTISTIK”, më 2014-ën, do të shkruaja për të, atje ku kishte vajtur. Po së shpejti, dhe atje ku vajti tani ky SHPIRT I RRALLË!
“NAUM PRIFTI, I TËRI DHE I PLOTË”
Më 5 qershor 2005, nga New Yorku, miku im i hershëm Naum Prifti, kolegu, bashkëpunëtori e shoku intim i viteve të mia më të të bukura e më të vlefshme të jetës sime, më dërgoi librin e tij “Teatri në kohën e krizës”, që do ta përpija në çast për thjeshtësinë dhe vlerat e veta dhe përmes të cilit do të ritakoja Naumin e vërtetë, ashtu sikur e njihja “vetëm unë”. As që e mendoja fare se, më 6 prill 2008, unë do të trokisja në shtëpinë e tij, tepër të thjeshtë, në New York, për t’u çmallur e për të marrë librin e tij të ri “Midis dy kohësh”, ku do të gjeja po atë Naum sikundër qe dhe është dhe sot: i tërë dhe i plotë. Rrallë se gjen sot në letrat shqipe autor kaq prodhimtar e enciklopedik që të shënojë në krijimtarinë e vet afro njëqind tituj, që përbëjnë vlera reale, dinjitoze për kulturën kombëtare.
46 vjet më parë, kur unë vazhdoja studimet në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, (sot Akademia e Arteve), gjatë procesit të zgjedhjes së fragmenteve dramatike për provimin e vitit të dytë në lëndën “Mjeshtëria e Aktorit”, pedagogu ynë i talentuar Andrea Malo, na rekomandoi që, në mungesë të dramava të mirëfillta nacionale ( të cilat, në atë kohë, ishin fare te pakta), t’i hidhnim sytë nga prozatorët shqiptarë, veçanërisht ndër tregimtarët, sidomos tek ata që paraqesin ngjarje, karaktere e lëndë dramatike…Dhe, mbaj mend se surpriza e atij provimi qe paraqitja e një tregimi të Naum Priftit, “ E fejuara”, zgjedhur dhe interpretuar prej studentit Bexhet Nelku, i cili dha shenjat e para të një aktori potencial. Pastaj regjisori-pedagog Malo do t’i kujtonte prozatorit Prifti se kishte një stof e një penë prej dramaturgu! Postulati i Çehovit (“E thjeshta,-e vërteta”), gjente shprehjen e plotë në atë skenëzë baritore që paraqeste Naumi, ku takimi i Raufit me Sadeten procedonte natyrshëm, përmes një dialogu konçiz e emocional, duke zbuluar gradualisht jetën e karakteret e tyre përpara një ngjarjeje krejt të zakonshme që kishte të bënte me lidhjen e jetës së të rinjve me njëri-tjetrin.
Ishte pikërisht kjo prirje e Naum Priftit drejt teatrit që do të më lidhte me të përfundimisht. Por kishte edhe diçka tjetër, thelbësore, në këtë mes: shijet dhe qëndrimet e përbashkëta, qetësinë e jashtme dhe të brendshme, ekuilibrin shpirtëror, çiltërsinë dhe sinqeritetin, thjeshtësinë dhe një ndjenjë humori për t’i kapërcyer vogëlsitë e peripecitë jo të vogla të jetës. Me këtë njeri babaxhan,për afro 50 vjet, do të më ndante vetëm internimi, burgu dhe më pas mërgimi im i detyruar dhe i padrejtë, për t’u parë përsëri larg Shqipërisë, në Kontinentin Amerikan! Do të na mjaftonte vetëm gjysmë dite për t’i rikujtuar të gjitha.
Së pari, dramën lirike “Rrethimi i bardhë” që shkëlqeu dhe u varros brenda 2-3 vjetësh nga “syri i keq” i udhëheqësit Hoxha, i cili edhe këtu vuri re prishje të unitetit në kushtet e “rrethimit borgjezo revizionist”. Po realisht, kjo dramë e thjeshtë e me karakter poetik, s’ishte gjë tjetër veçse një hymn njerëzor, kushtuar karaktereve të forta që përballojnë rrethana të vështira të jetës. Kjo dramë dilte mbi të zakonshmen e të ashtuquajturave “ drama dokumentare” e të atyre që u bënin jehonë “flakë për flakë” ideve e propogandës partiake, pa u përqëndruar fare në vlerat njerëzore e në psikologjinë e tyre…Vetëm se, Naumi, ashtu sikundër lëndohej shpejt, po aq shpejt edhe e merrte veten. Si njeri këmbëngulës e me një bagazh jete, por edhe me humor brenda vetes, shkroi komedinë “Dasmë pa nuse”, të cilën ma dha për ta lexuar kur jepja mësim në Akademinë e Arteve. Më pëlqeu menjëherë dhe aty për aty bashkë me kolegen, pedagogen Drita Agolli, vendosëm ta vëmë në skenë si punë diplome me studentët Timo Flloko, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Saimir Kumbaro, Niko Kanxheri etj, duke krijuar një atmosferë groteske, që sfidonte ashpër paragjykimet e asaj kohe. Dy vjet më vonë Naumi shkroi dramën “ Mulliri i Kostë Bardhit”, një vepër me figura realiste, e cila u vu në skenën e Teatrit Dramatik “A. Moisiu” të Durrësit nga regjisori Pandi Stillo. Dramat e mëpastajme si “Plumbat e shkronjave”, “Një verë e thatë”, “Zani Partizani”, “Lenini mes fëmijëve” dhe disa pjesë për botën e kësaj moshe, ndonëse nuk patën jehonën e duhur, rrëfenin për interesat e gjera letrare të këtij dramaturgu të talentuar, diapazonin e të cilit do ta ngushtonte dogmantizmi i kohës, tok me frikën e një ndëshkimi të mundshëm.
