DASH ka mbështetur aksionin e Policisë së Shtetit në kampin e opozitës iraniane MEK në Manzë të Durrësit. DASH ka marrë garanci nga Policia e Shtetit se aksioni i kryer ditën e djeshme (20 qershor) brenda kampit të MEK është kryer në përputhje me ligjin dhe se janë mbrojtur liritë dhe të drejtat e të gjithë personave.
DASH po ashtu ka mbështetur të drejtën e qeverisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit shqiptar.
“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”.
Policia e Shtetit ushtroi dje (20 qershor) kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.
Ministria e Brendshme ka reaguar mbi këto akuza, duke bërë me dije se nuk ka humbje jete dhe as të lënduar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për shtyp me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, u shpreh se janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 46 laptopë dhe karta memorie të cilat, sipas Rrumbullakut anëtarët e MEK tentuan t’i asgjësonin me djegie.
Rrumbullaku theksoi se nuk është ushtruar dhunë nga efektivët, teksa shtoi se prej tyre është përdorur vetëm spraji që nuk ka sjellë asnjë pasojë te rezidentët. Sipas Rrumbullakut, për shkak të dhunës së ushtruar nga anëtarët e MEK, janë 15 efektivë që kanë marrë lëndime.
BurimiFacebook/RTSH Shkodra


Leave a Reply