Konsullata serbe në Shkodër nuk është për të përfaqësuar 56 serbët e vetëm, por një flamur më shumë për të shtrirë dominimin serb në Ballkanin Perëndimor
Shkodra historikisht ka qenë vija ndarëse e shtrirjes së popullsisë sllave në Jug të Ballkanit. Austro-Hungaria nuk e lejoi kurrë që Shkodra t’ju takonte serbo-malazezëve dhe punoi për kontrollin dhe balancën e sllavëve në Ballkan.
Sot regjimi sharlatan dhe i nënshtruar i Edi Ramës ka gjetur një qasje të re gjeostrategjike duke përshtatur aspiratat e shqiptarëve në një vasalitet dhe bashkëpunim me regjimin nacionalist të Vuçiç për të sjellë të ashtuquajturin stabilitet ballkanik. Parja e Beogradit si një aleat edhe në kushtet kur ata nuk fshehin ambiciet e tyre të hapura ndaj Kosovës, nuk është aventurizëm, por një dalje hapur kundër interesit kombëtar dhe rolit të shqiptarëve në shekullin e 21.
Deklarimi i Djuriç për rënien dakord në hapjen e një konsullate në Shkodër është shenjë triumfi e politikës së jashtme serbe për dominimin ballkanik. Djuriç vazhdon të përmendë marrëdhëniet e shkëlqyera me Tiranën, ku edhe në 2025 mbi 100 mijë serbë kaluan pushimet në Shqipëri, dhe Beogradi me Tiranën kanë bërë cdo gjë që sot mos të ketë asnjë konflikt midis serbëve dhe shqiptarëve. Ballkani i Hapur dhe lëvizja e pakufizuar ka bërë që serbët të ndjehen komfort në Shqipëri. Kur Kosova ndjehet e kërcënuar nga skenarë shtetërorë si ai i Banjskës për krijimin e një zone të ngrirë në Veriun e Kosovës, kur ministrja e kabinetit të Vuçiç shprehet se do të ushtronte spastrim etnik në Kosovë, kur diplomacia serbe është hedhur në aksion për mos njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, politika e jashtme e regjimit të Ramës bashkëpunon me Vuçiç për propozime të përbashkëta për integrimin europian. Për më tepër, Rama ka qenë bashkëpunues me Vuçiç në projektet për ndarjen e kufijve në Ballkan, inisiator për mini-Shengenin ballkanik, propozues i draftit të Asosiacionit për komunat serbe në Veri të Kosovës, deklaruesi që Veriu i Kosovës është tokë e askujt dhe justifikuesi i vetëm i politikave të Vuçiç për të mos vënë sanksione ndaj Rusisë. Për Ramën krijimi i një komuniteti ‘Little Serbia’ në Shkodër, tani që mundësia e blerjes së pronave dhe tokave nuk do të ketë kufizim, është brenda të njëjtës kënaqësi kur i dha çelësin e qytetit të Tiranës këngëtarit të shovinizmit serb Goran Bregovic.
Në diskursin e tij politik të kohëve të fundit të Ministrit të Jashtëm Djuriç, ai flet për një politikë të jashtme pro-perëndimore të Serbisë që po mbështetet në dy aleatë kryesorë, Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara për të ndikuar në Lindjen e Mesme dhe për të investuar në industrinë ushtarake dhe informacionit. Serbia do të kryejë një investim në prodhimin ushtarak të dronëve izraelitë në mbi 2 miliard dollarë.
Po a ka një vend tjetër ballkanik që po ju bashkohet këtyre prioriteteve apo lidhjeve me këto vende? Sigurisht Shqipëria e regjimit Rama. Waterfront nga Alabari i Emirateve të Bashkuara Arabe në Beograd dhe Alabari i ‘investimit gjigand’ në portin e Durrësit, fabrikat e dronëve në Serbi, fabrika e asemblimit të dronëve në veri të Shqipërisë, kontroll të popullsisë me njohje faciale (smart city) në Serbi me teknologji kineze, kontroll me smart city në Shqipëri me kompani të Emirateve me teknologji bashkëpunuese me Kinën. Rama vërtetë është kryeministri më i mirë serb pas Pashiç, sipas gazetarit Martens të Frankfurter Allgemeine Zeitung. Për më tepër që fytyra perëndimore e Serbisë nacionaliste sot është stërnipi nga e ëma i Pashiç, ministri Djuriç. Por për Ramën dhe loçon e tij, ministrin Hoxha, kundërshtimi për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër është patriotizëm folklorik ndaj shfaqjes së tyre egzibicioniste për të zhdukur sovranitetin e shqiptarëve.
Rama po punon ngushtë me Vuçiç si dy autokratë që e kanë të pamundur ti bashkohen Bashkimit Europian, si peng të krimit të organizuar dhe sistemit të autokracisë elektorale që është i papranueshëm me vlerat europiane. Për më tepër që partneriteti i Ramës me Serbinë është ajo e një argati të përdhosur që tërhiqet si lango.
Prandaj konsullata e Shkodrës është një simbol i këtij bashkëpunimi, një flamur i suksesit të dominimit serb në rajon, një goditje për Kosovën dhe Malin e Zi, që kërkojnë integrimin europian dhe për t’u çliruar nga nacionalizmi primitiv serb që Ballkanin e shikon si pjesë të tij.
Burimi/Facebook/ZËRI YNË USA


Leave a Reply