2
Naumi njihet më tepër si prozator, veçanërisht si lëvrues i tregimit të shkurtër. Qysh në librat e tij të parë me tregime (“Tregime të fshatit”,-1956, “Lëkura e ujkut”,-1958, “Çezma e floririt”,-1960), u imponua si një tregimtar brilant, aq sa studiuesi nga Kosova, Akademiku Rexhep Qosja e krahason me Çehovin dhe Turgenjevin. Sot bëhen shpesh superlativea të tilla, bile edhe ndër hapat e para të atyre letrarëve që derdhin pa kursim bojën e shkrimit mbi letrat e bardha, por tek veprat e Naum Priftit ndryshon puna. Në një hark kohor gjsmëshekullor e ka shfaqur veten me dinjitet në të gjitha gjinitë e prozës. Proza e tij është e vetëndjerë, me një afsh ngrohtësie e lirizmi, me freskinë e burimeve malore të Kolonjës, me flladitjen e pemishteve të mollëve e të rrepeve të moçëm buzë përrenjeve të vendlindjes së tij, si edhe e aftë të portretizojë nga brenda portrete njerëzish që nuk i harron dot…I frymëzuar nga Kuteli, ai di të shkojë edhe më tej. Në prozën e Naum Priftit sikur derdhet pa kursim edhe poezia e Lasgushit, po edhe logjika e shëndoshë e një intelektuali të mirëfilltë, estet i krijimeve të veta. Kjo mikrobotë e Naum Priftit mban vulën e origjinalitetin e tij.
Të dhjetë librat që do të vijnë paskëtaj prej këtij autori në zë të letrave shqipe, ndonëse e lartësojnë gjininë e tregimit (pa përmendur edhe novelat e tij), nuk do të vlenin aq shumë sa tregimi “Njeriu që ndiqte kuajt”, që është e mbetet një model i frymëzuar, kryevepër, që i ka ‘“shoqet” të veçanta. Tepër rrallë mund të gjesh forcë të tillë shpirtërore, vrazhdësi të pështjellë me lirizëm, thjeshtësi e varfëri së bashku, të përzier me tragjizmat e jetës, si edhe një përqasje unikale midis njeriut dhe kafshës. Ky zbutës i kuajve të egër, që rropatet në pyjet e pishave të Myzeqesë, me vrapin e tij marramendës pas trokut të kopeve të hazdisura të kuajve të egër, ngjan aq shumë me atë peshkatarin plak të tregimit të Hemingueit mbi detin e egërsuar , kur peshkaqeni mund t’i merrte edhe jetën. Ky binom, midis njeriut dhe kafshës, njeriut dhe natyrës, si një konflikt i përjetshëm, sjell në letërsi transparencën e vlerës së vërtetë kundrejt broçkullave që shkruhen pa hesap dhe ofiqeve të shkrimtarëve të rremë. Kemi përpara, jo në shumë faqe, një vepër letrare që të trondit për nga forca e bukurisë së saj, për nga tingëllima e heroikes që buron vetiu nga thjeshtësia në përpjekjet e përditshme të mbijeteses dhe që rezulton e madhërishme, përtej kornizave të zakonshme të ARTIT TË MADH
3
Dy librat e rinj të Priftit lexohen me ëndje, jo më pak se krijimet letrare të tij. “Teatri në kohë të krizës” dhe “Midis dy kohësh”, shprehin karakterin e dyzuar të shkrimtarit nën diktaturën e egër komuniste. Të dy librat shprehin të njëjtën brengë: atë të mumjezimit të njeriut nën diktaturë, që nuk mund të shpreh dot atë që mendon e ndjen. Është, si të thuash, një dramë e thellë psikologjike, që vazhdon me shumë akte. Tjetërsimi dhe dyanësia e shpirtit njerëzor kthehen kështu në tortura të vazhdueshme…
Për 12 vjet me radhë, nga viti 1964 deri më 1976, Naum Prifti,ka qenë njeriu im më i afërt, shoku, miku e bashkudhëtari im i përhershëm. Ia njihja edhe planin e dytë të mendimeve të tij, të njëjta si edhe të miat, por më të kamufluara. Naumi shprehej pak, por me një ironi të hollë. Ashtu si me lezet krijonte njëfarë përshtatje me njerëzit e njohur e të panjohur, me rrethanat, me tryezën ku ulej, me kuvendet, si edhe me kërkesat e zyrtarëve dhe të partiakëve. Ky lloj kompromisi me vetveten e me të tjerët, nuk qe hipokrizi, po mënyrë pragmatiste për