Dialogu Prishtinë-Beograd u ndërpre pas orës 20:00 dhe do të vazhdojë në orën 22:00, ndërsa kreu shtetëror serb, siç thotë këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Duric, vendimin për propozimin e përfaqësues së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, do ta sjellë deri në fund të javës.
Deri te ndërprerja e dialogut, siç kanë thënë burimet nga delegacioni i Beogradit, për agjencinë serbe Tanjug, ka ndodhur pas konfliktit verbal mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
Duric ka thënë se Beogradi ka pranuar një ofertë më të mirë se gjatë raundit të 2 prillit. “Kemi marrë një ofertë shumë të mirë, veçanërisht për policinë“, ka thënë ai.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës ka thënë për gazetarët në Bruksel se “tani kemi një pauzë, për t’u rikthyer në orën 22:00, që t’i jepet kohë qartësimit të disa ideve, rreth të cilave ka ende dallime”.
“Kemi ardhur me qëllimin e mirë për të arritur marrëveshje, që të konsolidohet dhe të forcohet shteti i Kosovës, të ndërtojmë fqinjësi dhe bashkëpunim rajonal. Pra, të arrijmë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal”, ka thënë Thaçi.
Negociatat pezullohenn: Thaçi dhe Vuçiç përplasen
“Ndodhi një konflikt mes Aleksandar Vucicit dhe Hashim Thaçit për dy pika”, ka thënë një burim i “Blicit” nga Brukseli. Konflikti verbal ka ardhur gjatë debateve për propozimet, përkatësisht për pikat 9 dhe 14.
RTK ka raportuar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë nga ndërtesa ku po zhvillohen negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, dhe ka deklaruar se beson se sonte do të arrihet marrëveshje në mes palëve, njofton RTK. Ai ka theksuar se ka nevojë që të bëhet qartësimi i disa ideve që po qarkullojnë nga Baronesha Ashton.
Serbia refuzon marrëveshjen?
Serbia duket se do ta refuzojë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Lajmi është dhënë nga Ministrja kosovare e Integrimeve, Vlora Çitaku, në rrjetin social twitter.
“Serbia duket se dëshiron ta refuzojë përsëri draft-marrëveshjen. Ju lutem mos ta humbim këtë shans”, ka shkruar ajo.
(Ora 17:15) Pas pushimit rinis takimi Thaçi-Daçiç-Ashton
Ka vazhduar takimi në Bruksel ndërmjet palëve. Dalja e kryeministrit Thaçi pak kohë më parë, nuk ka qenë largim nga takimi, por pauzë e radhës. Burimet në Prishtinë kanë thënë për Koha.net se marrëveshja që pritet të arrihet do të jetë në favor të palës kosovare. Ministrja Vlora Çitaku disa herë gjatë ditës ka lajmëruar se marrëveshja është e mundshme, dhe nuk do të jetë në dëm të asnjërës palë.
(Ora 17:00) Ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se raportimet e mediave serbe se kryeministri Thaçi është larguar nga takimi nuk janë të vërteta. Ajo në profilin e saj në Twitter ka shkruar se “bëhet fjalë për pauzë konsultimesh të të dyja palëve”.
(Ora 16:30) Është ndërprerë para pak çastesh dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Siç bën të ditur “Ora info”, që i referohet mediave serbe, bisedimet u ndërprenë nga kryeministri Thaçi në shenjë pakënaqësie, që ky i fundit ka shfaqur ndaj propozimit të fundit të baroneshës Ashton. Dhe tani është duke u zhvilluar një pauzë.
‘Blic’ njofton se pala serbe në Bruksel mori një marrëveshje pak më të mirë, kur është fjala për policinë dhe çështjet e sigurisë.
Çitaku: Serbia pranë marrëveshjes
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku përmes rrjetit social “Twitter”, ka dhënë sinjale se Serbia është afër pranimit të marrëveshjes.
“Siç duket Serbia ka reflektuar dhe mund të pranojë marrëveshjen e propozuar nga Ashton! Lajme të mira”, ka shkruar Çitaku në “Twitter”.
Komandanti rajonal dhe ai lokal, serbë!
Siç raporton B92, ekipit negociator të Serbisë në Bruksel i është ofruar ofertë tjetër. Për veriun e Kosovës ofrohet që serbët të jenë komandantë rajonalë dhe komandantë lokalë të policisë.
Këtë e kishte kërkuar Serbia edhe në raundet e mëparshme të dialogut, por nuk ishte pranuar nga pala kosovare.
Aktualisht, në Bruksel po zhvillohen konsultimet e ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit, ku më pas fillon takimi trilateral me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Oferta e re nënkupton që sipas procedurës, asociacioni i komunave propozon kandidatët për komandat të policisë në veriun e Kosovës, kryetarët e komunave e hedhin atë propozim, kurse Prishtina duhet të pranoj njërin nga tre kandidatët, bën të ditur jozyrtarisht B92.
/Shekulli Online/Përgatiti:M.A./
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply