Në 7 dhjetor 2021, pra saktësisht 100 vjet më parë Hasan Polaci, nga Drenica e Kosovës së sotme, i vetëuajtur “Prishtina” u bë kryeministër i Shqipërisë në sajë të një grushti shteti të armatosur. Forca kryesore e këtij grushti shteti ishte Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (KMKK), i cili ishte krijuar vepronte në Shqipëri, si një organizatë politiko-ushtarake e përbërë nga refugjatë shqiptarë të ikur nga Jugosllavia mbretërore e quajtur në atë kohë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene.Sot janë botuar shumë dokumente që vërtetojnë se Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (dhe Hasan Prishtina si anëtar i tij, shpesh i emërtuar drejtpërdrejt) ishte vënë me pagesë në shërbim të Kominternit (Internacionales Komuniste) me qendër në Moskë që mbështeste kryerjen e përmbysjeve të dhunshme politike veçanërisht në vendet e Europës dhe Ballkanit.Shumica e këtyre dokumenteve janë të botuar edhe në gjuhën shqipe. Këto i gjeni në libra si (sa për të përmendur vetëm disa):
-“Dokumente të Kominternit për Shqipërinë: lëvizja komuniste në vitet 20-30 të shekullit XX” (botim i përbashkët i Akademisë Albanologjike, Institutit të Historisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 2021)
-“Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare: vitet 20 dhe 30 të shekullit XX”, Botimet “55”, Tiranë 2018
-“Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”, dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet “Toena”, Tiranë 2006
KMKK hyri në marrëdhënie me Kominternin, me justifikimin e ideuar nga Hasan Prishtina “Bashkëpunim edhe me djallin për çlirimin e Kosovës”.
Sa i përket shtetit shqiptar KMKK kishte si parim atë “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri!”, që praktikisht kishte kuptimin se shteti shqiptar i krijuar në 1913 duhet të mos ndalej para asnjë rreziku qoftë edhe ekzistencial kur bëhej fjalë për përpjekjet për çlirimi e Kosovës.
Kjo në praktikë do të thoshte se shteti shqiptar, duhet të shërbente si bazë për luftën e armatosur antiserbe në Kosovë, megjithëse për këtë luftë nuk kishte mbështetjen reale të asnjë fuqie të madhe në rast rreziku. Dhe kjo do të thoshte që shteti shqiptar duhet të ishte në një gjendje lufte të përhershme me shtetin fqinj shumë më të fuqishëm. Kjo ishte një aventurë shumë e rrezikshme dhe që do të kishte pasoja fatale për një shtet të ri, të varfër, të vogël, si Shqipëria.
KMKK mori nën kontroll territorin verilindor të Shqipërisë, në kufirin me Jugosllavinë dhe e bëri bazë të tij për veprime luftarake në Kosovën e sotme. Për këtë arsye shteti shqiptar humbi rreth një të nëntën e territorit që i dha Traktati i Londonit i vitit 1913. Në vitet 1918-1923, në zonat kufitare të Shqipërisë me Mbretërinë Serbo-Kroato-Slovene ishte krijuar një situatë e ngjashme me atë që do të ishte në vitet 1998-1999, kur kryengritës shqiptarë të Kosovës, të gjendur ngushtë nga mësymja e ushtrisë serbe tërhiqeshin në territorin e Shqipërisë, ose vinin këtu për t’ u furnizuar me armatim.
Serbët përfituan nga kjo situatë për pushtuar një pjesë të territorit të Shqipërisë, në zonat kufitare, deri në atë që serbët e quanin “Vija Strategjike” e nevojshme për mbrojtjen e kufirit të tyre. Të gjitha këto veprime luftarake kundër ushtrisë serbe qenë aventura kriminale se në atë kohë nuk kishte një fuqi të madhe që ta mbështeste kryengritjen shqiptare në Kosovë.
Meqënëse shteti shqiptar nuk kishte fuqi për t’ i rimarrë këto territore, u vu në lëvizje një arbitrim ndërkombëtar i Lidhjes së Kombeve, që e zgjidhi çështjen në favor të zotëruesit në terren, pra të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene së cilës rreth 2000 km² tokë shqiptare, duke përfshirë edhe krejt Zonën Neutrale të Junikut.
Shqipëria sot do të kishte një sipërfaqe prej rreth 32 mijë km², në rast se nuk do të kishte qenë për këto aventura të KMKK u bënë përgjatë kufirit të saj, dhe për shkak të të cilave humbi një pjesë të rëndësishme të luginës së Lumit Drini i Zi dhe një pjesë të rëndësishme të pellgut të Lumit Drini i Bardhë.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, KMKK, me nismën e Hasan Prishtinës hyri në marrëdhënie me organizatën politiko-ushtarake bullgare VMRO që vepronte në Maqedoninë e sotme dhe donte t’ ia bashkonte atë Bullgarisë.
Pikërisht me justifikimin e përdorimit të Shën Naumit si bazë për njerëzit e VMRO ushtria jugosllave pushtoi Shën Naumin për të cilin më pas shteti shqiptar meqënëse nuk kishte fuqi ta merrte me forcë, nuk i mbetej veçse të pranonte një shkëmbim për të.
Një aventurë e ngjashme e KMKK ishte bashkëpunimi me indipendentistët malazezë të cilët përdornin Vermoshin si bazë, për çka një pjesë të të cilit e pushtoi ushtria jugosllave. Edhe në këtë rast shteti shqiptar meqënëse nuk kishte fuqi ta merrte me forcë, nuk i mbetej veçse që më vonë të pranonte një shkëmbim për të.
Kulmi arriti kur Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” bëri grusht shteti në dhjetor 1921 në Tiranë, duke marrë pushtetin dhe duke emëruar Hasan Prishtinën kryeministër. Kjo ishte baras me shpallje lufte nga Shqipëria ndaj Jugosllavisë, një luftë kjo në të cilën Shqipëria nuk kishte mbështetje ndërkombëtare. Grushti i shtetit, nëse nuk do të ishte shtypur shpejt, brenda një jave, mund të bëhej fare mirë shkak që ushtria serbe të pushtonte përsëri Shqipërinë deri në Shkumbin, për arsye sigurie. Me këtë rast pakënaqësia popullore e krijuar nga papërgjegjshmëria e krerëve të KMKK u shndërrua në urrejtje të hapur ndaj kosovarëve. Qeveria e Hasan Prishtinës u përmbys pas një rebelimi gjithëpopullor.
Puçi I Hasan Prishtinës në 1921 ishte sprova e parë e Moskës për të marrë nën kontroll Shqipërinë. Sprovën tjetër e cila pati sukses të plotë Kominterni e bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore me Partinë Komuniste të Shqipërisë./Kastriot Myftaraj
Burimi/Facebook


Leave a Reply