t’i anashkaluar rrezikut, internimit, burgut e vrasjeve me e pa gjyq. Unë që shprehesha paksa me hapët e isha diç më kryengritës, e pësova me një përprplasje nën tokë (në minierë) e në burg paskëtaj, aq sa edhe sot e kësaj dite, si të isha një i dënuar i përjetshëm, nuk më është hequr puna e rëndë e krahut. Miku im i mirë, sikur i dinte dhe i parashikonte gjithë këto “kleçka të kohës”, ca më tepër se e kishte edhe ai “një mizë nën kësulë”, të vëllanë e mërguar dikur në SH B A, edhe pse mund të mburrej me të, si një nga figurat më të rëndësishme që qëndronte aty përkrah Nolit…Duke lexuar të dy librat e Naumit, bindem se paskam qenë një “budalla me brirë”! Se, funksionimi i gjithçkaje të asaj kohe, i ngjante gurit të mullirit. Vërtitej ritmikisht, sipas një avazi, deri në bluarjen e kockave!. Po jo të gjithë kishin të njëjtin “fat”, duke marrë parasysh se, jo pak herë, “guri i mullirit” në vërtitjen e tij , njërin e hidhte poshtë e tjetrin më të lartë. Ndonëse shpesh ishim bashkë e hanim në të njëjtën “pjatë”, dikush shpëtonte e dikush tjetër do të hidhej në humnerë! Pasqyrë refleksioni e kësaj “drame-komike” janë të dy librat e Naumit që kemi nëpër duar.
Tek “Teatri në kohë të krizës”, gjen shprehje ideja përse perdes së teatrit iu mbyll njëherë e përgjithmonë dukja e dramave të forta aktuale, si bie fjala “Njollat e murme”, duke patur mbi krye pushtetarë e partiakë injorantë e fanatikë?! Prapambetja e dramaturgjisë dhe e teatrit, pavarësisht nga shpërthimet e veçanta të talenteve, sikundër e paraqet autori në këtë libër, është identike me regresin shoqëror që bëri i ashtuquajturi “njeriu i ri” në epokën e partisë,-një epokë denigruese, frike, pasigurie e kthimi mbrapa, tablo këto, të cilat Naum Prifti i zbërthen realisht e me emocione të forta, me fakte e ngjarje rrënqethëse në librin “Midis dy kohësh”.
Në këtë libër voluminoz, veç të tjerash, sillen edhe disa portrete lapidarë qe i rezistuan asaj kohe, si martirë të heshtur, shpirti i të cilëve, forca e talenti, sido që ndrydheshin, patën dallgëzime të egra e të papërsëritshme, sikundër ishin Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Jakov Xoxa, Kasëm Trebeshina e Bilal Xhaferi. Autori i pasuron portretet e tyre me mbresa e nota vetjake, nga njohjet e drejtpërdrejta e bisedat me ta, kur rrebeshet e kohës binin pa kursim mbi supet e tyre të brishta.
Por Prifti e rrëfen veten këtu edhe si një vëzhgues i hollë i natyrës, si një piktor i frymëzuar, por edhe si një gjeograf skrupuloz, që udhëton nëpër rrugë e monopatet e Atdheut, jo vetëm për të parë, po për të fiksuar në “hartën e mendjes” gjithë territorin e vendit të vet. Gjithmonë i qetë , i përzemërt, me buzëqeshjen e tij në buzë dhe me brengën e njeriut që dikush, një sy i fshehtë e përgjonte pareshtur nga mbrapa! Dhe, ja ku shfletojmë “shpirtin” e këtij njeriu të kulturuar, të këtij shkrimtari të rrallë të letrave shqipe…Jemi mësuar t’i lexojmë përshtypjet nga Shqipëria, nga të huajt e ca më pak nga tanët dhe gjithsesi ngazëllehemi, sido që, jo pak herë mbetemi të ftohtë…Libri i Naum Priftit të “mbërthen” përfundimisht e s’të lë ta heqësh nga dora, sepse ka përbrenda faqeve të veta personazhe-njerëz që “lanë gjurmë” të dukshme në ecurinë, kulturën e letërsinë e vendit të tyre. Ky libër do të shërbejë edhe si një manual i saktë i së vërtetës shqiptare në kohën e krizës më të thellë të kombit, si një vlerë e gjithanshme, enciklopedike, e parë, e prekur dhe e shprehur bukur, përmes shpirtit të një artisti e shkrimtari të shquar.
Piqeras 20.06.2023
Burimi/Facebook


Leave a Reply