Kane Farabaugh
I akuzuari për sulmin me armë zjarri në periferi të Çikagos doli dje për herë të parë në gjykatë. Gjatë sulmit u vranë shtatë persona ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Banorët e traumatizuar janë ende të tronditur dhe në kërkim të ndryshimeve që do të shmangnin përsëritjen e sulmeve të tilla. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh vizitoi lagjen Highland Park dhe sjell materialin në vijim.
Mëngjesi i katër korrikut filloi ashtu siç ndodh rëndom për Jill Doherty-n. Ajo kishte shkuar për të parë paradën në Highland Park, një ngjarje e përvitshme e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, në të cilën ajo ka marrë pjesë me familjen dhe miqtë për vite të tëra.
“Papritur, dëgjuam një zhurmë dhe menduam se ishte shumë herët për fishekzjarre. Dhe më pas e kuptuam se dikush po gjuante me armë”, thotë zonja Doherty
Ajo dhe grupi i saj ikën me vrap, duke lënë nga pas karriket dhe gjërat personale.
“Ne vrapuam pandërprerë”, vazhdon më tej ajo.
Një ditë pas sulmit me armë që mori shtatë jetë dhe la dhjetëra të plagosur, zonja Doherty është kthyer për të mbledhur gjërat e saj, ndërsa disa pjesë të qendrës së qytetit, ku ndodhi sulmi, vazhdojnë të jenë të rrethuara.
Kjo ngjarje e bëri atë të pikëlluar dhe në të njëjtën kohë, nxiti një mori pikëpyetjesh.
“Çfarë mund ta motivojë dikë, që ta bëjë një sulm të tillë?” pyet zonja Doherty.
“Ju nuk prisni që një gjë e tillë të ndodhë në vendlindje. Aty ku rritesh është vendi ku ndihesh më i sigurt”, thotë banori tjetër, Jacob Karman.
Ishte rastësi, që 19-vjeçari Jacob Karman, nuk arriti të bashkohej me turmën në Highland Park këtë vit.
“Kisha harruar të vija zilen që të zgjohesha në kohë. Unë do të kisha qenë këtu. Vendi ku ndodhi sulmi ishte pika e zakonshme prej nga familja ime e shikonte paradën”, sqaron zoti Karman.
Ai e ka të vështirë të shprehë emocionet e tij pas kësaj tragjedie, që e ka ndryshuar përgjithmonë qytetin e tij të lindjes.
“Unë mund të them një mijë fjalë, por në mesin e tyre nuk do të mund të gjeja fjalën e duhur për të shprehur ndjenjat e pikëllimit të thellë”, thotë zoti Karman.
Ajo që ai dëshiron më shumë nuk janë fjalët, por veprimet.
“Si mund ta ndryshojnë këtë njerëzit në pushtet? Kjo është ajo që unë dua të di. Si mund ta ndryshojnë njerëzit këtë situatë, që kjo të mos përsëritet më”, pyet 19 vjeçari Jacob.
Mesazhi i tij është i njëjte me atë të shumë njerëzve në këtë periferi të pasur të Çikagos me rreth 30,000 banorë. Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, vizitoi banorët e pikëlluar, forcat e rendit dhe drejtuesit e qytetit.
“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Ne flasim se është një gjë e pakuptimtë dhe vërtetë ashtu është, e pakuptimtë”, tha nënpresidentja e SHBA, Kamala Harris.
Lori Ann Post është profesoreshë dhe eksperte për vrasjet në masë, në Shkollën e Mjekësisë Feinberg në Universitetin Northwestern. Ndërsa Kongresi së fundmi miratoi legjin e ri për kontrollin e armëve, pas sulmeve të fundit në Teksas dhe Nju Jork, zonja Post beson se megjithatë ligji I ri nuk është i mjaftueshëm.
“SHBA kishte një ligj federal që ndalonte armët luftarake sulmuese ,që ishte në fuqi nga viti 1994 deri në vitin 2004, dhe gjatë kësaj kohe, sulme të kësaaj natyre ranë ndjeshëm. Po të kishte qënë në fuqi, do të kishim parandaluar ndoshta 30 sulme me armë zjarri”, thotë zonja Post.
Qyteti Highland Park ka kufizime të rrepta lokale për armët gjysmë-automatike të përdorura në incidentin e 4 korrikut, të cilat megjithatë nuk arritën ta parandalojnë tragjedinë.
“Ne duhet të veprojmë në mënyrë të zgjuar si vend, se kush do të ketë qasje tek armët, në veçanti tek armët luftarake sulmuese”, thotë nënpresidentja amerikane, Harris.
“Nuk jam i sigurt se cila është mënyra e duhur për veprim, por jam optimiste se do ta gjejmë atë”, thotë zonja Doherty.
Ndërsa i dyshuari për sulmin përballet me akuza për vrasje, zonja Doherty shpreson që tragjedia të nxisë ndryshime domethënëse në Amerikë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply