Busti i Sali Butkës, një nga udhëheqësit dhe luftëtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare është vendosur në qendër të qytetit të Ersekës në shenjë nderimi për veprimtarinë çlirimtare.
Shtatorja e Sali Butkës, e punuar nga skulptori Agim Rada Shtatorja është vendosur në lulishten Rinia përballë Gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Nipi i tij, Uran Butka është shprehur se “figura e Sali Butkës përfaqëson mendimtarin rilindas, veprimtarin e pavarësisë, njeriu që luftoi dhe vdiq për çështjen kombëtare”.
“Luftoi jo vetëm për lirinë dhe pavarësinë e kësaj treve, por edhe të gjithë Shqipërisë. Krijoi çetat e para në histori dhe bashkë me Petro Ninin Luarasin, punoi për përhapjen e diturisë. U caktua për të mbrojtur qeverinë e Ismail Qemalit dhe të Vlorës nga një sulm që i bëhej nga forcat turke që ishin në Fier. Ai u përball me ushtritë greke që vinin të pushtonin në Korçë. Kulmi i veprimtarisë historike të Sali Butkës është shpallja e republikës shqiptare të Korçës në dhjetor të vitit 1916. Dhe ai deri në momentet e fundit të jetës luftoi për Shqipërinë e lirë, të pavarur e demokratike”, u shpreh Uran Butka.
Historiani Niko Kotherja e vlerësoi Butkën duke thënë se ai ka lobuar për arşivimin e brezave dhe patriotëve në Kolonjë.
” Unë besoj se ka ardhur koha për ta sjellë këtë personalit në parametrat e tij të vërtetë. Është një personazh, i cili ka kontribuuar masivisht për çeljen e shkollave në zonën e Kolonjës”, tha historiani Kotherja.
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari u shpreh se “sot Saliu bëhet me bust në Ersekë, kështu që Saliu dhe Themistokliu që ishin bashkëluftëtarë, bashkëkombas që mbi interesat e ngushta fetare, vendosën interesat kombëtare. Besoj që Themistokliu nga bashta Gërmenji duhet të jetë i lumtur nga aty ku ndodhet, sepse edhe shoku, miku vëllai e miku i tij u vendos aty ku e meriton, shtatorja e madhe e Sali Butkës”.
Ai tha se “këto dy figura të Korçës e Kolonjës, me veprën që kanë bërë rrezatojnë frymëzim për brezat e rinj që i tregojnë me veprën e tyre që të duash atdheun duhet të sakrifikosh. E gjithë vepra e Gërmenjit dhe Butkës është e jashtëzakonshme. Besoj që të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm që figurat si Sali Butka, me shumë vonesë vendosja e bustit e tij, të studiohen dhe të vlerësohen denjësisht”.
“Petro Nini është një tjetër mik, bashkëkohës i Sali Butkës. Po bashkëbisedonim me miq, që janë historianë, akademikë. Sugjerimi i radhës ishte që nëse do gjenden kushtet, t’i afronim këta dy patriotë të mëdhenj përballë njëri-tjetrin dhe të vazhdonin të bisedonin edhe në botën e përtejme sepse edhe kjo tregon që shqiptarët në momentet e vështira të këtij kombi kanë treguar se nuk kanë parë përkatësitë fetare, por i ka bashkuar atdheu dhe kombi. Ndoshta vitin tjetër mendoj që përballë Sali Butkës do të kemi Petro Nini Luarasin”, tha Hajdari.



Nga ATSH -Tirane 24 korrik 2021


Leave a Reply