Nga 1 deri më 3 gusht 1943, në fshatin Mukje u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare, Konferenca e Mukjes. Ajo solli Marrëveshjen e Mukjes, një akt të rrallë bashkimi kombëtar, që synonte të bashkonte të gjitha forcat politike dhe ushtarake shqiptare në luftën kundër pushtuesit fashist, përkrah Aleatëve të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore.
Mukja ishte prova se shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, mund të bashkoheshin kur mbi gjithçka vendosej interesi kombëtar. Nacionalistët e pranuan këtë bashkim duke vënë në plan të parë lirinë e vendit, mbrojtjen e Shqipërisë Etnike dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë formën e regjimit pas çlirimit.
Marrëveshja parashikonte:
-Bashkimin e menjëhershëm të të gjitha forcave shqiptare në luftë kundër pushtuesve.
-Krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, me përfaqësim të barabartë të nacionalistëve dhe komunistëve.
-Vazhdimin e luftës çlirimtare deri në çlirimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare.
-Vendosjen e formës së regjimit pas luftës, sipas vullnetit të lirë të popullit, duke respektuar edhe legjitimitetin e Monarkisë Kushtetuese. Etj
Po të zbatohej kjo marrëveshje, Shqipëria, do të kishte pasur një rrugëtim krejt tjetër historik. Nuk do të vendosej diktatura komuniste, lufta nuk do të shndërrohej në një përplasje vëllavrasëse për pushtet dhe çështja kombëtare do të kishte pasur një tjetër perspektivë.
Nën presionin dhe direktivat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), Enver Hoxha dhe drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare u tërhoqën nga Marrëveshja e Mukjes. Arsyeja ishte e qartë, programi i Mukjes mbronte edhe çështjen e Kosovës dhe të Shqipërisë Etnike, diçka që Beogradi nuk mund ta pranonte.
Ky qëndrim u vulos në Konferencën e Dytë të Labinotit, në shtator 1943. Aty Marrëveshja e Mukjes u dënua zyrtarisht, nacionalistët u shpallën armiq dhe lufta politike kundër tyre u shndërrua në prioritet. Me këtë vendim, lufta për çlirimin e vendit mori karakterin e një lufte civile për pushtet, me pasoja tragjike për kombin shqiptar.
Pas kësaj, Abaz Kupi, deri atëherë një nga figurat kryesore që kishte bashkërenduar veprimet e forcave nacionaliste dhe pjesë e marrëveshjes së Mukjes, u shkëput nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe, në nëntor 1943, themeloi Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, e cila mbrojti idealin e Shqipërisë Etnike dhe të Monarkisë Kushtetuese.
Goditja përfundimtare ndaj pluralizmit politik dhe nacionalizmjt shqiptar erdhi në Kongresin e Përmetit, në maj 1944. Aty u ngritën organet e pushtetit komunist, u përjashtua rikthimi i Mbretit Zog dhe u hodhën themelet e regjimit që do të sundonte Shqipërinë për gati gjysmë shekulli. Sipas këtij interpretimi, vendimet e Përmetit vulosën shkatërrimin e frymës së Mukjes dhe vendosën diktaturën komuniste si të vetmen alternativë politike.
Më pas filloi goditja sistematike ndaj nacionalistëve, zogistëve, ballistëve dhe çdo kundërshtari politik. Shumë prej firmëtarëve të Mukjes u vranë, u burgosën ose u detyruan të mërgonin. Shqipëria hyri në një nga diktaturat më të egra të Europës, ndërsa interesat kombëtare mbetën për dekada nën ndikimin e Beogradit dhe më pas të Moskës.
Sot, pas më shumë se tetë dekadash, Marrëveshja e Mukjes mbetet simbol i unitetit kombëtar, ndërsa prishja e saj kujtohet nga shumë shqiptarë si një nga aktet më të rënda që ndryshoi rrjedhën e historisë së vendit.
Historia na mëson se interesi kombëtar duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak, mbi ideologjinë dhe mbi pushtetin personal.
ATDHEU MBI TË GJITHA!



Burimi/Facebook


Leave a Reply